
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u takuan në Ankara, në një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të forcuar dialogun mes dy vendeve. Takimi, i pari mes tyre pas një viti e gjysmë, zgjati rreth një orë e gjysmë dhe u zhvillua në Pallatin Presidencial.
Të dy liderët theksuan rëndësinë e vazhdimit të dialogut në kuadër të Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit Greqi-Turqi. Në këtë kuadër u nënshkruan shtatë dokumente bashkëpunimi në fusha si kultura, kërkimi shkencor, teknologjia, përgatitja ndaj tërmeteve, ekonomia dhe investimet, si dhe u ra dakord për hapjen e një linje detare mes Selanikut dhe Izmirit.
Mitsotakis deklaroi se është koha për të hequr çdo kërcënim në marrëdhëniet dypalëshe dhe theksoi se çështja e përcaktimit të zonave detare në Egje dhe Mesdheun Lindor është e vetmja mosmarrëveshje që mund të zgjidhet mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare.
Nga ana e tij, Erdogan u shpreh se, megjithëse çështjet mes dy vendeve janë komplekse, ato nuk janë të pakapërcyeshme nëse ekziston vullnet për dialog konstruktiv dhe besim i mirë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp u evidentuan edhe dallime, veçanërisht lidhur me çështjen e pakicës në Trakën Perëndimore dhe rolin e Turqisë në iniciativat e mbrojtjes së Bashkimit Evropian. Mitsotakis theksoi se statusi i pakicave përcaktohet nga Traktati i Lozanës dhe nënvizoi nevojën për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe rifillimin e bisedimeve për Qipron.
Në deklaratën e përbashkët, të dyja palët u angazhuan për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me synim tregtar prej 10 miliardë dollarësh, si dhe për bashkëpunim në energji, transport dhe menaxhimin e migracionit, me qëllim ruajtjen e stabilitetit në rajon.
