Gjykata E Lartë Rrëzon Rekursin, Ilir Meta Mbetet Në Burg

0

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Ilir Meta, duke lënë në fuqi masën e sigurisë ndaj tij. Si pasojë e këtij vendimi, ish-presidenti i Republikës do të vijojë të qëndrojë në paraburgim.

Meta kishte kërkuar heqjen e masës së sigurisë, duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për ta mbajtur në qelitë e paraburgimit. Megjithatë, pretendimet e tij nuk u morën në konsideratë nga gjykata supreme.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme ka përmbyllur seancën paraprake në procesin penal ndaj Ilir Metës, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë.

Vendimi përfundimtar mbi këtë fazë pritet të merret të mërkurën e ardhshme, kur gjykata do të vendosë nëse dosja penale ndaj tyre do të kalojë ose jo për gjykim.

Ndaj Ilir Metës rëndojnë akuza të rënda, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë, çështje për të cilat hetimet janë zhvilluar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Artikulli i mëparshëmI Dënuar Në Itali Për Vjedhje, Ndalohet Në Durrës 42-Vjeçari Me Disa Identitete
Artikulli i radhësMeta Kunja Ramës Në Sallën E Gjyqit: “S’lëvizja Me Charter, As Pija Verë 33 Mijë Euro”