
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka përmbyllur seancën paraprake për ish-presidentin Ilir Meta, ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurit e tjerë në këtë dosje.
Gjykata pritet të vendosë të mërkurën e ardhshme nëse dosja penale ndaj tyre do të kalojë ose jo për gjykim.
Gjatë seancës, Meta ka kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij dhe ka përdorur një ton ironik ndaj kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se gjatë kohës që ka qenë në funksione shtetërore nuk ka bërë jetë luksi.
“Kam qenë shtetar dhe asnjëherë s’kam abuzuar me detyrën. Kam bërë jetë të thjeshtë dhe jo luksi. Nuk kam lëvizur me charter dhe as kam pirë verë 33 mijë euro”, u shpreh Meta në sallën e gjyqit.
Sipas raportimeve nga gazetarja Klodiana Lala, ish-presidenti ka lexuar para gjykatës edhe një intervistë të ish-ambasadorit amerikan Donald Lu, ku sipas tij ai paraqitej si një nga promotorët e reformës në drejtësi.
Ndaj Ilir Metës rëndojnë akuza të rënda, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë, ndërsa vendimi për fatin e dosjes pritet të merret në seancën e ardhshme gjyqësore.
