Rama Takon Ambasadoren Amerikane Në Athinë, Kimberly Guilfoyle

0

Një vizitë e pazakontë është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në Kryeministri. Në ambientet e godinës është parë të hyjë Kimberly Guilfoyle, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Athinë, e cila është pritur në hyrje nga kryeministri Edi Rama. Pamjet janë publikuar nga Televizioni Klan dhe tregojnë momentin e takimit mes tyre.

Vizita në Kryeministri vjen në një moment kur qeveria shqiptare po përpiqet të çojë përpara projektin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt që prej muajsh ka hyrë në një fazë të paqartë pas tërheqjes së ofertuesit të vetëm në tender. Kryeministri Rama ka folur për xhelozi të disa vendeve të tjera ndaj Shqipërisë, duke premtuar se projekti do të vijojë.

Porti i ri në Porto Romano lindi si nevojë për zhvendosjen e portit të vjetër të Durrësit, pasi hapësira aktuale do të përdoret për projektin Durrës Marina, një investim i biznesmenit arab Muhamed Alabbar në Shqipëri. Megjithatë, zhvendosja e portit duket se ka ngritur edhe shqetësime strategjike, pasi NATO e konsideron portin e Durrësit dhe Korridorin VIII si elemente të rëndësishme për infrastrukturën rajonale.

Në një letër të mëparshme drejtuar kryeministrit Rama, Grant VanCleve, një zyrtar dhe investitor amerikan i përfshirë në projekte infrastrukturore në rajon, kishte propozuar anulimin e tenderit për portin e ri në Porto Romano dhe përfshirjen e kapitalit dhe ekspertizës amerikane në zhvillimin e këtij projekti.

Propozimi lidhej me një vizion më të gjerë për përdorimin e porteve të Adriatikut dhe Egjeut si nyje logjistike për transportin e mallrave dhe për infrastrukturën energjetike, përfshirë edhe zinxhirët e furnizimit me gaz të lëngshëm LNG, që po marrin rëndësi të madhe në arkitekturën e re energjetike europiane.

Sipas analizës së VanCleve, një port i vogël në Porto Romano do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për arkitekturën e transportit në rajon. Një projekt i reduktuar do të sillte ankorimin e një numri të kufizuar anijesh dhe, për pasojë, Korridori VIII do të humbiste funksionin e tij real logjistik.

“Një port i vogël nuk mund të gjenerojë volumet e mallrave të nevojshme për të mbështetur një korridor të madh logjistik lindje–perëndim si Korridori VIII. Korridori VIII nuk do të ndjekë një port të vogël. Nëse Porto Romano mbetet i vogël, ngarkesat rajonale do të vazhdojnë të kalojnë përmes Pireut dhe Selanikut”, shkruante VanCleve në letrën e tij.

Me mbështetjen e amerikanëve, Greqia është shndërruar në një nga qendrat kryesore të interesit strategjik amerikan në rajon, me projekte të rëndësishme portuale dhe energjetike në Aleksandropoli dhe zona të tjera të Egjeut, të lidhura drejtpërdrejt me furnizimin e Europës me gaz të lëngshëm dhe me korridoret e reja tregtare.

Pikërisht për këtë arsye, prania në Tiranë e ambasadores amerikane në Athinë dhe takimi i saj i panjoftuar me kryeministrin Rama shton interesin për temat që mund të jenë diskutuar gjatë këtij takimi, në një moment kur projektet infrastrukturore dhe energjetike në rajon janë kthyer në çështje me rëndësi strategjike.

Artikulli i mëparshëmMeta Kunja Ramës Në Sallën E Gjyqit: “S’lëvizja Me Charter, As Pija Verë 33 Mijë Euro”
Artikulli i radhësShoqëria Civile Kundër Votimit Të PS Për Ballukun