Delegacioni I BE Reagon Pas Votimit Në Kuvend Për Imunitetin E Belinda Ballukut

0

Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar lidhur me votimin e zhvilluar sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku mazhoranca socialiste rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Në reagimin e saj, Delegacioni i BE-së thekson se është në dijeni të rezultatit të votimit të sotëm në parlament, ndërsa rikujton se shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit mbeten elemente thelbësore për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Po ashtu, në deklaratë vihet theksi te rëndësia që institucionet e drejtësisë, në veçanti Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të kenë kushtet e nevojshme për të kryer punën e tyre në mënyrë efektive.

Bashkimi Evropian është në dijeni të rezultatit të votimit të sotëm në Parlamentin e Shqipërisë. Angazhimi ndaj shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit në BE. Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në reagimin e Delegacionit të BE-së.

Reagimi i institucionit europian vjen pas vendimit të sotëm të Kuvendit, ku me votat e mazhorancës u rrëzua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Deklarata e Delegacionit të BE-së konsiderohet si një tjetër sinjal nga partnerët ndërkombëtarë për rëndësinë që ka pavarësia e drejtësisë dhe vazhdimi i luftës kundër korrupsionit në nivele të larta në Shqipëri.

Artikulli i mëparshëmSPAK: Pastrimi I Parave Po Kthehet Në Arkitekturë Të Qëndrueshme Në Shqipëri
Artikulli i radhësI Dënuar Në Itali Për Vjedhje, Ndalohet Në Durrës 42-Vjeçari Me Disa Identitete