Skandali I Analizave Në QSUT: Pacientët Pa Shërbim Pas Datës 20, Ministria Premton Zgjidhje Brenda Vitit

0

Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka pranuar publikisht një problematikë që prej vitesh ka prekur pacientët në Shqipëri: mungesën e shërbimit të analizave laboratorike pas datës 20 të çdo muaji në spitalet publike, për shkak të kufizimeve buxhetore të koncesionarit.

Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Evis Sala deklaroi se kjo situatë po analizohet dhe se do të marrë një zgjidhje përfundimtare brenda vitit. Sipas saj, aktualisht po bëhet mbledhja dhe analizimi i të dhënave për të kuptuar më mirë fluksin dhe për të planifikuar më saktë shërbimin, me qëllim që analiza të mos mungojnë as në datën 20 dhe as në fund të muajit.

Megjithatë, faktet tregojnë një realitet tjetër në terren. Prej disa vitesh, në dhjetëditëshin e fundit të muajit, shërbimi i analizave ndërpritet për shumicën e pacientëve, pasi koncesionari arrin tavanin buxhetor të përcaktuar në kontratë. Në këtë fazë, analizat kryhen vetëm për rastet urgjente, ndërsa pacientët e tjerë detyrohen të presin ose të drejtohen drejt sektorit privat.

Ky shërbim ofrohet që prej vitit 2019 nga një konsorcium ndërkombëtar laboratorik, në bazë të një kontrate me vlerë rreth 13 miliardë lekë, e cila parashikon një mekanizëm monitorimi të shpenzimeve mujore. Sipas kësaj marrëveshjeje, kur arrihet 75% e tavanit buxhetor, koncesionari njofton institucionet, ndërsa pas tejkalimit të këtij limiti, shërbimi kufizohet ndjeshëm.

Reagimet politike nuk kanë munguar. Deputetja Erisa Xhixho e cilësoi situatën si skandaloze dhe të papranueshme, duke theksuar se është e pajustifikueshme që qytetarët të mbeten pa analiza bazë jetike për shkak të mungesës së fondeve. Sipas saj, shëndeti i qytetarëve nuk mund të varet nga një datë në kalendar, ndërsa ndërprerja e ekzaminimeve për arsye buxhetore përbën një alarm serioz për sistemin shëndetësor.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka reaguar duke theksuar se aktualisht nuk ka ndërprerje të plotë të shërbimeve laboratorike në spitalet universitare dhe rajonale. Sipas njoftimit zyrtar, analizat për rastet urgjente vijojnë pa ndërprerje, ndërsa strukturat shëndetësore janë në monitorim të vazhdueshëm për të garantuar cilësinë dhe vijimësinë e shërbimit.

Pavarësisht këtyre deklaratave, problematika mbetet thelbësore: një sistem që funksionon me kufij financiarë të ngurtë, duke vendosur në pikëpyetje aksesin e barabartë të pacientëve në shërbime bazë. Premtimi për zgjidhje brenda vitit mbetet për t’u parë nëse do të përkthehet në ndryshime konkrete apo do të mbetet një tjetër deklaratë në letër.

Artikulli i mëparshëmShqipëria Provon, Por Polonia Shumë E Fortë Në Varshavë
Artikulli i radhësEvis Sala Dhe Edi Rama I Kërkojnë Shqiptarëve Të Sëmuren Para Datës 20 Të Muajit