
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po shndërrohet me ritme të shpejta në një nga pikat më të rëndësishme të transportit ajror në rajon, falë vizionit dhe investimeve të fuqishme të Shefqet Kastratit dhe Kastrati Group, që po e pozicionojnë Shqipërinë në hartën e qendrave moderne të aviacionit në Europën Juglindore.
Në këtë kontekst, vizita e ngarkuares me punë të Shteteve të Bashkuara, Nancy VanHorn, në ambientet e aeroportit, konfirmon rëndësinë ndërkombëtare që ka marrë ky projekt transformues. Ajo u prit nga drejtues të Kastrati Group dhe ndoqi nga afër implementimin e teknologjisë më të avancuar amerikane në sistemet e kontrollit të sigurisë.
Investimi i ri përfshin instalimin e skanerëve të gjeneratës së fundit, të prodhuar në SHBA, të cilët sjellin një ndryshim të menjëhershëm për pasagjerët. Ky modernizim do të rrisë ndjeshëm shpejtësinë e përpunimit në pikat e kontrollit, duke reduktuar radhët dhe kohën e pritjes, ndërkohë që garanton standarde shumë më të larta sigurie.
Ky është një tjetër hap i madh në strategjinë e Kastrati Group, i cili prej vitesh po investon në mënyrë të qëndrueshme për ta kthyer Aeroportin e Tiranës në një hub rajonal konkurrues, të aftë të përballojë rritjen e fluksit të udhëtarëve dhe të tërheqë linja të reja ajrore ndërkombëtare.
Transformimi i aeroportit nuk është vetëm një përmirësim teknik, por një revolucion në përvojën e udhëtimit. Me investime të vazhdueshme në infrastrukturë, teknologji dhe shërbim, Kastrati Group po vendos standarde të reja për industrinë në Shqipëri, duke e bërë Aeroportin e Tiranës një model suksesi në rajon.
Ky zhvillim i fuqishëm konfirmon rolin kyç të sektorit privat shqiptar në modernizimin e vendit dhe në forcimin e lidhjeve strategjike me partnerë ndërkombëtarë, duke i hapur Shqipërisë një epokë të re në transportin ajror dhe zhvillimin ekonomik.
