Ekonomia nën pushtetin e COVID-19 dhe prioritetet qeverisëse… që po çojnë ujë në lavatriçen e pastrimit të parave!

0
Pastrim parash

Pasojat e ndërprerjes së shumë aktiviteteve, si një masë për të frenuar përhapjen e COVID-19 në vend, të ndërmarra nga mesi i marsit, kanë filluar të jenë të dukshme tashmë. Statistikat tregojnë që muaji prill ka qenë më i vështiri në 30 vitet e fundit, ndoshta përveç marsit të 1997-s, me dy treguesit e parë, që tashmë janë publikë, eksportet dhe të ardhurat buxhetore.

Eksportet u tkurrën me 44% me bazë vjetore. Ky sektor, shitjet e të cilit janë sa 31% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ka gati 100 mijë të punësuar, ose një të pestën e totalit në privat. Peshën kryesore e zë industria e tekstileve e këpucëve, që ka më shumë se gjysmën e të punësuarve, ndërsa është dhe grupi më i madh eksportues.

Lexo edhe: ‘Wizz Air’ krijon bazën e re të avionëve në Tiranë: Do të bëjmë udhëtimet të përballueshme për të gjithë

Ky grup shënoi një tkurrje prej 52%, i ndikuar nga varësia e madhe që ka nga shteti fqinj, Italia, dhe fakti që mungesa e mbylljes së ciklit e pengon të diversifikohet në shtetet e tjera të Europës. Në pjesën e mbetur të vitit, operatorët presin që të shfrytëzojnë maksimumi 80% të kapaciteteve, çka do të reflektohet dhe në tkurrjen e fuqisë punëtore. Një ndryshim i modelit të këtij sektori do të ishte zgjidhja në afatin e mesëm e të gjatë.

Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik ishte e natyrshme që do të reflektohej në të ardhurat e buxhetit, të cilat ranë me 30% në muajin prill. Në një situatë emergjente, me mbi 60 mijë të punësuar që kanë dalë nga skema e sigurimeve dhe më shumë se 60 mijë të tjerë që nuk kishin punë për shkak të mbylljes së aktiviteteve, rritja e pagesave sociale ishte lëvizja e duhur, ndonëse kjo çoi në një shumëfishim të deficitit buxhetor. Por, rritja e deficitit buxhetor do të shkaktojë presion për muajt dhe vitet në vijim, teksa sa më pak konkurruese të jetë ekonomia, aq më shumë do ta vuajë borxhin e lartë dhe aq më pak aftësi paguese do të ketë.

Një rënie ekonomike e shkaktuar nga COVID-19, do të ishte e pashmangshme, por parashikimet e institucioneve ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria mund ta ketë më të thellën në rajon (deri në -9% sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim). Pesha e lartë e turizmit është një faktor.

Por, arsye të tjera lidhen me dobësitë strukturore të vendit, si vetëpunësimi sa një e treta e punësimit, produktiviteti i ulët për shkak të sipërmarrjeve të vogla të orientuara në tregti e shërbime, sofistikimi i ulët i sipërmarrjeve, varësia e eksporteve nga një shtet i vetëm, mungesa e vlerës së shtuar dhe shfrytëzimi i krahut të lirë të fuqisë punëtore, si avantazhi i vetëm konkurrues. Këto pengesa, në fakt, dihen dhe pranohen prej kohësh, por tani dukej momenti më i mirë për të reflektuar dhe për të ndërmarrë politika, që do të adresonin problematikat shumëvjeçare.

Përveç një pakete emergjente mbështetëse (që dhe ajo ishte më e ulëta në rajon për pagesat direkte, për shkak të borxhit të lartë dhe të ardhurave të ulëta, që përpara se të fillonte kriza), për momentin nuk po shohim asnjë lëvizje apo politikë, që do të mundësonte një plan rimëkëmbjeje afatshkurtër, por edhe afatgjatë.

Cilat janë prioritetet e qeverisë për momentin? Po i rendisim në një rend kronologjik, sikurse ajo vetë i shpalli.

Së pari, është prononcimi i hapur për përgatitjen e legjislacionit për legalizimin e kanabisit. Kjo mund të kishte qenë një zgjedhje, nëse do të ndërmerrej në një kohë të qetë e ku të mund të debatohej e reflektohej hapur e gjatë në shoqëri, e cila do të prekej nga një vendim i tillë, apo nëse do të ishte ndjekur modeli i kontrolluar i Maqedonisë. Por, tashmë duket thjesht si një sinjal për aktivizimin e grupeve me eksperiencë e që kanë pasur mundësinë të kultivojnë e trafikojnë këtë bimë, edhe në vitet e shkuara, e që në situatën ku ndodhemi e në një mungesë vëmendje të miqve europianë, thjesht do të zyrtarizonte një biznes miliardash, i cili sidoqoftë, në vitet e fundit, nuk duket se i ka sjellë vlerë të shtuar ekonomisë së vendit.

Së dyti, është amnistia, zyrtarisht vetëm për evazionin fiskal dhe paratë e emigrantëve, por, sikurse është diskutuar shpesh, do të jetë shumë e vështirë të shmanget edhe hapja e dyerve për paratë e korrupsionit apo aktiviteteve të jashtëligjshme.

Së treti, është miratimi i ligjit që rregullon kriptovalutat (shteti i tretë në Europë), një hap shumë vizionar në vendin që renditet i fundit në sofistikim, sipas indeksit të konkurrueshmërisë dhe me informalitetin më të lartë në Europë.

Së katërti, por jo më pak i rëndësishmi, pavarësisht rreshtimit, është prishja e Teatrit, në kohën kur vendi dhe mbarë Europa ndodhen nën pushtimin e pandemisë së COVID-19, e kur ligji për gjendjen e jashtëzakonshme është ende në fuqi. Një akt aspak civil, që nga një anë, vetëm sa shërbeu si një shkëndijë për të ndezur tensionet shoqërore e politike të fashitura nga “lockdown i Koronës”, por që nuk arriti të fshehë ambiciet e errëta për zhvillimin e pronave rreth tij.

Këto politika nuk pritet të fashisin aspak sëmundjet e ekonomisë së vendit, përkundrazi, shpërqendrimi i vëmendjes rrezikon të zgjasë më shumë lëngatën edhe kur ky virus të jetë larguar./monitor.al

Artikulli i mëparshëmSa para do të humbin këngëtarët shqiptarë këtë verë
Artikulli i radhësA do të pushohemi nga puna nëpërmjet Zoom?