Kulisat e reformës/Ç’ndodhi për 9 orë pas dyerve të mbyllura të ambasadës së SHBA

0

Pas 9 orësh negociata në ambasadën e ShBA, opozita dhe mazhoranca duket se kanë rënë dakord për një nga pikat e kompromisit, por nuk kanë gjetur dakordësinë për një tjetër.

Pas insistimit të fortë të PD -LSI, Gjiknuri duket se ka pranuar identifikimin elektronik biometrik, që do të thotë, marrja e shenjave të gishtave për çdo votues, hedhja e shenjës në një server kombëtar. Kjo kërkesë e opozitës, që shmang votimin më shumë se një herë, votimin e kryefamiljarit për gjithë familjen, votimin e personave që nuk janë fare në Shqipëri etj, me sa duket është pranuar nga maxhoranca.

Pasi fillimisht përfaqësuesit e PS u mbrojtën me argumentin se nuk mund të realizohej teknikisht, ata u hodhen tek argumenti i dytë se mungonin fondet financiare për ta bërë të mundur këtë. “Këtu ndërhyri ambasadori Soreca tregoi një burim i Lapsi.al brenda takimit. Ai tha se BE mund të siguronte pjesën më të madhe të parave që duheshin për këtë projekt.  Duket se pas këtij propozimi mazhoranca e mbetur pa justifikim u detyrua të pranojë.

Po i njëjti burim prezent në selinë e ambasadës amerikane tregoi se ambasadorja e ShBA, Yuri Kim ishte shumë më pranë qëndrimeve të Ramës, ndërsa Soreca dhe kryediplomati britanik, Duncan Norman, mbanin më shumë krahun e opozitës. Të njëjtat qëndrime u shpërfaqën edhe për pikën e dytë të nxehtë, depolitizimin e administratës zgjedhore.

Kjo qe pika e dytë e ngërçit, ku me sa duket palët nuk gjejnë kompromis. Maxhoranca në draftin e paraqitur, parashikon që të gjitha komisionet zgjedhore, nga qendrat e votimit në Komisionet Zonale Zgjedhore të përbëhen, jo më nga përfaqësues të partive, por nga punonjës të administratës, ose qytetarë që i plotësojnë kriteret për të punuar në administratë.

Zgjedhja e tyre do të bëhet me short nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, procedurë, që, sipas maxhorancës, garanton paanshmërinë e komisoneve jopartiake. Si garanci do të jenë edhe përfaqësuesit e partive, por pa të drejtë votë, vetëm si vëzhgues.

Opozita këmbëngul se punonjësit e administratës nuk mund të quhen jopolitikë, pasi maxhoranca në 7 vjet e ka mbushur atë me militantë. Ndonëse depolitizimi i administratës zgjedhore është një nga kushtet e OSBE-ODHIRIT, opozita pretendon se ekzison edhe një interpretim i tyre ( e ka dokumentin për këtë) ku thuhet se në kushtet aktuale ipmementimi i plotë i deopolitizimit, mund të sjellë probleme. 

Propozimi i maxhorancës është që të ketë Komisionerë Zgjedhor “të pavarur” në çdo qendër votimi, apo Komision Zonal, me kushtin që anëtarët e tjerë, pa të drejtë vote të jenë nga partitë politike. Por opozita insiston se kjo formulë do të pranohet vetëm nëse garantohet 100% identifikimi biometrik elektronik.

Pak a shumë këtë version të ngjarjeve e ka pranuar edhe anëtarja e Këshillit politik Rudina Hajdari që gjendej mbrëmë në bisedimet në ambasadë. “Jemi në mes të një negociate. Administratën zgjedhore e kishin si çështjen më kyç në këtë gjë. Mazhoranca qëndron për depolizitimin e plotë, ndërkohë PD e do të pjesshëm, palët nuk bien dakord si do ta zgjidhin këtë çështje. Kanë rënë dakord për identifikimin biometrik” tregoi ajo.

Ndërsa një burim nga opozita tregoi për Lapsi.al se edhe në këtë pikë gjatë bisedimeve ishin vënë diferenca mes europianëve dhe amerikanëve. “Në një moment situata shkoi deri aty sa ambasadorja Kim mund të dilte me deklaratë që konsensus nuk ka dhe Rama duhet ta votojë reformën qoftë edhe vetëm me votat e veta. Por BE kishte qasje më të butë. Janë bërë shumë ndërhyrje sidomos nga personalitete të larta të Bundestagut, për të shmangur një dështim që përkthehej në një fitore të Ramës” tha burimi nga opozita.

Deri më tani palët kanë mbetur të bllokuara tek depolitizimi i komisioneve ose jo dhe tek formula që ambasadorja Kim ka përkufizuar për këtë ngërç: “ndryshime nga drafti i OSBE-ODHIR mund të bëhen vetëm nëse ka konsensus të plotë mes palëve”. 
Nëse partitë do të arrijnë konsensus për masa që shkojnë përtej rekomandimeve të ODHIR ne do të jemi dakord. Por nëse konsensusi për këto pika që shkojnë përtej rekomandimeve, nuk arrihet atëherë palët duhet të heqin dorë nga këto kërkesa”, nëvizoi ambasadorja Kim.
 

Por, pavarësisht se ka shmangur më të keqen, çifti PD -LSI është tejet larg objektivave që kishte një vit më parë për qeveri tranzitore ndryshim tërësor të sistemit dhe për zgjedhje pa Ramën. Duke qenë se ato nuk i humbën sot, por një vit më parë kur u zbythën nga rruga radikale, tani shpresa e vetme për opozitën është të mos lejojë që të vidhet ditën për diell në zgjedhjet e ardhshme./Lapsi.al

Artikulli i mëparshëmAthina: Greqia ka krijuar “vija të kuqe” ndaj Turqisë
Artikulli i radhësAnaliza në DW/ Qeveria e re e Kosovës, levë për një marrëveshje me Serbinë