Komunikimi mes bizneseve që do të lëshojnë dhe do të marrin fatura elektronike, të përcaktuara në procesin e fiskalizimit, do të kryhet nëpërmjet platformës qendrore të faturave. Sipas vendimit të miratuar në Fletoren Zyrtare, për krijimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e platformës qendrore të faturave elektronike është ngarkuar Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Bizneset që do të lëshojnë dhe do të marrin fatura elektronike janë të detyruar të lidhen dhe të regjistrohen në platformën qendrore të faturave.
“AKSHI, lëshuesit dhe marrësit e faturave elektronike, për qëllime të përdorimit të platformës qendrore të faturave, janë të detyruar të sigurojnë ofrimin dhe mirëmbajtjen e shërbimeve thelbësore për rolin e tyre, në një mënyrë të besueshme dhe profesionale, në përputhje me dokumentacionin dhe specifikimet teknike të shkëmbimit të të dhënave, të publikuara në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, thuhet në vendim.
Komunikimi mes biznesit për faturat elektronike në platformën qendrore, thekson vendimi, do të jetë nëpërmjet vënies në dispozicion të informacionit që disponojnë, në zbatim me rregullat dhe procedurat për mbrojtjen e të dhënave, veçanërisht ato që mbrojnë të dhënat personale dhe përdorin procedurat dhe pajisjet e duhura teknologjike
Në vendim thuhet se do të jetë AKSHI, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, që do të hartojë dhe do të publikojë në faqet e tyre zyrtare të internetit specifikimet teknike të shkëmbimit të të dhënave, specifikimin bazë të përdorimit të faturave e dokumentacionet e tjera, si dhe çdo ndryshim të tyre
Zbatimi i procesit të fiskalizimit do të shtrihet në 5 faza, sipas Ministrisë të Financave, ku fillimisht nga 1 shtator 2020, do të nisë për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatim fitimit me të ardhura vjetore mbi 8 milionë lekë. Në fazën e dytë që nis nga 1 janari 2021, fiskalizimi do të jetë për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatim të thjeshtuar mbi fitimin me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë. Nga 1 janari 2021, për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin me të ardhura vjetore deri në 2 milionë lekë; më 1 janar 2021, për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike; më 1 korrik 2021, për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve.
Si do të kryhet lidhja me platformën qendrore të faturave
Vendimi përcakton se aksesimi i platformës qendrore të faturave dhe shkëmbimi i informacionit ndërmjet AKSHI-t, lëshuesit dhe marrësit të faturave elektronike përmes platformës qendrore të faturave, do të jetë përmes shërbimeve të internetit të SOAP, duke përdorur mesazhe ose përmes portalit Self-Care.
-Për qëllim të vendosjes së një lidhjeje me platformën qendrore të faturave, lëshuesit dhe marrësit e faturave elektronike janë të detyruar të përdorin dy mjedise të ndryshme, ku instalohen dhe shërbehen versione identike të platformës qendrore të faturave:
- a) mjedisi provë/test për qëllimet e trajnimit dhe të verifikimit të programeve
- b) mjedisi i punës për shkëmbimin zyrtar të të dhënave elektronike dhe informacionit. AKSHI i siguron lëshuesve dhe marrësve të faturave elektronike mjediset e provës/testit dhe punës për platformën qendrore të faturave.
-Kushtet për lidhjen e lëshuesve dhe të marrësve të faturave elektronike me mjedisin e punës të platformës qendrore të faturave janë:
- a) kalimi me sukses i skenarëve të testit të detyrueshëm në mjedisin e provës/testit në platformën qendrore të faturave
- b) verifikimi i zgjidhjes software-ike. Vetëm një version i verifikuar dhe i certifikuar i zgjidhjes software-ike mund të përdoret në mjedisin e punës. Zgjidhja software-ike e certifikuar një herë e lëshuesve dhe marrësve të faturave elektronike në mjedisin e provës/testit mund të përdoret për çdo lidhje të mëtejshme me platformën qendrore të faturave në mjedisin e punës
- c) regjistrimi i lëshuesve dhe marrësve të faturave elektronike në platformën qendrore të faturave.
– Lëshuesit dhe marrësit e faturave elektronike janë të detyruar të përdorin certifikata elektronike të lëshuara nga AKSHI për t’u lidhur me platformën qendrore të faturave.
– Certifikatat elektronike përdoren për të krijuar një lidhje të sigurt me platformën qendrore të faturave, për të identifikuar lëshuesit dhe marrësit e faturave elektronike kur shkëmbehen të dhënat në mënyrë elektronike, si dhe për nënshkrimin elektronik të mesazheve në komunikim, ndërmjet AKSHI-t, lëshuesit dhe marrësit të faturave elektronike. Certifikatat elektronike sigurojnë nëse lidhja është vendosur dhe është në përputhje me specifikimet teknike të shkëmbimit të të dhënave, të përmendura në pikën 11, të këtij vendimi.
-Lëshuesit dhe marrësit e një fature elektronike që krijojnë lidhje me platformën qendrore të faturave në një mjedis prove/test dhe/ose pune janë të detyruar të zbatojnë specifikimet e duhura, në përputhje me specifikimet teknike të shkëmbimit të të dhënave, të përmendura në pikën 11, të këtij vendimi, të cilat rregullojnë mënyrën dhe kushtet e aksesimit (hyrjes) dhe të përdorimit të mjedisit të provës/testit dhe punës.