Gjykata Kushtetuese gjermane ka vendosur edhe një herë të hyjë në konflikt me Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Kjo luftë legjitimiteti vë në dyshim seriozisht të ardhmen e Bashkimit Europian, shkruan eseistja Coralie Delaume. Për më tepër, që udhëheqja gjermane në Europë shfaqet gjithnjë e më shumë e dështuar.
*Nga Joachim Imad
Coralie Delaume është eseiste. Ajo ka shkruar Çifti franko-gjerman nuk ekziston (Michalon, 2018) dhe 10 + 1 Pyetjet mbi Bashkimin Europian (Michalon, 2019). Që nga viti 2011, ajo gjithashtu ka drejtuar blogun L’Arène nue (Arena e zhveshur).
Gjykata Kushtetuese gjermane dha një vendim më 5 maj i cili e futi atë në konflikt me Bashkimin Europian. A ishte i pashmangshëm ky konflikt?
Nuk do të hyj në detaje mbi përmbajtjen e gjykimit, sepse ka qenë objekt i artikujve të shumtë. Ajo që mund të themi, megjithatë, është se vendimi i 5 majit i Gjykatës Kushtetuese të Karlsruhe ka dy pasoja të mundshme: juridike dhe ekonomike.
Fillimisht në kuadrin juridik, për sa kohë që Gjykata gjermane qëndron kundër Gjykatës Europiane të Drejtësisë, e cila e pati gjykuar të ligjshme në vitin 2018 “lehtësimin sasior” (quantitative easing) të Bankës Qendrore Europiane (BQE), vendim që vendos në pikëpyetje përparësinë e së drejtës komunitare mbi të drejtën kombëtare. Parimi i përparësisë është i hershëm, ai u vendos nga Gjykata Europiane e Drejtësisë në një vendim të famshëm të vitit 1964, Kosta kundër Enel. Padyshim që Shtetet Anëtare, në atë kohë, nuk ishin në dijeni për shtrirjen e kësaj praktike gjyqësore, sepse asnjë prej tyre nuk protestoi. Por kjo shtrirje është tepër e gjerë.
GJED shkruan në mënyrë të veçantë se “ndryshe nga traktatet e zakonshme ndërkombëtare, Traktati i Romës ka vendosur rendin e vet juridik të integruar në sistemet juridike të Shteteve Anëtare”. Pastaj deklaron se angazhimi europian i shteteve përcjell për ta “një kufizim përfundimtar të të drejtave të tyre sovrane kundër të cilave, një akt i njëanshëm pasues nuk mund të mbizotërojë”.
Shkurt, Gjykata nxjerr të drejtën komunitare nga kategoria e “ligjit ndërkombëtar” dhe shpik një rend të ri juridik, të integruar në rendin juridik kombëtar. Ai e vendos atë në krye të hierarkisë së tyre të normave dhe pohon se asnjë akt i ligjit të brendshëm – edhe më vonë – nuk duhet ta kundërshtojë. Duke vepruar kështu, ai e bën të drejtën komunitare një lloj ligji “kuazi-kushtetues”. Juristët flasin gjithashtu për “kushtetutësimin e traktateve europiane”.
Gjykata e Karlsruhe ishte shprehur tashmë se përparësia e së drejtës komunitare nuk ishte absolute për të.
Është e rëndësishme të njihni gjenezën e parësisë të së drejtës së Komunitetit dhe të dini se është Gjykata e Luksemburgut ajo që vendosi këtë parim. Në fakt, kur ne votuam për Projekt – Traktatin e Kushtetutës për Europën (TKE) në 2005, pra “kuazi-kushtetuta” ishte tashmë aty. Thënë kështu, parimi i përparësisë vlen vetëm nëse gjykatat kombëtare bien dakord. Kjo do të thotë, nëse ato janë dakord, kur gjykojnë diçka, ta zbatojnë atë në mënyrë rigoroze. Në Francë, u desh kohë. Gjykata e Kasacionit e bëri këtë vetëm në 1975 (me vendimin e Société des Cafés Jacques Vabre) dhe Këshilli i Shtetit në 1989 (Vendimi Nicolo).
Meqenëse po flasim për TKE, duhet të flasim tani për klonin e tij, Traktatin e Lisbonës dhe se si u prit në Gjermani. Pritja e saj me të vërtetë hedh shumë dritë në vendimin e 5 majit. Edhe nëse sot ekziston një ngurtësim i dukshëm, Gjykata e Karlsruhe ishte shprehur më parë se përparësia e së drejtës komunitare nuk ishte absolute për të. Në vitin 2009, gjyqtarët e Karlsruhe studiuan Traktatin e Lisbonës për të kontrolluar përputhshmërinë e tij me ligjin themelor gjerman.
Atëherë, ata morën një vendim mjeshtëror, vendimi “Lisbon”, një lloj reflektimi i gjatë filozofik mbi atë çka është një popull, një shtet, mbi çka është sovraniteti. Ata kujtojnë se edhe pse ka disa karakteristika të caktuara, BE nuk është një shtet federal, por një organizatë ndërkombëtare. Ata ngulin këmbë në faktin se nuk ka asnjë popull europian si burim legjitimiteti dhe paralajmërojnë se federalizimi nuk mund të bëhet “me dinakëri”, por që një “hedhje federale” mund të ndërhyjë vetëm në vijim të një vendimi të qartë të popullit gjerman për t’u vetëshpërbërë në më të gjerën.
Ky konflikt i legjitimitetit duhet të vendoset midis Gjykatës së Karlsruhe dhe Bankës Qendrore Europiane në kontekstin e “luftës së fjalës së fundit” siç e përshkruan Alain Supiot.
Në lidhje me epërsinë e së drejtës komunitare, vetëm një aneks i Traktatit të Lisbonës e parashikon, Gjykata e Karlsruhe paralajmëron se “Republika Federale e Gjermanisë nuk e njeh epërsinë absolute të zbatimit të së drejtës së Bashkimit” dhe se kjo epërsi mbaron aty ku fillon “identiteti kushtetues” i shteteve.
Prandaj Gjykata e Karlsruhe i jep ndonjëherë të drejtën vetes që të përjashtojë zbatimin e së drejtës europiane (“nuk është në kundërshtim me objektivin e hapjes karshi së drejtës europiane, domethënë me pjesëmarrjen e Republikës Federale Gjermane në realizimin e një Europe të bashkuar (…) vetëm në raste të veçantë dhe në kushte të caktuara strikte, Gjykata Federale Kushtetuese mund të shpallë të drejtën e Bashkimit Europian të paaplikushëm në Gjermani”) dhe të kundërshtojë GjED nëse është e nevojshme (“Gjithsesi, Gjykata Kushtetuese Federale nuk mund të njohë karakterin përfundimtar të vendimeve të Gjykatës së Drejtësisë vetëm në parim”).
Me pak fjalë, jemi paralajmëruar prej një kohe të gjatë tashmë që Gjykata e Karlsruhe kishte të ngjarë të binte ndesh me Gjykatën europiane të Drejtësisë?
Po, dhe e bëri këtë më 5 maj kur vlerësoi se jurisprudenca e GJED mbi veprimin e Bankës Qendrore Europiane nuk shkonte. Pavarësisht nga përmbajtja e këtij vendimi dhe fjalët shumë të ashpra që ai përmban (gjyqtarët gjermanë e përshkruajnë gjykimin e GJED si “të pakuptueshëm” dhe “arbitrar”, gjë që është jashtëzakonisht e rrallë), prandaj duhet të vendosim këtë konflikt ligjshmërie në kontekstin e “luftës së fjalës së fundit” midis juridiksioneve që Alain Supiot i ka studiuar për një kohë të gjatë.
Sepse këto janë dy legjitimitete në konflikt. Ajo e Gjykatës Kushtetuese Gjermane nga njëra anë, e lindur nga dispozitat e ligjit themelor gjerman që e krijojnë dhe rregullojnë atributet e tij. Dhe e GJED-së nga ana tjetër, e cila ka rregulluar disi vetë kompetencën e saj mbizotëruese, pasi është vetë ajo që vendosi për epërsinë e ligjit europian dhe që, duke bërë këtë, ajo – u vetëvendos – me praktikë të thjeshtë gjyqësore – në Gjykatën Supreme.
Legjitimiteti i Gjykatës së Karlsruhe nuk ka asnjë krahasim me atë të BQE-së.
Juristi Guillaume Grégoire kohët e fundit shkroi në një gazetë: “Ne gjendemi në një situatë Kafkiane ku një institucion i pavarur dhe teknokrat (gjyqtari kushtetues gjerman) ligjëron, në emër të parimit demokratik, një tjetër institucion të pavarur dhe teknokrat (gjykatësi europian) pasi nuk ka kontrolluar sa duhet një organ të tretë të pavarur dhe teknokrat (bankierin qendror). “Jam dakord pjesërisht, por vetëm pjesërisht”. Për shembull, është e vërtetë që ky konflikt trekëndësh me rëndësi të madhe u shpëton parlamenteve. Nuk i intereson shumë.
Për mendimin tim, mbetet fakti që Gjykata e Karlsruhe dhe GJED nuk mund të vendosen në të njëjtin nivel. Legjitimiteti i së parës është i pakrahasueshëm me atë të së dytës, duke qenë GJED (si dhe BQE), një entitet federal pa një shtet federal tek i cili mund të mbështetet dhe që, për këtë arsye, “noton” pak në boshllëk. Ky nuk është rasti me gjykatën e shumë respektuar në Karlsruhe në Gjermani. Thjesht duhet të shihni vendin që zë presidenti i tij në protokoll gjatë ceremonive për shembull.
Për më tepër, gjykata në fjalë asnjëherë nuk ka reshtur, në vendimet e saj, së zgjeruari kompetencat e Bundestagut për çështjet europiane. Me vendimin e “Lisbonës”, ai i imponoi që këta të fundit të kenë më shumë zë. Kjo është arsyeja pse ne ndonjëherë shohim Angela Merkel, në mbledhjet e krerëve të shteteve dhe qeverive, e cila “ndërpret” diskutimet për t’i raportuar Parlamentit të saj.
Në lidhje me aspektin ekonomik, cilat do të jenë pasojat e vendimit të Karlsruhe?
Para së gjithash, duhet të theksohet se duke kritikuar politikat e ndjekura nga BQE, Gjykata gjermane po sulmon një kompetencë ekskluzive të BE-së, politikën monetare. Kjo është diçka e re. Por nëse e bën, kjo është për shkak se konsideron që BQE tejkalon të drejtat e saj, se ajo ndërhyn jo vetëm në politikën monetare, por edhe në politikën ekonomike.
Gjykata Kushtetuese Gjermane po sulmon gjithashtu pavarësinë e BQE-së.
Gjykatësit gjermanë besojnë se BQE nuk vepron në përputhje me “parimin e proporcionalitetit”, sipas të cilit veprimi i BE-së duhet të kufizohet në atë që është e nevojshme për të arritur objektivat e përcaktuara nga traktatet. Meqenëse objektivi i vendosur nga BQE për traktatet është para së gjithash për të kontrolluar inflacionin, ai nuk duhet të shkojë më tej se kaq. Sidoqoftë, lehtësimi sasior ka më shumë pasoja globale ekonomike, të cilat tejkalojnë çështjen e vetme të inflacionit. Në veçanti, ajo ka implikime për politikën fiskale të disa shteteve, pasi i lejon ata të financojnë veten me norma më të ulëta sesa do të përfitonin “vetë” në treg.
Duke filluar nga këtu, shtrohen dy pyetje. Së pari, a duhet të kufizohet politika monetare në mbajtjen e ulët të inflacionit? Në një botë ku nuk ka më inflacion, pyetja ia vlen të shtrohet. Në çdo rast, asnjë bankë qendrore nuk po e bën këtë sot. Së dyti, si të vendosim kufirin midis politikës monetare dhe asaj ekonomike? Është shumë subjektive. Po, sigurisht, lehtësimi sasior ka një ndikim pozitiv buxhetor për disa shtete, pasi u lejon atyre të marrin hua pa u shembur nën shumën e interesit. Nëse e bën, është pikërisht për këtë arsye!
Duke thirrur BQE të justifikojë brenda tre muajve që ajo respekton parimin e proporcionalitetit, Gjykata Kushtetuese po sulmon edhe pavarësinë e BQE-së…
Po, dhe kjo duket paradoksale sepse fakti që BQE-ja është e pavarur i detyrohet shumë faktit që është ndërtuar mbi modelin … e Bundesbank. Pavarësia e Bankës Qendrore dhe Gjykatës Kushtetuese janë me të vërtetë shtylla të modelit aktual gjerman, i cili u krijua për të mbrojtur disa gjëra nën strehën e politikës pasi nazizmi tregoi se deri ku mund të çojë plotfuqia e qeverisë. Dhe fakti që Gjermania pranoi krijimin e euros i detyrohet shumë faktit që ajo ishte projektuar fillimisht mbi modelin e Markut.
Euro ka reshtur së qeni një monedhë gjermane.
Pikërisht këtu vret këpuca. Euro ishte një monedhë gjermane, nuk është më. Ajo rreshti së qeni e tillë që nga momenti kur filloi të vendosi mjete heterodokse të politikës monetare për të shpëtuar euron. Këto mjete, gjithmonë kanë bërë që zyrtarët gjermanë të bërtasin. Duhet të kujtojmë vetëm dorëheqjen e kryeekonomistit të BQE Jürgen Stark në shtator 2011, dhe atë të shefit të Bundesbank, Axel Weber, disa muaj më pas (prill 2011).
Në të njëjtën mënyrë dhe për të njëjtat arsye, Banka Qendrore Europiane ishte një bankë qendrore “gjermane”, por nuk është më. Kjo është arsyeja pse Jens Weidmann, kreu aktual i Bundesbank, ishte anëtari i vetëm i bordit drejtues që votoi kundër programit OMT gjatë kohës së Mario Draghi. Ai është në një situatë jo shumë të rehatshme. Ndoshta do të jetë ai që duhet t’u shpjegojë gjyqtarëve kushtetues të vendit të tij që BQE respekton mirë mandatin e saj dhe vepron në përputhje me parimin e proporcionalitetit. Ai, që mbështeti të gjitha veprimet ligjore kundër politikës monetare të Draghi …
Në këtë kontekst, BQE, e cila sapo ka njoftuar një breshëri të blerjeve të borxhit sovran për t’i bërë ballë krizës COVID-19, mund ta vazhdojë ajo veprimin e saj?
Kjo është e gjithë pyetja. Pavarësisht nga të gjitha kritikat që i bën, Gjykata e Karlsruhe konsideron që këto blerje borxhesh mbeten të ligjshme për sa kohë që mbeten disa kufij të caktuar, përkatësisht respektimi, gjatë blerjeve, i peshës përkatëse të Shteteve të ndryshme në kapitalin e BQE-së dhe fakti që mos tejkalohet 33% i borxhit të secilit vend emetues.
Sidoqoftë, siç shkruan Sébastien Cochard, që programi i ri (PEPP-ja) të jetë efektiv, BQE duhet të kapërcejë këto kufij. Cochard vëren se që nga marsi, ajo ka blerë kryesisht tituj italianë dhe francezë, por asnjë gjerman. Çelësi i shpërndarjes në përpjesëtim me peshën e secilit vend nuk respektohet më. Kufiri i dytë (ai prej 33% për shtet) gjithashtu duhet të kalohet shpejt pasi shifra prej 40% duhet të tejkalohet në vjeshtën e vitit 2020 për Italinë dhe Francën. Kështu që toni do të rritet, është e pashmangshme. Që tani po fillon të rritet. Një nga gjykatësit gjermanë, Peter Huber, sapo ka pohuar se BQE nuk duhet të “konsiderojë veten mjeshtër të universit“.
A tregon ky vendim fundin e zonës së euros siç thonë disa, apo përfundimin e Europës gjermane?
Opsionet e mundshme tregojnë gjithë kuadraturën e rrethit. Opsioni 1: Gjermania ka sukses, me anë të ukazave[1], në “ri-gjermanizimin” e euros. Por kjo do të nxjerrë jashtë vendet e Jugut që kanë vuajtur jashtëzakonisht shumë nga ekzistenca e “Euromark” dhe të cilat nuk janë më në gjendje ta mbështesin këtë regjim. Po mendoj mbi të gjitha Italinë, një vend me borxh të madh, prodhimi industrial i së cilës ra me 19% në më pak se 20 vjet (2000-2018). Euroskepticizmi tani po thyen rekorde atje, shpesh është ndier sikur është braktisur nga Europa dhe normat e interesit për borxhin e saj janë ngjitur sapo dihet gjykimi i Karlsruhe.
Pyes veten se cila nga Gjermania apo Italia do t’i japë fund Eurozonës.
Opsioni 2: Drejtuesit gjermanë vendosin që Gjermania duhet të pranojë të heqë dorë nga ajo që është. Ky është opsioni i krahut centrist të së djathtës gjermane, opsioni Merkel. Kancelarja sapo ka thënë se ishte e nevojshme të shkohej drejt një zone më të integruar të euros dhe duke u rreshtuar kundër raportit të gjykatësve të Karlsruhe. Por atëherë, mendimi do të ngurtësohet dhe e djathta do të bëhet më e djathtë, më ordoliberale [2], dhe do të vazhdojë të fuqizohet. Një e drejtë, e cila padyshim mendon në zemrën e saj se Gjermania ka demonstruar epërsinë e modelit të saj ekonomik, se sapo ka treguar epërsinë e saj në menaxhimin e krizës shëndetësore dhe se në fund të fundit, ajo nuk ka më nevojë për Europën aq shumë (për të cilën ajo gabohet).
Së fundmi, pyes veten se cila nga Gjermania apo Italia do t’i japë fund Eurozonës. Ndoshta të dyja, ndoshta bashkëveprimi i tyre, i pari duke mos ditur më atë që dëshiron, duke ushtruar gjithnjë e më shumë një udhëheqje të dështuar në Europë dhe përfundon duke e nxjerrë jashtë të dytën (Italinë).
Burimi: Le Figaro
————-
[1] Vendimi autoritar, arbitrar dhe i formës së prerë, në Rusi
[2] Ordoliberalizmi është varianti gjerman i liberalizmit ekonomik që thekson nevojën e shtetit të sigurojë që tregu i lirë të prodhojë rezultate afër potencialit të tij teorik