Drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), Constantin von Alvensleben, i emëruar në gusht të vitit 2019, ka përshkallëzuar konfliktet mes TIA-s dhe kompanive private që operojnë në aeroport, duke krijuar kaos, përplasje dhe bllokadë në Rinas, për shkak të disa akteve të dyshimta, të njëanshme dhe të rrëzuara nga gjykatat si të paligjshme. Tre ditë më parë, TIA bëri një deklaratë publike, ku shprehte shqetësimin për disa vendime gjykate në favor kompanisë A&A Group, për operimin e kafeve dhe dyqaneve në aeroport. Sipas TIA-s, gjykata po merr vendime të njëanshme dhe jo profesionale, duke bllokuar ringritjen e dyqaneve dhe bareve të reja në shërbim të pasagjerëve, si dhe duke dëmtuar klimën e biznesit. TIA me në krye Alvensleben pretendon se subjekti A&A Group po uzurpon aeroportin përmes vendimeve të gjykatave.
Po si qëndron e vërteta e këtij konflikti?
Së pari, nuk rezulton që kompania A&A Group të këtë ndonjë konflikt apo kontrate me TIA. Kjo komani për të cilën TIA pretendon në deklaratën e vet, s’ka asnjë lidhje kontraktuale me koncesionarin e aeroportit. Ndërsa Tirana International Airport (TIA) dhe shoqëria A&A Airport Shpk., pra një tjetër subjekt, kanë lidhur një kontratë për zhvillimin e aktivitetit bar restorant dhe dyqane në zonat ajrore dhe tokësore të aeroportit, konkretisht për dy dyqane dhe dy bare.
Kjo kontratë duhet të mbaronte në 30 prill të këtij viti, por kontrata e firmosur nga të dy palët ka një pikë, nenin 18, i cili parashikon shtyrjen automatikisht të afatit mbarimit, në rast të situatave emergjente dhe jashtëzakonshme, të diktuara nga forca madhore.
Neni 18 i kontratës parashikon që ‘në rast epidemie apo murtaje e cila prek ambientet e aeroportit në formë të drejtpërdrejtë apo jo, marrëveshja e koncesionit do të zgjatet për afatin e ngjarjes të forcës madhore’.
Në rastin konkret, mbarimi i kontratës mes TIA dhe A&A Airport ka përkuar me periudhën e kulmit të epidemisë covid-19. Për shkak të masave të ndërmarra nga qeveria shqiptare lidhur me parandalimin e përhapjes të COVID-19, A&A Airport është detyruar të mbylle të gjitha aktivitetet e saj të zhvilluara sipas marrëveshjeve të koncesionit.
Bazuar në nenin 18 të kontratës, A&A Airport i është drejtuar TIA-s me kërkesën e aplikimit të kushteve kontraktore, të cilat i japin të drejtën A&A Airport të vijoje aktivitetin për periudhën që është penguar nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19.
Kjo kërkesë është refuzuar nga TIA, me anë të një letre që mban datën 13 prill 2020, duke injoruar detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet e koncesionit, pasojat e pandemisë covid-19, pasojat e masave kufizuese të vendosura nga autoritetet e shtetërore si dhe frymën e bashkëpunimit midis bizneseve që duhet të ekzistojë në kohëra të vështira.
Në datën 28 prill 2020, TIA i kërkon kompanisë A&A Airport që të lirojë ambientet në aeroport deri në datën 7 maj 2020. Përmes një shkrese që mban firmën e drejtorit Constantin von Alvensleben, ky i fundit njofton kompaninë A&A Airport se nuk e njeh klauzolën e forcës madhore dhe kërcënon se pas datës 7 maj TIA do t’i boshatisë vetë ambientet ku ushtronte aktivitetin tregtar A&A Airport.
Vihen në lëvizje gjykatat
Në këto rrethana, kompania A&A Airport i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me kërkesën e sigurimit të padisë, për të detyruar TIA-n për zbatimin e kontratës. Kërkesa paraprake nuk është pranuar nga gjykata, në datën 8 maj 2020. Po në këtë datë, pra në datën 8 maj 2020, A&A Airport i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me një kërkesë-padi themeli për rrëzimin e afatit të përfundimit të marrëveshjes me TIA-n për shkak të ndërprerjes së veprimtarisë nga covid-19 për aktivitetin tregtar në aeroport.
Kjo kërkesë padi është aktualisht në proces shqyrtimi.
Ndërkaq, në datën 6 maj, një ditë para afatit të paralajmëruar, Constantin von Alvensleben fillon të boshatisë me ndihmën e kompanisë ‘FMS’ dyqanet dhe lokalet në Rinas. Përfaqësuesit e kompanisë A&A Airport kanë bërë menjëherë kallëzim penal në polici ndaj drejtorit të TIA Alvensleben për vetëgjyqësi dhe përdorimin e forcës për lirimin e ambienteve. Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes se policisë dhe njoftimit të z. Alvenslebenit nga ana e tyre që një veprim i tillë është i dënueshëm si pas Kodit Penal, Costantin von Alvensleben dhe përfaqësuesit e TIA-s kanë vazhduar të boshatisin sërish ambientet në datën 13 maj.
Po në këtë datë, përfaqësuesit e kompanisë A&A Airport kanë bërë tjetër kallëzim penal në polici ndaj Alvensleben për vetëgjyqësi dhe dëmtim prone. Duke u ndodhur në këto kushte, për të ndaluar TIA-n në boshatisjen me forcë të dy dyqaneve dhe dy bareve, kompania A&A Airport i është drejtuar Gjykatës së Krujës, gjykate kjo kompetente pasi si selia e Tirana Airport ashtu dhe ajo e operatorit A&A Airport ndodhen ne Airportin e Rinasit. Në datën 15 maj 2020, gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha ka pranuar kërkesën e &A Airport, duke urdhëruar TIA-n që të mos bëjë asnjë veprim deri kur Gjykata të shprehej me themel për zgjidhjen e konfliktit.
Arsyeja se pse kompania A&A Airport i është drejtuar fillimisht Gjykatës së Tiranës dhe më pas të Krujës, ka të bëjë me faktin se në kontratën me TIA-n kanë rënë dakord që mosmarrëveshjet t’i zgjidhin në Gjykatën e Tiranës. Ndërkaq, mosmarrëveshjet e tjera zgjidhen në Gjykatën e Krujës, për shkak se Aeroporti i Rinasit mbulohet nga kjo gjykatë. Në këto rrethana, deklarata e TIA-s ku shpreh shqetësimin për vendimet e gjykatave dhe klimën e biznesit, duket më shumë një lëvizje taktike për të mbuluar shkaktarët e vërtetë të konfliktit.