Yura: “Kemi nisur prodhimin provë në Fier, problem korrupsioni”

0

Lucas Nam, Përfaqësuesi i “Yura Corporation” në Shqipëri

Pavarësisht kohëve të vështira që po jetojnë bizneset në kohën e COVID-19, duket se një pjesë e tyre kanë vendosur të çojnë deri në fund planet e investimit. “Yura Corporation”, që ishte në fazën e ndërtimit të fabrikës në zonën e Fierit në muajin mars, tashmë e ka përfunduar atë dhe ka nisur prodhimin provë.

Lucas Nam, përfaqësuesi i “Yura Corporation” në Shqipëri, tha se tregu global për industrinë automotive është prekur jo pak nga situata e koronavirusit dhe viti tjetër pritet të jetë sërish i zymtë. Ai theksoi se fabrika e Fierit do të punojë me kapacitet të plotë sipas planit fillestar të rënë dakord me qeverinë shqiptare, dhe se përmirësimi i klimës së biznesit është kyç në kushtet kur burokracia dhe korrupsioni janë fenomene që dekurajojnë investitorët.

Si po shkojnë gjërat për “Yura”-n në Shqipëri aktualisht. Në çfarë faze jeni sa i takon ndërtimit të fabrikës?

Ndërtimi i fabrikës në zonën e Fierit tashmë ka përfunduar. Po përgatisim dokumentet që na lejojnë të marrim autorizimet e nevojshme për përdorimin e saj.

Po sa i takon punësimit? A keni rifilluar rekrutimet apo po prisni për të parë sesi do të vijojë situata?

Procesi i punësimit të punonjësve të rinj ka rifilluar që në mes të majit. Kemi një konfirmim nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë për të rinisur procesin e punësimit. Deri më tani kemi mbi 500 të punësuar (rreth 60% e planit të plotë të punësimit).

Situata me COVID-19 ka krijuar një dëm të madh globalisht dhe kompanitë e mëdha po rishohin planet e tyre të investimit. A është “Yura” një ndër to, nëse vlerësojmë planet e saj për Shqipërinë apo do t’i mbeteni besnik planit fillestar të biznesit pavarësisht situatës?

Po, ne do të vazhdojmë me planin tonë fillestar të cilin e kemi bërë të ditur edhe më parë. Është e vërtetë që situata e tregut aktualisht nuk është shumë e mirë. Ne mendojmë se ndoshta edhe viti tjetër nuk do të jetë edhe aq i mirë. Por si fabrika e parë në Shqipëri, ne duam që ta realizojmë biznes- planin për të testuar fuqinë punëtore, produktivitetin, cilësinë dhe logjistikën.

Po sa i takon prodhimit. Kur pritet të filloni dhe a ka ndonjë reduktim në raport me atë që kishit parashikuar më herët?

Ne tashmë kemi nisur me prodhimin provë. Do të instalojmë të gjithë makineritë dhe mjetet e nevojshme sipas planit që kemi pasur me kapacitet të plotë dhe pa ndonjë reduktim.

Cilat janë disa nga sfidat që shihni këtu në Shqipëri pas “karantinës” dhe rihapjes së ekonomisë e lidhur kjo me burokracinë dhe procedurat në institucione, klima e biznesit apo kuadri ligjor?

Ka disa probleme me burokracinë dhe korrupsionin që po i hasim tani. Mendoj se duhet të përmirësohet herët ose vonë kjo pjesë, për hir të një industrializimi më të lartë të Shqipërisë.

Çfarë qasje mendoni se duhet të ketë Shqipëria lidhur me hapat që duhet të marrë për të pasur rritje të flukseve hyrëse nga Investimet e Huaja Direkte?

Shqipëria ende nuk ka një sistem mbështetës të Investimeve të Huaja Direkte që të veprojë si një i vetëm, që bashkon jo vetëm pjesën financiare, por edhe procesin e administrimit pra si një shërbim “one stop shop”. Ndaj do të ishte efikase që të promovohej një sistem i tillë për tërheqjen e IHD-ve nga ana e Shqipërisë në një moment si ky./monitor.al

Artikulli i mëparshëmTeknologjia, 5G dhe Shqipëria
Artikulli i radhësPandemia përgjysmon prodhimin e birrës vendase