12 këshilla nga ekspertë karriere për të qenë të lumtur në punë

0

40 orë në punë nga 168 të tilla në një javë, është thuajse një e katërta e javës. Është e natyrshme që të doni t’i bëni këto orë sa më të këndshme. Por jo të gjithë janë të lumtur në vendin e punës. Teem, shoqëri analizash software dhe të vendit të punës, e blerë nga WeWork – në vitin 2018, ka kryer disa kërkime mbi temën në fjalë.

Sipas Teem Employee Happiness Survey të vitit 2017, e kryer te 1300 punonjës amerikanë, 48% e të anketuarve u përgjigjën se janë të palumtur ose vetëm “pak të lumtur” në punë, 8% më shumë krahasuar me raportin e 2016-s.
Ndër faktorët e përmendur janë ekuilibri i brishtë jetë profesionale – jetë personale (48%), ndjesia e mosvlerësimit (46%) dhe ndjesia e të qenët i detyruar për t’ju përgjigjur vazhdimisht kolegëve në aplikacione të ndryshme komunikimi (49%).

Në një sondazh të fundit në vitin 2019, me 8500 profesionistë në sektorë të ndryshëm në nivel kombëtar, CNBC në bashkëpunim me Survey Monkey, zbuluan se 85% e të anketuarve janë mjaft ose shumë të kënaqur me punën, edhe pse 30% kishin marrë në konsideratë të linin punën në tre muajt e ardhshëm.

“Puna mund t’ju stresojë shumë, po kjo nuk do të thotë se nuk mund të jeni të lumtur” – tha Zach Holmquist, bashkëthemelues dhe drejtues i Teem. “Mund të jetë e vështirë për t’u arritur, por është e rëndësishme si për punonjësit edhe për punëdhënësit. Për të shmangur ‘burnout’ dhe për të rritur krijimtarinë dhe produktivitetin, sigurohuni që të punoni në një mjedis ku mund të rriteni”.

Në këtë artikull, Holmquist dhe 11 ekspertë karriere japin këshillat e tyre se si të jeni më të lumtur në punë.

1. Vini në vend të parë rritjen profesionale

Ashtu si shumë përvoja në jetë, lumturia në punë nis nga mënyra se si e shihni pozicionin dhe njerëzit me të cilët punoni. Lumturia në punë është të dish se mund të rritesh dhe të mësosh në kompaninë për të cilën punoni.

*Jillian Seijo, drejtuese burimesh njerëzore në Develop Intelligence

2. Zbuloni se çfarë ju motivon

Shumë njerëz janë të palumtur në punë pasi nuk kanë zbuluar se çfarë i motivon – nuk arrijnë t’i gjejnë një kuptim punës apo ta lidhin me grupin e tyre. Mendoni së pari se çfarë nënkuptoni me të qenët i shpërblyer, i suksesshëm dhe i kënaqur, dhe zbuloni se si lidhet kjo me punën tuaj. Ndoshta ka një shkëputje mes asaj që ju motivon me të vërtetë dhe mënyrës se si lidheni me projektet që i përkushtoheni dhe grupeve në të cilat jeni përfshirë.

*Kira Nurieli, themeluese dhe drejtuese e Harmony Strategies Group

3.Bëni një analizë se si i shpenzoni energjitë dhe ndryshoni zakonet

Në tri ditët e ardhshme, shkruani të gjitha aktivitetet në punë dhe jo vetëm dhe shihni se cilat ju japin kënaqësi. Pas tri ditësh, rilexojini ato dhe bëni një bilanc. Reflektoni se çfarë ndryshimesh mund të bëni, për t’u ndier më mirë.

*Sarah Greenberg, psikoterapiste dhe drejtuese në BetterUp

4.Bëni pauza 10 – 15 minuta

Kushtojini vetes 10 – 15 minuta gjatë ditës – meditoni, bëni një shëtitje, ushtrime fizike, dëgjoni muzikë. Gjetja e pak “kohe për veten” mund t’ju rikthejë entuziazmin për punën dhe të largojë stresin.

*Penelope Brackett , drejtuese në Ricesmart.

5. Ruani “një smile file”

Mos e krahasoni veten me të panjohur në internet dhe kujtoni vazhdimisht sukseset që keni arritur, realizimet dhe falënderimet që keni marrë nga njerëz realë.

*Lauren McGoodwin, themeluese e Career Contessa

6. Kujtojini vetes se çfarë ju pëlqen në kompaninë ku punoni

Kthehuni pas në kohë dhe kujtoni arsyen se pse prisnit me padurim të nisnit punë në këtë kompani. Shpeshherë jemi ekzaltuar për fillimin e një pune të re, por me kalimin e kohës, akumulimin e stresit, harrojmë atë çka na entuziazmonte në fillim.

*Esther Gonzalez Freeman, eksperte karriere dhe themeluese e E Powered Media

7. Disiplinoni pushimin dhe ekuilibrin

Nuk mund të pimë një gotë bosh. Për të qëndruar aktivë, produktivë, të përfshirë e më të lumtur në punë është e rëndësishme të kujdeseni për veten, jepini përparësi gjumit, hidratimit, ushqimeve dhe ushtrimeve fizike- janë elemente thelbësore për t’ia dalë të jeni të lumtur në punë.

*Shefali Raina, executive coach në Nju Jork

8. Mos qëndroni të lidhur 24 orë në 7 ditët e javës

Me përjashtim të ndonjë emergjence apo ndonjë rrethane unike, punonjësit nuk duhet të qëndrojnë kurrë të lidhur 24 orë në 7 ditë, dhe as janë të detyruar ta bëjnë këtë gjë. Kompanitë nuk kanë nevojë për këtë gjë dhe, ç’është e vërteta, as që duhet të krijojnë një mjedis që nxit një grup “gjithnjë aktiv”. Ajo për të cilën kanë nevojë janë punonjës të lumtur.

*Zach Holmquist, ish-themelues dhe drejtues i workplace experience në Teem, e blerë në 2018 nga WeWork.

9. Krijoni rrjetin tuaj

Disa prej marrëdhënieve më të bukura në jetën tonë lindin në punë. Kemi nevojë për miq, mentorë, këshillues dhe
mbështetës me të cilët të shkëmbejmë mendime, për të marrë këshilla nga ekspertë, për lindjen e ideve të reja, për t’u ngushëlluar, për të na ndihmuar në kërkimin e zgjidhjeve, për të shkarkuar emocionet negative apo për të festuar në fund të javës.

*Deena Baikowitz, drejtuese në Fireball Network.

10. Reduktoni kohën që kaloni me kolegët negativë

Disa njerëz me siguri do të ankohen në punë dhe do të bëjnë thashetheme në zyrë, por nuk do të largohen kurrë. Reduktoni kohën me kolegët negativë dhe kalojeni atë me njerëz pozitivë. Këto janë marrëdhëniet që duhet të kultivoni, të cilat do t’ju sjellin përfitime në të ardhmen.

*Rebecca Gebhardt, themeluese dhe këshilltare në Rise Up Consulting

11.Flisni më shpesh me drejtuesit

Mënyra më e mirë për të qenë të lumtur në punë është të flisni me drejtuesin tuaj më rregullisht. Edhe pse në fillim mund të ndiheni në siklet, biseda me drejtuesin do t’ju ndihmojë– zbuloni se për çfarë interesohen, çfarë dëshiron që të bëhet dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar.

*Dave Lane, Inventiv

12.Largojeni idenë kjo është “e drejtë” përkundër “e gabuar”

Opinionet dhe emocionet tuaja vlejnë, po ashtu edhe ato të personit që keni përballë. Vini mënjanë egon dhe formimin tuaj – kjo do të thotë të shfaqni durim me atë që e mendon ndryshe nga ju. Merrni frymë thellë dhe mendoni para se të flini.

*Steven Dinkin, president i National Conflict Resolution Center

Artikulli i mëparshëmLinkedIn / 10 profesione që nuk kanë nevojë për diplomë universitare
Artikulli i radhësInvestimi më i mirë që mund të bëni për karrierën tuaj