Kompanitë si Coca-Cola, Adidas, Ford dhe Lego po bojkotojnë Facebookun këtë muaj, duke tërhequr reklama nga rrjeti social në Shtetet e Bashkuara. Disa kompani reklamash janë pjesë e një bojkoti të organizuar për të detyruar kompaninë Facebook që të bëjë më shumë në ndalimin e gjuhës së urrejtjes, teoritë konspirative dhe dezinformatat në faqen e saj për temat si votimi. Facebook është përgjigjur duke njoftuar se ka bërë disa ndryshime, por a do të jenë ato të mjaftueshme?
Qindra kompani thonë se ato nuk do të reklamojnë në Facebook dhe Instagram, në korrik, si pjesë e një fushate të quajtur Ndalni Fitimet nga Urrjetja (Stop Hate for Profit). Qellimi i fushatës është të detyrojë presidentin e Facebookut, Mark Zuckerberg që të trajtojë efektet negative të Facebookut në shoqëri, thotë Jim Steyer, shefi ekzekutiv dhe themeluesi i organizatës Common Sense Media, dhe një nga mbështetësit e bojkotimit.
“Ata janë duke forcuar gjuhën e urrejtjes, mesazhet raciste, mesazhet e supremacistëve të bardhë, të gjitha llojet e dezinformatave dhe reklamat e pandershme politike. Kështu që ne u kërkuam kompanive të mëdha të Amerikës që shfaqin reklama në Facebook që mos ta bëjnë këtë për të paktën një muaj.”
Kërkesat e bojkotuesve për zotin Zuckerberg përfshijnë forcimin e kontrolleve kundër gjuhës së urrejtjes dhe shtimin e përpjekjeve për heqjen nga platforma të fushatave dezinformuese, veçanërisht ato që lidhen me votimet. Të gjitha këto ndryshime mund të bëhen nga Facebooku.
“Është në interesin e tyre të bëjnë ndryshime të vogla. Ata nuk duan të fajësohen për dikë që përdor platformën e tyre për të manipuluar njerëzit në zgjedhje. Ndërmarrja e hapave për ndryshime të vogla për të shmangur këtë, është shumë më e ndryshme se sa shqyrtimi i planit të biznesit mbi të cilën është ndërtuar kompania. Pra, se “a është biznesi ynë një gjë e mirë për shoqërinë?”, tha Yael Eisenstat nga Iniciativa për Jetën Dixhitale e Universitetit Cornell në Nju Jork.
Nuk ka mungesë idesh për përmirësimin e Facebook-ut. Disa kërkojnë rregullore. Të tjerë thonë se duhet shpërbëhet kompania dhe Zuckerberg, i cili ka aksione kontrolluese të firmës, t’i japë llogari një bordi për vendimet e tij. Një ide tjetër është punësimi i një eksperti të etikës me kompetenca të mëdha për të ndihmuar kompaninë në procesin vendimmarrës.
“Unë nuk mendoj se ka ndonjë grup thelbësor vlerash. Do të dëshiroja që kjo të ekzistonte në mënyrë që t’i japim kuptim përpjekjeve për të ndihmuar të mirën e përbashkët, për të mbrojtur të drejtat e njeriut apo që të shërbente si një parim udhëzues për kompaninë”, tha Don Heider, drejtor ekzekutiv i Qendrës Makkula për Etikën në Universitetin Santa Clara.
Facebook thotë se nuk e toleron gjuhën e urrejtjes dhe i referohet sistemit të tij të automatizuar të heqjes së reklamave që nxisin urrejtjen përpara se përdoruesit t’i shohin ato. Kohët e fundit, Facebook ishte dakord për një kontroll nga jashtë të përpjekjeve që po bënë për të siguruar që reklamuesit të mos shfaqen pranë mesazheve të dëmshme, një nga kërkesat e organizatorit të bojkotit. Facebook gjithashtu tha se do të etiketojë përmbajtjet që shkelin rregullat e platformës, madje edhe ato të postuara nga një zyrtar i zgjedhur. Dhe do të heqë postimet që Facebook mendon se mund të çojnë në dhunë ose shkeljen e të drejtës së njerëzve për të votuar.
Këto janë hapa të rëndësishëm. Por disa kritikë thonë se ato nuk janë të mjaftueshme.
“Po, ata mund të ndryshojnë, nëse duan. A mund të ndryshojnë ndërsa përpiqen të vazhdojnë përpjekjet për t’u bërë kompania më e madhe në botë me monopol absolut të bisedave dhe mënyrës se si i qasemi përmbajtjeve në internet dhe si komunikojmë me njerëzit? Ndoshta jo”, tha Yael Eisenstat nga Iniciativa për Jetën Dixhitale e Universitetit Cornell në Nju Jork.
Organizatorët e bojkotit thonë se fushata e tyre po përhapet në nivel global. Por do të duhet kohë para se ata të dinë nëse përpjekjet e tyre do të kenë një efekt të qëndrueshëm./VOA/