Strategjia e munguar, pse po dorëhiqen anëtarët e Komitetit teknik?

0
Featured image of article: Strategjia e munguar, pse po dorëhiqen anëtarët e Komitetit teknik?

Dosja.alInspektorët që kontrollonin zbatimin e protokolleve, kërkonin mbylljen e fasonerive, si vatra të përhapjes së infeksionit, kërkonin vendosjen e gjobave ndaj bizneseve për mungesën e maskës, ndërkohë që me maska dhe mjetet e tjera mbrojtese nuk u pajis personeli mjekësor që do fillonte të kryente detyrën e mohuar prej 2 muajsh.

Ashtu si shumë probleme të tjera të shëndetit publik, nuk ekziston një masë e vetme që të kontrollojë dhe luftojë COVID-in. Të gjitha vendet e suksesshme dhe qeveritë e përgjegjshme kanë ndërtuar programe dhe strategji në funksion të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.

Këto përvoja të suksesshme treguan se parandalimi u arrit vetëm në ato vende ku u ndërthuren testime masive, burimet shkencore të informacionit dhe mendimi i kualifikuar mjekësor nga te gjithë nivelet e sistemit shëndetesor.

Në fillimet e epidemisë, qeveria jonë hartoi një strategji fillestare të cilën e mori me copy-paste. E vetmja masë e kësaj strategjie ishte izolimi total i vendit, me kosto jo të vogël për të gjithë qytetarët. Për pasojë, kjo e ashtuquajtur strategji, me shumë demtoi se sa ndihmoi shëndetin e qytetarëve dhe jetën e tyre sociale, ndërsa shkatërroi ekonominë e vendit.

Ndonëse kaluan dy muaj në izolim, nuk u arrit të hartohej një strategji funksionale për fazat e hapjes së vendit. Numri shumë i ulët i testimeve të bëra, coi në mosnjohjen e situates epidemike për transmetimin e virusit.

Protokollet e pakta të hartuara, u kopjuan nga protokollet e vjetra kineze. Madje edhe këto protokolle kineze nuk u zbatuan siç duhet dhe nuk arritën të kontrollonin epideminë as në spitale apo institucione shtetërore, të cilat u kthyen në vatra të përhapjes së infeksionit.

Inspektorët që kontrollonin zbatimin e protokolleve, kërkonin mbylljen e fasonerive, si vatra të përhapjes së infeksionit, kërkonin vendosjen e gjobave ndaj bizneseve për mungesën e maskës, ndërkohë që me maska dhe mjetet e tjera mbrojtese nuk u pajis personeli mjekësor që do fillonte të kryente detyrën e mohuar prej 2 muajsh.

Ajo çfarë po ndodh këto javë me epideminë është pikërisht pasojë e mungesës së strategjisë së hapjes, e cila duhej të ishte hartuar nga ekspertët e vërtetë të fushës.

Epidemia e COVID nuk mund të kontrollohet vetëm me masat e larjes së duarve, tështitjes në bërryl dhe testimeve (të pamjaftueshme) që janë bërë gjatë këtyre muajve.

Epidemia kërkon masa shumëplaneshe dhe të koordinuara, të ngjashme me ato që kanë marrë vendet e suksesshme të Europës Perëndimore.

Rritja e numrit të të infektuarve jashtë çdo parashikimi, e ka bazën tek çudia shqiptare lidhur me infektimin e personelit mjekësor, 2 muaj mbas fillimit të epidemisë. Me gjithë situatën e vështirë të pranuar nga vetë ekspertët e Komitetit, përsëri nuk u vu në shfrytëzim me kapacitete të plota (nëse kapaciteti prej 600 testesh në 24 orë është i vërtetë), i vetmi laborator në vend dhe të rritej numri i testimeve në të gjithë vendin.

Mospajisja me mjetet e duhura mbrojtese, e ktheu QSUT në qendrën më të madhe të infeksionit dhe njëkohësisht ndihmoi në përhapjen me shpejtësi dhe krijimin e vatrave të reja infektive në të gjithë Shqipërinë.

Përsa i përket qytetarëve, në vend të sigurisë dhe shendetit, në vend të kulturës së domosdoshme dhe bindjes për zbatimin e rregullave, iu ofrua vetëm ankthi dhe frika nga kjo epidemi.

Në këto kushte, anëtarët e përgjegjshëm të Komitetit të eksperteve e kanë braktisur atë, duke deklaruar se kjo strukturë nuk është vendim-marrëse, ndryshe nga sa kishte deklaruar deri tani Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në kushtet kur kanë dështuar në përgjigjen ndaj COVID, kur Shqipërisë i janë mbyllur dyert e Europës, kur numri i rasteve sa vjen e rritet, kur shqiptaëet po kalojnë një verë në ankth, ekipit përgjegjës për këtë dështim nuk u ka mbetur gjë tjetër veç dorëheqjes, duke u kërkuar edhe falje shqiptarëve. Është koha që situatën ta marrin në dorë ekspertët e vërtetë, si e vetmja mënyrë për të shmangur disfatën e rëndë shëndetësore dhe ekonomike.

SHËNIM: Ky opinion u shkrua nga një ekspert brenda sistemit shëndetësor që kërkon të mbetet anonim./dosja.al

Artikulli i mëparshëmKoronavirusi shkakton mbi 44 mijë të vdekur në Britani, 285 416 të infektuar
Artikulli i radhësSa afër vaksinës kundër koronavirusit jemi?