Çfarë po bëje në 10 janar 2020? Ishte e premte, kështu që ndoshta ke qenë duke bërë plane takimi me shokë. Ditët e normalitetit krejt të pasiguruar, ngjajnë një kujtim i largët. Por kjo është data kur nisi gara për krijimin e vaksinës për koronavirusin.
Atë ditë, qeveria kineze nxorri sekuencën gjenetike të virusir SARS-CoV-2, përgjegjës pandeminë. Kjo u bëri të mundur shkencëtarëve përreth botës, që të fillojnë të ndërtojnë copëza të virusit në laboratorët e tyre, me qëllim zhvillimin e një vaksine që do të na imunizojë.
Aktualisht, janë 35 ekipe kërkimore përreth botës që po punojnë për një vaksinë. Miliona po hidhen për zhvillimin e vaksinës, nga ana e organizatave dhe individëve të pasur, përfshirë edhe miliarderin e Microsoft-it Bill Gates, i cili ka thënë se do të ndërtojë fabrika për shtatë kandidatët kryesorë.
Ndërkohë, një grusht ekipesh, duke përfshirë bizneset amerikane të bioteknologjisë Novavax dhe Moderna, si dhe një ekip nga Universiteti i Oksfordit, po mbështeten nga një fondacion i quajtur Koalicioni për Inovacionin në Përgatitjen për Epidemitë (CEPI).
Ekipi i Universitetit të Oksfordit është ai që ka ecur më shumë në rrugën drejt vaksinës. “Unë e mora sekuencën në 10 janar, dhe fundjavën e kaluam duke menduar se çfarë të fusnim në vaksinën tonë”, thotë imunologia Dr. Teresa Lambe, e cila është një prej udhëheqëseve të ekipit në Institutin Jenner, brenda këtij universiteti.
Që atëherë, puna ka qenë intensive. “Nuk kam patur asnjë fundjavë pushim. Kam punuar edhe duke patur probleme stomaku. Kam punuar edhe kur kam patur ditëlindje. Nuk i kam parë fëmijët. Ka qenë rraskapitëse”.
Që kur u shfaq pandemia, ka patur një pyetje të cilës as edhe ekspertët më të mirë nuk i japin dot përgjigje: kur do të marrë fund? Duke parë se sa i përhapur është virusi, duket e pagjasë që ai thjesht të zhduket papritur. Edhe nëse një shtet e eleminon tërësisht, do të mjaftojë një person i infektuar që udhëton nga një vend tjetër, për ta “rindezur”. Që ta ndalim një herë e mirë, kemi nevojë për imunitet. Kështu që, sa më shpejt të kemi një vaksinë, aq më shpejt siguria do të rikthehet në jetët tona.
Rruga drejt imunitetit
SARS-CoV-2 i përket një grupi më të gjerë virusesh, të quajtur koronaviruse. Shumë prej tyre shkaktojnë simptoma të lehta – asgjë më shumë se sa një e ftohur e thjeshtë. Por disa prej tyre kanë shkaktuar shpërthime sëmundjesh të rënda: SARS në 2002-2003, MERS nga viti 2012 dhe tani COVID-19 – sëmundja që shkaktohet prej SARS-COV-2.
Deri më sot nuk kemi vaksinë të miratuar për asnjë koronavirus. Por urgjenca e kësaj pandemie, do të thotë se SARS-CoV-2 është tashmë prioritet mbi prioritetet.
Parimi bazë i çdo vaksine është që të “gënjejë” trupin dhe ta bëjë të mendojë se është infektuar nga virusi (ose bakteri) që shkakton sëmundjen. Në përgjigje të kësaj, sistemi imunitar krijon proteina që quhen antitrupa. Nëse infektohesh nga virusi i vërtetë, qelizat e memories në sistemin imunitar të quajtura “limfocidet B” prodhojnë sërish antitrupat, duke ndihmuar në luftimin e infeksionit.
Të gjitha vaksinat potenciale të COVID-19 e arrijnë këtë, në thelb, në të njëjtën mënyrë, duke ekspozuar sistemin imunitar ndaj “kunjave” që mbulojnë mbulojën sferike të virusit. (Kjo mbulojë, e përbërë nga molekula dhjamore lipide përmban materialin gjenetik të virusit). Kur virusi pushton trupin tonë, këto “kunja” lidhen me një receptor në sipërfaqen e qelizave që ndodhen në fyt dhe mushkëri, duke hapur kështu dyert e këtyre qelizave, gjë që i bën të mundur virusit të futet dhe të riprodhohet.
Por ekspozimi i sistemit imunitar ndaj këtyre “kunjave”, të cilat në vetvete janë të padëmshme, stërvit trupin tonë që të prodhojë me shpejtësi antitrupa të cilët i mbysin dhe i pengojnë që të lidhen me qelizat.
Secili ekip ka qasjen e vet. Vaksina që po prodhohet në Oksford përfshin injektimin e sekuencës gjenetike (ADN) të “kunjave” në gjakun tonë. Qelizat tona do e përdorin këtë ADN për të prodhuar “kunjën”, duke nxitur kështu sistemin imunitar që të reagojë. Qasja e Moderna-s, përfshin injektimin e materialit gjenetik të “kunjës” në një tjetër formë (ARN në vend të ADN). Dhe një vaksinë që po prodhohet në Universitetin e Pittsburgh-ut injekton proteinën e vetë kunjës në një “mballomë” mikrogjilpërash – vetë “mballoma” do të ngjitej si suva, dhe gjilpërat e vogla do të shkriheshin sapo të kenë përshkuar lëkurën.
Për të futur ADN e “kunjës” në qelizat tona, studiuesit në Oksford po e paketojnë në brendësi të një “vektori viral” – në thelb një virus postier. Ky është një virus i modifikuar shimpanzeje, që i përket një grupi virusesh të quajtur “adenoviruse”.
“Vektori është sakatuar”, thotë Lambe. “Ai nuk riprodhohet dhe nuk shkakton sëmundje”.
Në këto momente, dy ekipe që merren me prodhimin e vaksinave kanë nisur provat tek njeriu: Moderna dhe kinezja CanSino Biologics (edhe kjo përdor një vektor viral). Por Oksford nuk është shumë mbrapa.
Koha e testimit
Pasi mori sekuencën gjenetike të virusit në janar, hapi i parë që bëri ekipi i Oksfordit, ishte të identifikonte ADN e “kunjave”. Kjo ADN më pas u klonua dhe u përdor për prodhimin e një vaksine, për testime paraklinike. “Përpara se të kalojë në testet klinike, çdo vaksinë apo ilaç duhet të vlerësohet një herë tek modelet e kafshëve”, thotë Lambe.
Testet paraklinike kanë treguar se vaksina është efektive në prodhimin e antitrupave që ndalojnë lidhjen e SARS-COV-2 me qelizat. Vaksina gjithashtu rrit nivelin e një lloji të qelizave të bardha të gjakut që quhen qelizat T – një tjetër armë e sistemit imunitar, që vret qelizat e infektuara prej virusit, duke ngadalësuar kështu riprodhimin e tij.
Ndërkohë në Oksford po prodhohet një vëllim më i madh vaksinash që do të jenë të sigurta të përdoren tek njerëzit.
Në fazën e parë të testeve, fokusi do të jetë mbi sigurinë e vaksinës. “I injekton një vullnetari një dozë që e di se është e sigurtë për shkak të testimeve që ke kryer më parë”, thotë Lambe, “dhe më pas i monitoron me kujdes për 2-3 ditët e ardhshme”. Përveçse do të kontrollojnë nëse vaksina është e sigurt, duke parë për efekte anësore si dhimbje muskujsh apo koke, studiuesit do të masin nivelet e qelizave T dhe antitrupave në gjakun e vullnetarit. Deri në fund të Fazës I, plani është që t’u injektohet 510 personave të moshës 18-55 vjeç.
Nëse do të shihet se vaksina është e sigurt dhe funksionale, më pas do të kalohet në fazat II dhe III.
Faza II do të shtrijë Fazën I tek personat 56 vjeç e lart, si dhe tek një numër i vogël fëmijësh. Faza III do të përfshijë 5000 vullnetarë mbi moshën 18 vjeç, teksa gjysma e tyre do të marrin vaksinën e COVID-19. Kjo fazë do të testojë nëse vaksina ofron mbrojtje në botën reale, duke monitoruar individët e vaksinuar dhe krahasuar normën e infeksionin të tyre me COVID-19, me atë të personave që nuk e marrin vaksinën në test.
Loja e pritjes
Eshtë e pamundur të nxitosh vëzhgimin, matjen dhe pritjen, që janë të domosdoshme në testet klinike. Edhe organet rregullatore kanë nevojë të marrin kohë për të kontrolluar sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave të reja. Edhe pasi një vaksinë të jetë miratuar, ekziston mundësia e vonesave teksa prodhuesit krijojnë stokun. “Nuk mund të fillosh të prodhosh deri kur të jesh i sigurt që do të funksionojë”, thotë Dr John Tregoning, ekspert i infeksioneve respiratore dhe zhvillimit të vaksinave në Imperial College të Londrës.
Ekipi i Oksfordit është duke u përpjekur të lehtësojë rrugën drejt prodhimit në masë. “Paralelisht me testet, ne po punojmë shumë për të rritur prodhimin, me qëllim që, në fund të vitit të jemi në gjendje të kemi shumë doza në dispozicion, mbase me miliona”, thotë Lambe. Fillimisht vaksina nuk do t’i jepet kujtdo, por vetëm atyre që konsiderohen prioritet.
Kandidatët e tjerë po punojnë me plane të ngjashme kohore. Shumica e vlerësimeve thonë se vaksina për COVID-19 do të jetë gati për një vit deri 18 muaj – diçka e jashtëzakonshme, po të mendosh që zakonisht duhen më shumë se 10 vite për krijimin dhe miratimin e një vaksine. Gara mund të përfundojë me prodhimin e disa vaksinave. “Kur mbërrin në pikën ku botës i nevojitet prodhimi i miliarda dozave, do të jetë më mirë që të mos përdoret vetëm një teknologji në vetëm një fabrikë”, thotë Tregoning. “Duhet një prodhim sa më i shpërhapur dhe lokal, si dhe një proces që është i lehtë dhe i shpejtë. Kështu që, sa më shumë vaksina të ndryshme të jenë, aq më shpejt do u shpërndahen njerëzve”.
Por kur e gjithë kjo të ketë marrë fund dhe të kemi një vaksinë, ç’ndodh më pas? Koronaviruset vdekjeprurës kanë një zakon të keq që shfaqen nga askundi. A mos do të kemi një tjetër garë për vaksinën, kur të shfaqet tjetri?
Dr Shibo Jiang në Universitetin Fudan të Kinës thotë se e ka një zgjidhje. Duke punuar me kolegë në Kinë dhe Qendrën e Gjakut në Nju Jork, ai ka zhvilluar një lloj molekule të quajtur peptide që mund të kapet në një pjesë të caktuar të kunjës së SARS-COV-2, duke e penguar virusin që të kapet pas qelizave. Studimi është botuar në revistën “Cellular & Molecular Immunology”. Kjo pjesë e kunjës është e ngjashme në koronaviruset e tjera, që do të thotë se kjo molekulë mund të funksionojë si një vaksinë apo trajtim për koronaviruset e ardhshme.
“Ky trajtim nuk injektohet; mund të thithet përmes frymëmarrjes”, thotë Jiang. “Mund ta përdorësh në shtëpi, nuk ka nevojë të shkosh në spital”. Ai thotë se e vetmja gjë që ka frenuar kërkimin është financimi për të bërë testet paraklinike.
Por nëse financimi gjendet dhe studimi rezulton me sukses, kjo do të thotë se shkencëtarët nuk do të përballen me një tjetër betejë të ethshme kundër një koronavirusi. As ne. / Science Focus – Bota.al