Drama e turizmit

0

Nga Nertila Maho

Turizmi në kohë pandemie po përkufizohet nga rezervime afatshkurtra 2-3-ditore dhe kryesisht në fundjavë, për shkak të pasigurisë. Çmimet e hoteleve kanë pësuar ulje në pjesën më të madhe të bregdetit. Durrësi dhe pas tij Vlora e Shëngjini, mbeten pikat më të frekuentuara. Përfaqësuesit e strukturave akomoduese dhe turoperatorët bien dakord se këtë vit, sezoni do të jetë njëmujor, nga 15 korriku në 15 gusht, dhe mbijetesa do të jetë e vështirë për të gjithë. Hapja e kufijve nga BE duket shpresa e vetme, teksa vetëm polakët nga grupi i turizmit të organizuar kanë deklaruar se nuk do të aplikojnë karantinë për ata që vizitojnë Shqipërinë. Charter-at e parë me këtë grup turistësh priten më 14 korrik.

Tre charter-at e parë me polakë pritet të vijnë në Shqipëri në datë 14 korrik, por kjo do të varet shumë nga ecuria e situatës së pandemisë së COVID-19. Rritja e shifrave në mënyrë dramatike dhe njëkohësisht, edhe numri i të vdekurve, ka rritur edhe pasigurinë e partnerëve ndërkombëtarë, për ta përfshirë Shqipërinë në paketat e tyre të minutës së fundit. Nordikët, deri më tani, nuk po e promovojnë vendin tonë si destinacion, për shkak të rezistencës së qeverive të tyre, për të mos shkelur në vende që konsiderohen të pasigurt.

Polakët janë të vetmit që morën konfirmimin nga qeveria e tyre se pas udhëtimit drejt Shqipërisë, nuk do të izolohen në karantinë dyjavore. Sikur të mos mjaftonte, moshapja e kufijve të Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe rishikimi i këtij vendimi në mes të korrikut, gjërat nuk po ecin mirë edhe me tregun e Kosovës.

Përfaqësuesit e strukturave akomoduese përgjatë bregdetit raportojnë se rezervimet janë afatshkurtra, për shkak të pasigurisë. Edhe shkurtimet e pagave, humbja e vendit të punës dhe situata e vështirë ekonomike ka bërë që më pak familje nga Kosova të planifikojnë pushime. Por si paraqitet sot në fakt situata me çmimet, rezervimet dhe ecurinë e përgjithshme të sektorit nga Velipoja në Ksamil?

Velipoja mbështetet te Kosova, por ka probleme me investimet e munguara

Ende pa dalë mirë nga karantina, Velipoja u zgjua me aksionin e autoriteteve për të shembur strukturat e stacioneve të plazhit të viteve të shkuara, duke krijuar kaos në bregdet. Çadrat janë vendosur me vonesë, duke bërë që turistët që kishin rezervuar nëpër hotele, edhe pse të paktët në numër, të mos ju shërbehej siç duhet.

Kol Godija, administrator i Godija Hotel në zonën e Velipojës, u shpreh se ky është një vit i vështirë, që e ka detyruar të bëjë ulje çmimi, edhe pse në mënyrë modeste, me 10%. Struktura hoteliere ka 30 dhoma, por rezervimet janë shumë të ulëta.

“Vitin e shkuar, në këtë periudhë, hoteli ishte 70% i rezervuar. Këtë vit, as 5%. Në ditë jave, nuk janë më shumë se 7-8 vetë në hotel. Janë pjesa e turistëve nga Kosova ose të huaj, të cilët kanë mbetur këtu prej punës apo ndonjë arsyeje tjetër. Në qershor nuk kemi pasur thuajse fare aktivitet, pasi edhe bregu ka qenë disi i rrëmujshëm prej prishjeve që janë bërë në plazh”, – tregon ai duke, theksuar se edhe në staf ka bërë reduktime. Kur e pyesim për investime, Godija shprehet se Velipoja vuan në këtë aspekt dhe e vetmja gjë që është bërë, është ndriçimi kurse infrastruktura mbetet e dobët.

Ardian Hoti, administrator i Hotel London, po në Velipojë, thotë se aktualisht ka 255 dhoma në shtatë struktura. Edhe pse është fillim korriku, në hotel janë rreth 100 vetë, apo 15-16% e kapacitetit total akomodues.
“Sezoni në Velipojë është shumë vonë dhe nuk ka njerëz. Ka një ardhje të shtetasve nga Kosova, por janë 30% më pak se viti i shkuar. Rezervime ka por nuk janë të sigurta.

Duke qenë se çmimet janë thuajse në kosto, nuk kemi bërë ulje, pasi jemi në vështirësi dhe shteti duhet të ndihmojë sektorin e turizmit. Për shembull, ne sot kanë ardhur të na ndryshojnë matësit e energjisë dhe na kanë detyruar të nxjerrim turistët jashtë se s’ka energji. Kjo është një pengesë dhe shteti duhet ta kuptojë që ky nuk është momenti për të bërë këto punë në sezon. Rrugët janë të pashtruara dhe ndoshta edhe kjo duhet parë me vëmendje, por gjithmonë këto të bëhen jashtë sezonit, jo në kohën kur kemi turistë, sidomos këtë vit që situata është kjo që dimë” – nënvizon ai. Lidhur me ndihmën nga paketat e qeverisë, ai tregon se nuk ka përfituar pasi është i regjistruar me NIPT sezonal.

Shëngjini ka rezervime, por afatshkurtra, çmimi i plazhit 30% më pak

Shëngjini ka nisur zyrtarisht sezonin veror për turistët vendas dhe ata nga Kosova dhe prania tradicionale e këtyre të fundit në këtë bregdet ka bërë që edhe këtë vit, sytë të jenë tek ta. Bledar Shima, nga hotel Rafaelo, tregon se aktualisht, ka mjaft rezervime, por ky vit është pak më specifik, ku nuk pritet të shënohen rekorde.

“Sezoni këtë vit ka pritshmëritë e tij, por nuk duhet të jemi shumë optimistë. Mendoj se në skenarin pozitiv do të jetë 30-40% më pak se vitin e shkuar. Aktualisht turistët vendas dhe ata të Kosovës kanë qenë vetëm për fundjava. Mund të them se kapaciteti i fundjavës është i mirë, ndërsa mesjava është shumë dobët. Sa i takon gushtit, kemi interes dhe ka rezervime për maksimumi një javë, por kryesisht rezervimet janë të shkurtra. Edhe ata që duan të qëndrojnë më gjatë, thonë se ‘po rezervojmë për 2-3 ditë dhe më pas, shohim’. Lidhur me çmimet nuk i kemi ndryshuar. Kemi shtuar shërbimin në kuptimin që për qershorin kemi aplikuar të njëjtin çmim si vitin e shkuar, por përveç mëngjesit kemi shtuar edhe darkën në paketë” tregon Shima.

Ai vlerëson se rezervimet aktualisht nuk janë të garantuara apo me parapagim, pasi vetë situata është e tillë që do mirëkuptim. Plazhi, si një element i rëndësishëm i strukturës hoteliere, sipas Shimës tashmë është garantuar përmes aplikimit dhe madje nga Bashkia është bërë ulje çmimi.

“Bashkia jonë ka bërë ulje me 30% të çmimit të plazhit. Kjo erdhi si një masë lehtësuese për ne që jemi të detyruar të respektojmë protokollet dhe të vendosim më pak çadra në të njëjtën sipërfaqe. Për shembull, nëse vjet kishim 450 çadra, tani mund të vendosim 370 të tilla” pohon menaxheri i hotel Rafaelo. Të punuarit nën kapacitet në një sezon të vështirë ka bërë që dhe numri i të punësuarve në hotel të jetë më i ulët, duke reduktuar një pjesë të stafit.

Durrësi konsolidon ofertat, por “me sytë” nga hapja e kufijve

Durrësit, epiqendra e turizmit të organizuar viteve të fundit, këtë sezon i është dashur të përsosë artin e tërheqjes së turistëve vendas dhe atyre nga Kosova nëpërmjet paketave “all inclusive” dhe “halfboard”. Mjaft që t’u hedhësh një sy faqeve të hoteleve kryesore në Golem, për të kuptuar se rrjetet sociale po shërbejnë si kanali kryesor i promovimit.

Paketat variojnë nga 30 euro me mëngjes dhe deri në 55 euro për person me të gjitha të përfshira. Për shkak edhe të çmimeve më ekonomike, por edhe shkatërrimit nga tërmeti të një pjese të apartamenteve dhe hoteleve ekonomike ku akomodoheshin turistët nga Kosova, hotelet që presin nordikët dhe çekët këtë vit po kërkojnë me çdo kusht turistin vendas dhe atë nga vendet fqinje. Agjencitë turistike kanë qenë aktive në ofrimin e paketave për bregdetin e Durrësit. Por si shfaqet në fakt situata në këtë zonë.

Ariol Haxhillari, Menaxher i Përgjithshëm në hotelet e FAFA Group, pohon se numri i turistëve nga Kosova është rritur javë pas jave, por kanë ardhur vetëm për fundjavë. “Rezervime në afatgjatë nuk ka as 5% të hotelit. Ne shpresojmë që në datë 15 korrik, të nisin fluturimet nga agjencitë që ne kemi dhënë kontrata me garanci. Nëse mbështetemi te turizmi vendas, është shumë pak dhe nuk mund të mbijetojë i gjithë sektori. Çdo fundjavë kemi nxjerrë oferta të reja qoftë ‘halfborard’ (dhomë, mëngjes dhe darkë) ose ‘all inclusive’ (të gjitha të përfshira) ose vetëm dhoma.

Në fundjavë, plotësimi i hotelit shkon rreth 70%. Gjatë javës 5 – 10%. Tregu i Kosovës ka interes që të vijë por edhe ata, si të gjithë shtetasit nuk kanë kohë të mjaftueshme me ditë qëndrimi të gjata, plus pjesa e konsumit nuk është se shpenzojnë për shërbime të tjera, për verë ose ushqime ekstra. Bëjnë pushime ekonomike. Mëngjes, si dhe drekën e darkën brenda paketës.

Promovimi këtë vit ka qenë më i madh për tregun vendas dhe tregun e rajonit, ndërsa për vendet e tjera, marketingu më i madh ka qenë në destinacionet që operonim me agjencitë” – pohon Haxhillari.

Vlora shpreson për hapjen me Italinë, çmimet ulje 20-30%

Operatorët e sektorit të turizmit ndajnë mendimin se strukturat akomoduese të etiketuara si “luksoze” dhe “trendi” nuk do ta humbasin shkëlqimin as këtë vit, pasi mund të mbështeten te klientela e tyre e rregullt që ka të ardhura mbi mesataren. Pjesa e strukturave familjare me klientë besnikë do të arrijnë të mbijetojnë me vështirësi, kurse ato që do të humbasin janë strukturat “pa identitet”, që nuk gëzojnë tiparet e mësipërme.

Në Vlorë, dy vitet e fundit, ka pasur rritje të investimeve të reja në sektor dhe për disa, kjo do të jetë e vështirë. Por nuk duket kështu situata për Marina Bay. Besmir Lula, menaxher i kësaj strukture me 50 dhoma të përfunduara dhe 50 të tjera në ndërtim, që pritet të mbarojnë së shpejti, e sheh këtë sezon me optimizëm, diçka krejt atipike po të kemi parasysh situatën e përgjithshme të sektorit.

“Mendoj se sezoni është shumë mirë. Ne kemi rritje 30% në raport me një vit më parë. Java kuptohet që është e qetë por në fundjavë është plot me turistë nga Tirana dhe Kosova. Shoh si problem për sektorin moshapjen që kanë vendet e tjera ndaj Shqipërisë, por për ne si strukturë, edhe kështu situata duket mirë. Kemi pasur interes nga të huajt. Vjet, ne si strukturë e re e kemi mbajtur në kosto, ndërsa këtë vit mendoj se do ta konsolidojmë pozicionin dhe synojmë turizëm 7-mujor, pra deri në fund të vitit. Duke qenë një strukturë e re, me një qasje të re të identitetit që duam të krijojmë si destinacion, e vëmë theksin te trajnimet. Bëjmë trajnim të stafit çdo katër muaj” tregon Lula.

Teksa e pyesim për kategoritë e turistëve që presin të kenë në strukturë kur i përmendim polakët, ai na tregon se nuk janë një treg interesant, pasi shpenzojnë pak. “Italianët dhe gjithë Europa Perëndimore janë shumë mirë. Për ne do ishte pozitive nëse do të bëhej aeroporti. Për momentin jemi fullbooked (totalisht të rezervuar). Kemi të njëjtat çmime për të njëjtat tipologji dhomash njëlloj si vjet. Në lidhje me çmimet që janë ulur në Vlorë, mendoj se gjithsecili ka shkuar ku duhet, në varësi të asaj që ofron” thotë Lula.

Një ecuri të mirë të rezervimeve tregon edhe Luixhino Isufaj nga Hotel Bologna në Vlorë. Ai shprehet se aktualisht, rezervimet janë të mira dhe mbizotërojnë ato 2-3-ditore. “Turistët vendas dhe ata nga Kosova nuk rezervojnë pushime të gjata. Sigurisht mes dy kategorive ata nga Kosova qëndrojnë më gjatë. Tani po fillojnë rezervimet për korrik – gusht dhe aktualisht 70% e strukturës është e plotësuar. Sa u takon çmimeve në përgjithësi, në Vlorë nga ajo që kam vënë re ka një ulje 20-30% në raport me një vit më parë. Ne shpresojmë që të ketë një hapje me Italinë dhe Europën, pasi janë edhe turistë që shpenzojnë më shumë. Sezonin në përgjithësi e shoh me optimizëm, edhe pse nuk do të jetë në punë kapaciteti i plotë” – thekson Isufaj.

This image has an empty alt attribute; its file name is Himare.jpg

Himara vizitohet kryesisht nga tiranasit, ende anulohen rezervimet me Booking

Himara, ashtu si pjesa tjetër e vendit, ka filluar të ketë lëvizje me vizitorë që rriten në numër në fundjavë e që bien në maksimum gjatë javës.

Ina Sauli, menaxhere e SeaView, një hotel me 24 dhoma në Potam dhe i hapur një vit më parë, na tregon se qershori ka qenë një muaj i vështirë ndërsa rezervimet edhe aktualisht janë vetëm për fundjavën. “Ka filluar të ketë pak lëvizje. Kanë turistë por jo shumë dhe kryesisht vijnë nga Tirana. Rezervimet afatgjata janë të rralla pasi maksimumi janë 3-ditore. Përgjithësisht ka edhe klientë të huaj që jetojnë në Shqipëri, për shkak të punës të cilët kanë zgjedhur Himarën.

Këtë javë kanë filluar dhe kërkesat për rezervime për në fund të korrikut dhe fillim gushti. Situata e turizmit këtë vit nuk ka asnjë lidhje me atë të vitit të shkuar. Vjet ka qenë shumë më mirë, edhe për shkak të rezervimeve përmes Booking. Kishim rezervime të tilla edhe për këtë vit, që një pjesë janë anuluar e një pjesë ende vazhdojnë të anulohen.

Në lidhje me çmimet, mesa kam vënë re hotelet janë munduar që t’i ulin disi, sepse të gjithë kërkojnë ulje” pohon Sauli. Një problematikë e sezonit që ajo konstaton është ndarja me vonesë e zonave të plazhit për hotelet, çka në disa raste ka bërë që rezervimet për hotelet të anulohen pikërisht me këtë argument. Ndërkohë që strukturat po punojnë me staf të reduktuar.

This image has an empty alt attribute; its file name is Sarande-2-929-e1588773488261.jpg

Saranda “bosh”, viti më i vështirë për sektorin në dy dekada

Që nga viti 2000, kur Figalia Kallojeri hapi me familjarët e saj hotel Epirus në Sarandë, ky është viti më i keq që mban mend në sektor. Viteve të fundit, ajo ka zgjeruar kapacitetin e hotelit duke marrë kredi pasi duhej t’i përshtatej kërkesës së agjencisë nordike që sillte turistë në hotelin e saj. Zgjerimin e fundit e kishte bërë këtë vit dhe priste që të vilte frytet e kësaj sakrifice që tashmë është shkatërruar totalisht nga situata e pandemisë.

“Situata e sezonit turistik këtë vit është katastrofë. Sikur të mos mjaftojë kjo, ne as nuk promovohemi. Mendoj që duhet të bëhet reklamë më e madhe nëpër televizione për plazhet e Sarandës. Nuk ka pothuajse fare rezervime. Kam një hotel me 63 dhoma dhe dje (1 korrik 2020) kishte dy dhoma. Janë anuluar të gjitha. Nuk ka as fluturime. Ne jemi krejt e kundërta e asaj që po bën fqinj ynë Greqia. Kjo e fundit ka nisur promovimin masiv ‘non stop’, ndërsa ne nxjerrim tërë kohën rastet e reja me të prekurit me COVID-19. Kjo është reklama më e keqe që mund t’i bëjmë vetes” – shprehet Kallojeri.

Gjashtë vitet e fundit, ajo na thotë se punon me tregun nordik pra norvegjezë, suedezë, danezë që vijnë me charter nga Korfuzi. Me polakë punon kryesisht me grupe. Kufizimi i lëvizjeve për vendet e BE ka bërë që rezervimet të jenë në minimum.

“S’kam asnjë rezervim të sigurt. Kam 2-3 dhoma në korrik dhe 2-3 dhoma në gusht. Mendoj ta mbyll. Nuk mund të paguajmë asnjë lloj takse me këtë situatë. Ndërkohë kemi paguar paratë e plazhit paradhënie. Unë kam 15 punëtorë dhe i kam pa paguar për qershorin. S’kam me çfarë t’i paguaj.

Punoj që prej vitit 2000 dhe ky është viti më i keq. Në fillimet tona kishim pak dhoma dhe frekuentoheshin nga vendasit dhe Maqedonia. Më pas erdhën polakët e pas tyre nordikët. Prej 6-7 vitesh punoj me nordikë” pohon ajo.
Ndër të tjera, tregon se edhe pagesa për plazhin këtë vit është më e lartë se një vit më parë dhe iu është marrë paradhënie bizneseve. Nga paketa e qeverisë, shpjegon se nuk ka marrë pagë lufte pasi shumica e punëtorëve janë të regjistruar si sezonalë nga marsi dhe vetëm 3-4 punonjës e kanë përfituar. Lidhur me garancinë për të marrë kredi në bankë për të paguar punëtorë, Kallojeri shprehet se banka i konfirmoi se afatet kishin përfunduar dhe nuk mund të përfitonte.

“Po na ndihmon banka me të cilën kemi marrëdhënie me pjesën e kredisë, pasi e kemi marrë për të bërë dhomat shtesë dhe restaurimet e nevojshme që m’u kërkuan nga agjencia nordike. Jemi në vështirësi të madhe dhe mendoj se sivjet nuk ka turizëm. Kemi paguar plazhin e shezlonet, por edhe ata që vijnë në Sarandë nga vendasit zgjedhin këto apartamentet me AirBnb apo në mënyrë informale se duan të paguajnë pak. Në tërësi Saranda është bosh. Kemi ulur çmimet me 20%. Ne kemi çmime të tilla që në varësi të dhomës varion 35-50 euro. Nuk kemi pasur asnjë lloj tolerance nga shteti përkundrazi pagesat na janë kërkuar me këmbëngulje, duke na vënë në vështirësi” tregon Kllojeri.

Në kushtet aktuale, ajo tregon se sado të ketë turizëm të brendshëm nuk do garantohet mbijetesë për të gjithë strukturat në vend e për rrjedhojë, edhe në Sarandë. Ajo shprehet se në kushtet aktuale, qeveria duhet të mendojë që të paktën për turizmin të japë pagë minimale edhe për qershorin, pasi nuk ka pasur aktivitet. “Do të dorëzojmë çelësat e do t’i mbyllim hotelet e as shteti nuk do të marrë asnjë taksë. Mua nuk më del llogaria të kem veç 2-3 dhoma në javë, pasi kam kosto shumë më të larta nëse e mbaj hapur” thotë znj. Kllojeri./monitor.al

Artikulli i mëparshëmSerie A dridhet: Një i infektuar me koronavirus fut Parmën në izolim
Artikulli i radhësFOTO/ Shpenzoi mijëra euro për t’u dukur si kukull barbie, habit e reja: Jam shumë seksi për të punuar