Presidenti Ilir Meta dhe kreu i opozitës Lulzim Basha, në një bashkëveprim të hapur mes tyre, duket si kanë gjetur një mënyrë të çuditshme për ti penguar ndryshimet e njëanshme kushtetuese që ka planifikuar Rama si dhe vendosjen e rregullave të zgjedhjeve vetëm nga qeveria. Ata kanë kërkuar rimbledhjen e tryezës së këshillit politik që Socialistët kanë pranuar ta mbajnë të hënën paradite.
Por, kjo kthesë e beftë e opozitës, e cila është përshëndetur edhe nga komisioneri për zgjerim i BE, Oliver Varhelyi, ka ngritur pikpyetje për qëllimin e saj. Nga njëra anë opozita duket sikur kundërshton vetveten duke u ulur në tryezë pas ka mbajtur qëndrimet “parimore” se kushtetuta nuk mund të ndryshohet me shpejttësi dhe se rregullat e lojës nuk mund të rishkruhen në më pak sesa një vit para zgjedhjeve. Nga ky këndvështrim PD dhe LSI nuk do duhej të pranonte fare për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve që kanë si mbështetës deputetët aspak seriozë të opozitës parlamentare.
Pra ama nga ana tjetër, kjo mund të jetë një përpjekje e Metës dhe e Bashës për ta rikthyer këtë çështje që Rama po e vendoste në mënyrë unilaterale, në tryezën e vetme ku PD dhe LSI kanë në dorë veton. Kështu kjo do ta diskreditonte edhe më keq kryeministrin nëse ai vazhdonte të bënte në kokë të vet kundër rekomandimeve që i kanë dhënë edhe aleatët europianë.
Kronologjia
Të premten paradite në një reagim në Facebook, Ilir Meta propozoi rimbledhjen e Tryezës së Këshillit Politik duke përdorur si justifikim se këtë sugjerim e kishte marrë nga eksperti Kristaq Kume. Presidenti i bëri ftesë Ramës për t’u ulur në tryezën e Këshillit Politik, pasi shefi i opozitës pati dhënë viston për këtë nismë. “Dje në mesnatë mora një mesazh nga një intelektual i nderuar si Prof.Kristaq Kume. Shqetësimi i tij ishte se duhej bërë çdo përpjekje për të shmangur ndryshime kushtetuese të njëanshme sepse do të ishte një kosto shumë e rëndë për vendin. Ai sugjeronte se çdo ide për ndryshime nga Marrëveshja e 5 Qershorit duhet të shkonte përsëri në tryezën e Këshillit Politik. Sot në mëngjes, pa gdhirë mirë, i kërkova takim z.Basha për të parë a ishte i hapur për një ide të tillë”, shkroi Meta.
E menjëhershmne ishte përgjigjja nga Kryeministri, i cili u shpreh i gatshëm të ulet e të bisedojë me të gjithë. Ai propozoi të hënën si ditë takimi duke theksuar se në tryezë pret Bashën dhe Metën, pasi si përfaqësues i maxhorancës do të shkojë vetë.
“PS e ka gjithë vullnetin të bëjë çdo përpjekje për ta bindur PDLSIOP për dobinë që nisma kushtetuese ka për Shqipërinë,e unë jam i gatshëm të shkoj vetë në Këshillin Politik këtë herë, ku po erdhi dhe LB apo edhe IM nëse dëshirojnë, do jetë edhe më mirë padyshim. Gati që të hënën! PS nuk ka asnjë obligim ndaj PDLSI përveç marrëveshjes së 5 qershorit, të cilën do ta mbështesë deri në fund! Por nëse opozita presidenciale (OP) mendon se nisma zyrtare kushtetuese ia vlen të diskutohet në Këshillin Politik, PS s’ka si të jetë kundër ,madje megjithë OP në tryezë!” shkroi Rama.
Por meqë në pranimin e ftesës kryeministri e bëri të qartë se nuk lëviz nga nisma e marrë me opozitën parlamentare për listat e hapura dhe heqjen e koalicioneve, madje se ai i ka mbaruar obligimet me PDLSIOP, edhe opozita u detyrua të reagojë sërisht.
Ajo kërkoi votimin pa vonesë të marrëveshjes së arritur në 5 qershor duke vënë theksin në thyerjen e traditës 30 vjeçare, për ti vendosur të gjitha krahët rregullat e lojës zgjedhore.
Bashkë me të Basha rrefuzoi edhe ftesën e Ramës për tu ulur sëbashku në tryezë duke deleguar aty Gazmend Bardhin.
Reagimet
E para që e kundërshtoi këtë nismë të Presidentit që vështirë se mund të pjellë ndonjë rezulatat duke e etiketuar si shou politiki, ishte anëtarja e tryezës Rudina Hajdari. Ajo theksoi se nuk ka se për çfarë të flitet më për sa kohë “Listat e hapura janë diskutuar ne Këshillin Politik dhe janë refuzuar nga opozita jashteparlamentare se e kishin mendjen te tenderi i biometrikes. Nese kane ndryshuar mendje, le ta japin ok per propozimin tim dhe te rreshtohen me qytetarët. Nëse duan pazar me Edi Ramën, të na kursejnë shoë të tre, të mbyllen në vilat e tyre në fundjavë e ta bëjnë pa marrë kohë nga qytetarët të cilët duan lista të hapura e duan ndryshim sepse jane lodhur nga 30 vite pazar në kurriz të tyre”.
Ndërsa krejt ndryshe është sjellë komisioneri për zgjerim i BE, Oliver Varhelyi, i cili ka qenë këto kohë më praën qasjes së opozitës. Ai ka theksuar se fakti që palët ulen është pozitiv, por ama ka nënvizuar se marrëveshja konsensuale e 5 qershorit duhet votuar.
Ç’pritet të ndodhë?
Të gjithë palët kanë pranuar se do të ulen sërish në tryezë të hënën në ora 11 00. Por deri më tani nuk duket se ka asnjë pikë takimi për kompromis. Rama e ka bërë të qartë se do të shkojë përpara me listat gjysëm të hapura dhe me heqjen e koalicioneve, ndërsa opozita duke qartë se nuk i do ato. Megjithëse fshihen pas parimeve PD dhe LSI duan që gjithçka të mbetet kështu siç është.
Prandaj nuk është çudi që pa ndërhyrjen e ndonjë force madhore nga jashtë, kjo fazë e re e tryezës të shërbejë për të shtrënguar duart, po pa arritur ndonjë kompromis të ri në thelb./Lapsi.al