Kurdët po rrëmbejnë fëmijët shqiptarë nga kampi sirian i Al-Hawl

0

Fëmijët shqiptarë të mbetur në kampin Al-Hawl në Siri po rrëmbehen nga çadrat. Për rikthimin e tyre autoritetet shqiptare nuk kanë marrë asnjë iniciativë konkrete, ndërsa situatën alarmante e shprehin vetë nënat në kamp nëpërmjet 3 letrave të dërguara në redaksinë e A2.

Fëmijët e moshave 11 vjeç e sipër po rrëmbehen nga brendësia e kampit nga ushtarët kurdë, ndërsa askush nuk ka informacion se përse po ndodh diçka e tillë apo dhe ku dërgohen.

“Juli, ju e patë gjendjen tonë në kampion Al Hawl. Ne nuk folëm sepse ti ishe me shoqërues. Nuk jemi të lira të flasim për të vërtetën që është këtu. Ne kemi pritur dita-ditës se po bëni diçka për ne. I kemi kërkuar ndihmë shtetit shqiptar, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ne kërkojmë ndihmë nga ju, nga çdo shqiptar që ka familje dhe fëmijë. Fëmijët tanë nga 11 vjeç e sipër, djem dhe vajza, po i marrin, nuk e dimë se ku i çojnë. Nuk kemi asnjë lajm për ata. Prandaj, mendoni për ne ashtu si për familjen dhe fëmijët tuaj. Bëni diçka për të na ndihmuar. Ne presim një përgjigje të saktë. Kemi që kur ti ke ikur, që rrimë me çantat gati, me shpresë se po na merrni. Fëmijët shqiptarë thonë, kur po vjen ai gazetari shqiptar që të na marrë. Duam një përgjigje nga shteti shqiptar”- Letra e dërguar në redaksinë e A2.

7 familje, kryesisht nënat dhe fëmijët e tyre, prej 1 viti e gjysmë ndodhen në kampin Al-Hawl në veri të Sirisë. Burgu prej 80 mijë personash kontrollohet nga forcat kurde. Sipas autoriteteve të kampit, e vetmja mënyrë për të tërhequr nënat dhe fëmijët është vendosja e kontakteve zyrtare nga pala shqiptare me administratën e kampit.

Familjarët: Informuam shtetin, por nuk morëm asnjë përgjigje

Prej më shumë se 6 vitesh, familjet e tyre nuk i shohin, komunikimet kanë qenë të rralla, ndërsa gjendja në kampin Al-Hawl në Siri vështirësohet dita ditës.

Eva dhe Endri Dumani së bashku me gjyshen e tyre Mentijen, krahas frikës prej pandemisë, duhet të ruhen dhe nga ajo që po ndodh në kamp me rrëmbimin e fëmijëve. Në dijeni janë dhe familjarët e tyre.

“Fëmijët e moshës 11 vjeç ose 12 vjeç i marrin dhe nuk i japin informacion se ku po i dërgojnë”, shprehet për A2, Agim Ndregjoni, daja i Eva dhe Endri Dumanit.

“Dija na ka thënë se aty po merren fëmijët. Na ka thënë se kanë ngelur 10-15 gra shqiptare. Se si i kanë marrë, ata nuk e dinë”, thotë Tahir Balliu, kunati i Ruzhdie Balliut.

Tahir Balliu nga Librazhdi ka vëllanë dhe kunatën, Ruzhdien, në Siri. Për vëllanë e tij nuk dihet asgjë, ndërsa përpjekjet e familjes Balliu nuk kanë reshtur për të bërë diçka, por sërish e njëjta përgjigje.

“Ata na kanë thënë se po punojnë, por se si po punojnë, ne nuk e dimë”, thotë Balliu.

“Ne kemi pasur edhe kontakte zyrtare dhe gjithmonë na është thënë që po punohet. Shpesh na është thënë se do të mbyllet kjo procedurë e riatdhesimit të fëmijëve dhe grave, por është një kohë prej një viti e gjysmë dhe nuk kemi parë asgjë konkrete”, shprehet Dumani.

Prej më shumë se 1 viti, familjet kërkojnë riatdhesimin e tyre. “Ata ka se kush i pret këtu. Unë nuk mendoj se do të jenë shqetësim për shoqërinë, pasi shumica janë gra dhe fëmijë”, thotë Dumani.

Në deklaratat zyrtare të institucioneve shqiptare përmendet puna, e cila vijon ende për shqiptarët e mbetur në Al Hawl, por deri më tani nuk ka iniciativa konkrete, veç vajtjes në Liban të ministrit të Brendshëm për Alvin Berishën.

Artikulli i mëparshëmStudimi/ Mosha e fëmijëve që e përhap më shumë koronavirusin
Artikulli i radhësGjeografia e Covid-19/ Shqipëria teston njësoj si vendet afrikane