Forbes / 20 miliarderët në botën e teknologjisë

0

Miliarderët e fushës teknologjike vazhdojnë të dominojnë vendet e para në renditje…

Forbes publikoi javën e kaluar klasifikimin e përvitshëm të njerëzve më të pasur në botë. Për të tretin vit me radhë, Jeff Bezos është njeriu më i pasur në botë. Në vend të dytë, Bill Gates, ndjekur nga manjati i produkteve luksoze, Bernard Arnault.

Në klasifikimin e përvitshëm të Forbes bëjnë pjesë edhe 241 miliarderë në fushën e teknologjisë, në rritje të ndjeshme krahasuar me 215 të tillë vitin e kaluar. Pasuria e tyre kap shifrën 1,4 trilionë $, ose 16% e pasurisë totale të 2.095 miliarderëve që përbëjnë renditjen e Forbes. 20 njerëzit më të pasur në fushën e teknologjisë vlejnë në total 740 mld $, disi më pak krahasuar me 758 mld $ vitin e kaluar.

#1 JEFF BEZOS, Amazon (SHBA) – Pasuria neto: 113 miliardë $
Në mes të marsit, Amazon njoftoi punësimin e 100 mijë punonjësve, me kohë të plotë e të pjesshme, në qendrat logjistike për t’i bërë ballë rritjes së kërkesës nga ana e konsumatorëve të izoluar në shtëpi, si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Por përpara fundit të muajit, të paktën 10 punonjës janë prekur nga COVID-19. Më 2 prill, Bezos publikoi në Instagram lajmin se do t’i dhuronte 100 mln $ Feeding America, një organizatë jofitimprurëse që menaxhon bankat e ushqimit në SHBA. Pasuria neto e Bezos ka rënë krahasuar me 131 mld $ vitin e kaluar, pasi i kaloi ish-gruas MacKenzie Bezos 36,8 mld $ në aksione të Amazon, si pjesë e marrëveshjes së divorcit të nënshkruar në mes të 2019-s.

#2 BILL GATES, Microsoft (SHBA) – Pasuria neto: 98 mld $
Bill Gates, njeriu i dytë më i pasur në botë, njoftoi në mars se do të bënte një hap pas, duke dhënë dorëheqjen nga bordi drejtues i Microsoft, shoqëria e software të cilën e themeloi së bashku me Paul Allen në 1975.

Në shkurt, fondacioni i tij njoftoi se do të dhuronte 100 mln $ në kërkimet për koronavirusin dhe për një vaksinë. Pasuria e tij është rritur krahasuar me 96,5 mld $ vitin e kaluar, pjesërisht falë rritjes së aksioneve të Microsoft.

#3 LARRY ELLISON, Oracle (SHBA) – Pasuria neto: 59 mld $
Ellison është njeriu i 5 më i pasur në botë. Themeluesi i Oracle është angazhuar në luftën kundër koronavirusit për të krijuar një databazë të rasteve të prekur me virusin në të gjithë vendin, në bashkëpunim me Shtëpinë e Bardhë, Food and Drug Administration, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë dhe agjenci të tjera federale. Vitin e kaluar Ellison renditej i 7 në klasifikimin e njerëzve më të pasur në botë, me 62,5 mld $.

#4 MARK ZUCKERBERG, Facebook (SHBA) – Pasuria neto: 54 mld $
Në korrik të vitit të kaluar, Facebook mori një gjobë historike prej 5 mld $ nga Federal Trade Commission për shkeljen e privatësisë së përdoruesve. Rrjeti social, që sot numëron rreth 3 mld përdorues, është shndërruar në një mjet komunikimi për gjithë ata që janë në izolim të detyruar.

Facebook është ndër kompanitë e para të mëdha teknologjike që njoftoi një bonus prej 1 mijë eurosh për gjithë punonjësit, që t’u bëjnë ballë pasojave ekonomike të koronavirusit. Vitin e kaluar, Zuckerberg renditej i 8 në klasifikimin e njerëzve më të pasur. Sot pasuria e tij ka rënë me 7,6 mld $.

#5 STEVE BALLMER, Microsoft (SHBA) – Pasuria neto: 52,7 mld $
Me një pasuri neto në rritje krahasuar me 41,2 mld $ vitin e kaluar, Ballmer renditet i 11 në klasifikimin e njerëzve më të pasur në botë. Pronari i Los Angeles Clippers (NBA) ka vendosur, së bashku me Los Angeles Kings (NHL), Los Angeles Lakers (NBA) dhe Staples Center të ndihmojë financiarisht gjithë punonjësit e goditur rëndë nga pezullimi i aktiviteteve sportive. Ai bleu Clippers në 2014, në të njëjtin vit që dha dorëheqjen si CEO i Microsoft.

Sergey Brin (në të majtë) dhe Larry Page (në të djathtë)

#6 LARRY PAGE, Google (SHBA) – Pasuria neto: 50,9 mld $
Page dha dorëheqjen si CEO i Alpabet në dhjetor të vitit të kaluar, por mbetet anëtar i bordit drejtues.

Google është ngarkuar nga presidenti Trump të krijojë një faqe që të ndihmojë qytetarët amerikanë të gjejnë vendin më të afërt për të bërë testin e koronavirusit. Pasuria e Page është rritur këtë vit me 100 mln $.

#7 SERGEY BRIN, Google (SHBA) – Pasuria neto: 49,1 mld $
Brin dha dorëheqjen në dhjetor si president i Alphabet, kompania mëmë e Google. Megjithatë ai mbetet aksioneri mazhoritar në bordin drejtues. Pasuria e tij është zvogëluar me 700 mln $ krahasuar me klasifikimin e vitit 2019.

#8 JACK MA, Alibaba Group (Kinë) – Pasuria neto: 38,8 mld $
Ma dha dorëheqjen si president i Alibaba-s në shtator të vitit të kaluar dhe ka thënë se dëshiron të angazhohet më shumë në filantropi. Në mars, Jack Ma Foundation njoftoi dhurimin e 1 milion maskave dhe 500 mijë kiteve për testet mbi koronavirusin në SHBA. Pasuria e Jack Ma është rritur me 1 mld e gjysmë krahasuar me 2019.

#9 MA HUATENG, Tencent (Kinë) – Pasuria neto: 38,1 mld $
Të mbyllur në shtëpi, shumë kinezë janë duke luajtur në smartphonet e tyre lojërat online të Tencent, duke rritur ndjeshëm përdorimin. Pasuria e themeluesit të Tencent, Ma Huateng, ka rënë krahasuar me 38,8 mld $ vitin e kaluar.

Mackenzie Bezos

#10 MACKENZIE BEZOS, Amazon (SHBA) – Pasuria neto: 36 mld $
Bezos hyn në klasifikimin e këtij viti pas divorcit dhe marrëveshjes së ndarjes nga ish -bashkëshorti, me vlerë një e katërta e paketës së aksioneve të Amazon. Ajo u bë pjesë e fushatës Giving Pledge në maj.

#11 MICHAEL DELL, Dell Computers (SHBA) – Pasuria neto: 22,9 mld $
Pasuria e Michael Dell ka rënë krahasuar nga 34,4 mld $ vitin e kaluar. Pavarësisht gjithçkaje, në mars, Dell Technologies premtoi të paktën 4 mld $ për të financuar spitalet në luftën kundër COVID-19.

#12 WILLIAM LEI DING, NetEase (Kinë) – Pasuria neto: 17 mld $
Pasuria e Ding është rritur me 2,3 mld $ krahasuar me vitin 2019, pjesërisht për shkak të përhapjes së koronavirusit. Ai kryeson NetEase, një nga platformat e para të gaming online në botë, por është i angazhuar edhe në fushën e arsimit.

#13 COLIN ZHENG HUANG, Pinduoduo (Kinë) – Pasuria neto: 16,5 mld $
Huang është president dhe CEO i Pinduoduo, ndër platformat më të mëdha e-commerce në Kinë. Pinduoduo fitoi 1,6 mld $ kur në vitin 2018, kompania e tij u kuotua në bursë në Shtetet e Bashkuara. Vlera e aksioneve është rritur aq shumë saqë pasuria neto e Huang është rritur me 3 mld krahasuar me klasifikimin e vitit 2019. Huang ka themeluar më parë edhe kompaninë e lojërave online Xinyoudi dhe faqen e e-commerce Ouku.com.

Laurene Powell Jobs

#14 LAURENE POWELL JOBS, Apple e Disney (SHBA) – Pasuria neto: 16,4 miliardw $
Powell Jobs është themeluese dhe presidente e Emerson Collective. Pasuria e saj është zvogëluar me 2,2 mld $ krahasuar me vitin e kaluar, pjesërisht për shkak të rënies së çmimeve të aksioneve të Disney. Ajo është e veja e Steve Jobs, themelues i Apple, i cili vdiq në vitin 2011 dhe trashëgimtare e kompanisë.

#15 ZHANG YIMING, ByteDance, TikTok (Kinë) – Pasuria neto: 16,2 mld $
Jo të gjithë e njohin emrin e Zhang Yiming, por aplikacioni për video streaming TikTok është ndër më të njohurit në të gjithë botën, me më shumë se 1 mld shkarkime. Në vitin 2012, Zhang themeloi ByteDance e cila është rritur dhe shndërruar në një nga platformat më të mëdha dixhitale në të gjithë Kinën, me vlerë 75 mld $.

#16 ERIC SCHMIDT, Google (SHBA) – Pasuria neto: 13,2 mld $
Schmidt u largua nga bordi drejtues i Alphabet, në qershor të vitit të kaluar, pasi ka qenë drejtues i saj për 18 vjet dhe CEO i Google nga viti 2001 deri në vitin 2011. Ai kryeson National Security Commission on Artificial Intelligence dhe Defense Innovation Board. Pasuria e tij neto vlen 300 milionë $ më shumë krahasuar me 12,9 mld $ në vitin 2019.

#17 DIETMAR HOPP, SAP e CureVac (Gjermani) – Pasuria neto: 13 mld $
Hopp është aksioner mazhoritar i kompanisë farmaceutike CureVac, e cila po punon për një vaksinë kundër koronavirusit. CureVac thotë se vaksina do të jetë gati për testet klinike brenda qershorit. Por Hopp është i pasur sepse themeloi bashkë me Hasso Plattner, kolosin gjerman të software SAP në vitin 1972. Pasuria e tij është reduktuar me 400 milionë $ më pak krahasuar me 2019, për shkak të rënies së vlerës së aksioneve të SAP.

Zhang Zhidong

#18 ZHANG ZHIDONG, Tencent (Kinë) – Pasuria neto: 13 mld $.

Zhang ka qenë chief technology officer i shoqërisë së internetit Tencent për 16 vjet, deri kur vendosi të japë dorëheqjen në vitin 2014. Ai u takua me themeluesin e Tencent, Ma Huateng (i njohur si “Pony” Ma) në Universitetin e Shenzhen. Zhang ka ende një pjesë, rreth 3% të Tencent. Krahasuar me vitin e kaluar, pasuria e tij është zvogëluar me 300 milionë $.

#19 HASSO PLATTNER, SAP (Gjermani) – Pasuria neto: 12,4 mld $
Bashkëthemelues i gjigantit të software SAP së bashku me miliarderin Dietmar Hopp, Plattner është ende president i bordit drejtues të SAP, ndërsa ka dhënë dorëheqjen si CEO në vitin 2003. Ai ka themeluar Hasso Plattner Institute, një universitet për të gjithë ata duan të diplomohen në sistemet IT dhe inxhinierinë informatike. Pasuria e tij është zvogëluar me 1,1 mld $ krahasuar me vitin e kaluar për shkak të rënies së vlerës së aksioneve të SAP.

#20 SHIV NADAR, HCL Technologies (Indi) – Pasuria neto: 11,9 mld $
Nadar është themelues dhe president i HCL Technologies, një kompani shërbimesh IT. E krijuar në vitet ’70 në garazhin e shtëpisë, shoqëria është rritur dhe sot numëron 137 mijë punonjës dhe 8,6 mld $ të ardhura. Megjithatë, pasuria e Nadar është zvogëluar me 2,7 mld $ krahasuar me vitin 2019, për shkak të rënies së çmimeve të aksioneve të HCL Technologies.

Artikulli i mëparshëmVanda Nara “ngre temperaturat” me foto hot nga izolimi
Artikulli i radhësTatimet: Ja si do shpërndahet ndihma financiare përmes paketës së dytë