Problemet që vijnë nga përzierja e fesë dhe politikës në Turqi

0

Nga Haldun Gülalp “Open Democracy”

* Në mesin e shekullit XX, Turqia vlerësohej si një model i shekullarizmit në shoqërinë myslimane, që mundi të arrihej vetëm përmes imponimit shtetëror nga lart-poshtë. Por deri në fund të atij shekulli, kur dominonte multikulturalizmi postmodern, Turqia nisi të shihej si një shembull i shekullarizmit autoritar, intolerant ndaj shprehjes fetare. Pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në SHBA, Turqia u ngrit sërish në piedestal, këtë herë si një model i “islamit të moderuar”, si një alternative ndaj variantit me sa duket të rrezikshëm “radikal”, edhe pse përcaktimi është hedhur poshtë nga Rexhep Tajip Erdogan, president i Turqisë dhe udhëheqësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) vazhdimisht në pushtet që nga viti 2002.

Erdogan ka vënë vetë në dyshim ekzistencën e një ndryshimi midis qëllimeve të islamizmave të ashtuquajtur “të moderuar” dhe “radikal”, përveçse për sa i përket metodës politike. Me 28 nëntor 2019, gjatë seancës përmbyllëse të një mbledhje të Këshillit Fetar të Turqisë, Erdogan shprehu qartë prioritetet e tij si president: “Sipas besimit tonë, feja nuk është e kufizuar në hapësira dhe kohë të caktuara. Islami është një grup rregullash dhe ndalimesh, që përfshijnë të gjitha aspektet e jetës sonë. …Na është urdhëruar të jetojmë si myslimanë … Askush nuk mund t’i mohojë këto parime, pasi një mysliman është i detyruar ta përshtatë jetën e tij me thelbin e fesë së tij, dhe jo fenë me kushtet e tij të jetesës. …

Edhe nëse mund të jetë e vështirë, ne do t’i vendosim rregullat e fesë sonë në qendër të jetës sonë, dhe jo kërkesat e kohës sonë”. Dhe përzierja e fesë dhe politikës nga ana e AKP-së kë shumë rreziqe. Pasojat e saj të rënda mund të vërehen në gati të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe politike, edhe nëse i lëmë mënjanë ato probleme, për të cilat dikush mund të argumentojë se nuk janë të lidhura ekskluzivisht me islamizmin, dhe që mund të shfaqen edhe në regjime të tjera. Për shembull, këto probleme do të përfshijnë çështjen e raportuar gjerësisht të kapitalizmit nepotik, korrupsionit dhe keq-administrimit ekonomik, apo praktikës autoritare të përndjekjes së akademikëve, studentëve dhe gazetarëve, kritikë ndaj politikave të qeverisë, apo rënien e shpejtë të statusit të grave, përfshirë shpërthimin e rasteve të dhunës vrastare ndaj tyre.

Edhe pse ekziston në fakt një lidhje midis këtyre çështjeve, dhe imponimit autoritar të një regjimi islamik. Për më tepër, në politikën e jashtme, qeveria ndjek një politikë “neo-otomane”, duke mbështetur rrjetet e Vëllazërisë Myslimane, duke humbur aleatët tradicionalë, dhe duke u prirë të përdorë forcën ushtarake në rajon, në vend të pushtetit të butë diplomatik. Brenda Turqisë, ndërhyrja në stilin e jetës së njerëzve, kryesisht në formën e kufizimit të konsumit të alkoolit përmes taksave tejet të larta, dhe një politike për të kufizuar kohën dhe zonat e shitjes dhe konsumit të alkoolit, cënon jo vetëm lirinë e zgjedhjes së qytetarëve, por ka shkaktuar indirekt edhe humbje jetësh, për shkak të prodhimit dhe shitjes së paligjshme të pijeve të rreme.

Diskriminimi i ashpër në bazë të identitetit fetar apo shkallës së besimit, përfshirë këtu edhe punësimin në administratën publike, ka qenë i shfrenuar. Thirrjet e përsëritura të Erdoganit që nga viti 2012, për të “rritur breza të devotshëm” çuan në një ndryshim rrënjësor të gjithë kurrikulës arsimore. Udhëzimet fetare, nisëm të zënë një pjesë më të madhe të kurrikulës në të gjitha nivelet e arsimit. Më konkretisht, shkollat Imam-Hatip, të krijuara fillimisht në periudhën e hershme të republikës për trajnimin e imamëve, të punësuar nga Drejtoria e Çështjeve Fetare (DRA), nisën të kthehen në një vend të zakonshëm për arsim dytësor të djemve dhe vajzave.Nga viti 2012, numri dhe financimi i tyre nga buxheti publik është shumëfishuar .

Numri i shkollave të mesme Imam-Hatip u 4-fishua nga 450 (në vitet 2002-2003) në 854 (në vitet 2013-2014), në 1623 (në vitt 2018-2019), duke pasur mbi 1 milionë nxënës. Buxheti për nxënës për këto shkolla, është gati 2-fishi i mesatares për shkollat e tjera. Gjithsesi, shkalla e suksesit të maturantëve të shkollave Imam-Hatipit në provimet e pranimit në universitet është më e ulta midis të gjitha llojeve të shkollave të mesme. Një devijim i tillë i burimeve buxhetore drejt këtyre shkollave, rrezikon një rënie të nivelit të përgjithshëm të arsimit. Prirje të ngjashme, mbizotërojnë edhe në nivelin universitar.

Gati gjysma e 200 universiteteve (publike dhe private) në Turqi kanë fakultete teologjie , shumica e të cilave janë hapur që nga viti 2010, dhe që aktualisht kanë më shumë se 100.000 studentë, 60 përqind e të cilëve janë gra. Për më tepër, tendenca e fundit në emërimin e rektorëve të universiteteve nga presidenti Erdogan, ka qenë në favor të atyre me prejardhje teologjie islamike. Kërcënimi që “arsimi laik” paraqet për qeverinë e AKP është real dhe jo një iluzion. Ekziston vërtet një marrëdhënie e kundërt, midis nivelit të arsimit dhe nivelit të besimit.

Po kështu, mbështetja elektorale për AKP-në, është në një raport të kundërt me nivelin e arsimit, por në një lidhje direkt me nivelin e besimit fetar. Megjithatë, në mënyrë paradoksale, përpjekja e Erdoganit për të “rritur breza të devotshëm” ka qenë një proces vetë-mposhtës. Të rinjtë e shtresës së lartë dhe të mesme shekulariste, familjet e të cilëve kishin mundësi t’i dërgonin jashtë vendin për një arsimim më të mirë, kanë nisur që të largohen nga vendi.

Ndërkohë të rinjtë nga shtresa e ulët konservatore, familjet e të cilëve kanë qenë baza e pushtetit të AKP-së, ndërsa amund të mos jenë në gjendje të largohen, kanë nisur që distanciohen nga feja. Raportet tregojnë një rënie të besimit fetar, dhe rritje të ateizmit, duke alarmuar qeverinë e AKP-së dhe establishmentin e saj fetar. Duket se përzierja e fesë me politikën, nuk u shërben as për qëllime fetare. Politika duhet të mbetet jashtë fesë.

Artikulli i mëparshëmIntervista / Condoleezza Rice shpjegon “Katër Kalorësit e Apokalipsit”
Artikulli i radhësNga SHBA-ja tek India/ Pesë vendet, që janë thuajse të pamundura për t’u pushtuar