Për të përballuar pasojat e pandemisë globale Covid-19, qeveria shqiptare duket se u mjaftua vetëm me paketat ndihmëse që ofroi në fillim të zyrtarizimit të saj, ndërsa tani po vijon të mendojë për projektet madhore prej miliona eurosh, që nuk do ti ndihmojnë direkt, të goditurit nga kjo situatë. Ndihmat e dhëna nga qeveria përfshijnë fondin prej 100 milionë eurosh për pagat e luftës prej të cilit kanë përfituar 200 mijë persona. Po ashtu, për bizneset e mëdha, kanë qenë të disponueshme edhe dy fonde garancie, i pari për pagat, rreth 11 miliard lekë në total dhe fondi i dytë prej 15 miliard lekësh për likuiditete. Sipas ministrisë së financave prej këtyre fondeve janë përdorur rreth 38%, ku përdorimi më i ulët ka qenë nga paketa e dytë me rreth 20%. Ekspertët thonë se këto ndihma nuk kanë sjellë efektin që pritej prej tyre, pasi në vend është rritur papunësia, pabarazia sociale dhe tani vendi po vuan krizën e konsumit.
Ekspertët: vendi po vuan papunësinë dhe pabarazi sociale
Arben Malaj, ekspert ekonomie tha për “Monitor Ekonomi” se “Në rishikimin e buxhetit që bëri qeveria janë rreth 50 miliard lekë që do t’i mungojnë buxhetit të shtetit, të cilat duhet të kompensohen me zëra të tjerë, por që është e pamundur. E dyta, shkurtimi i shpenzimeve, vret më shumë shtresat e varfra dhe të papunët. E treta, që besoj, do të ndodhë më shumë, është rritja e deficitit dhe borxhit publik, pra ne në 2020 do të prodhojmë një borxh në rritje që do të mbetet një barrë e rëndë edhe për gjeneratat e tjera, jo vetëm për taksapaguesit e tanishëm. Kështu që në vend që të bëjmë aritmetikë me ekonominë, duhet të bëjmë politika të mirëfillta sociale sesi ekonomia duhet të dalë nga kriza, dhe sesi ne i kthehemi normalitetit që në thelbin e tij duhet të jetë kthimi i punës, kthimi i të ardhurave reale dhe kthimi i pritshmërive pozitive për të ardhmen.”
Më e rëndë kriza ishte për bizneset e vegjël, të cilët ose janë mbyllur duke hedhur në treg më tepër të papunë ose janë në krizë për likuiditet. Në një ekonomi si kjo e jona, ku numrin më të lartë të sipërmarrjeve e kanë tregtia dhe shërbimet, mbyllja e tyre, ka çorientuar mënyrën si ishte ndërtuar struktura jonë ekonomike.
Shpëtim Agolli, nënkryetar i Shoqatës së Biznesit të vogël e konsideron shumë të ulët mbështetjen e qeverisë për të vegjlit. “Qeveria për të përkrahur të gjithë biznesin ka dhënë vetëm 85 milion euro dhe po ta llogarisësh me pagën minimale prej 26 mijë lekësh, t’i pjesëtosh me 3 muaj, del që vetëm 149 mijë punonjës janë stimuluar me këtë pagë. Ne pretendojmë që të papunë kanë mbetur 250 mijë apo 300 mijë njerëz. Ne shpesh herë kemi thënë që kjo ishte më tepër si asistencë sociale, ndërkohë që kishim kërkuar të tjera ndihma dhe përkrahje nga qeveria që biznesi sot të mos ndodhej në vështirësi. Shumë biznese prej mungesës së likuiditetit po ulin qepenat, plus edhe qarkullimi ka rënë, po punojnë me 30% të xhiros.”
Në pamje të parë, më e lehtë kriza duhet të ishte për bizneset e mëdha, pasi iu ofrua edhe kredi me garanci sovrane, por në fakt shfrytëzimi i saj ka qenë mjaft i ulët.
Profesor Adrian Civici, ekspert ekonomie thotë se “një pjesë e madhe e bizneseve nuk e konsiderojnë këtë lloj ndihme për biznesin si një formë efikase sepse kanë ndodhur disa fenomene pse nuk mund të shfrytëzohet në ato përmasa dhe në atë vëllim që u dha kjo kredi.
Së pari, ekzistonte një kusht që të gjitha ato biznese që deri në muajin shkurt të vitit 2020 kishin pasur qoftë edhe probleme minimale me sistemin e kredisë së mëparshme, duke mos qenë korrekt dhe të rregullt në pagesa, nuk mund të përfitonin nga kjo kredi. Së dyti, bizneset mendojnë që megjithëse norma e interesit që u servir se ishte relativisht e ulët, në fakt nuk ishte dhe aq favorizuese dhe tërheqëse sepse nuk duhet të harrojmë që 65% e bizneseve shqiptare ishin tashmë në një sistem kredie në sistemin tonë bankar, pra nuk është se kishin ndonjë nevojë urgjente që t’i drejtoheshin këtij sistemi pasi ishin pjesë e tij. Së treti, po të kemi parasysh sidomos kredinë e dytë sovrane, bizneset në kushtet e bllokimit, të karantinës, por edhe bllokimit të aktivitetit ekonomik të shumë prej tyre, përveç nevojave të mbijetesës imediate për fondin e pagave, ishin pak të prirur për të marrë një kredi të re e cila nënkuptonte një përdorim të plotë të kapacitetit të prodhimit, një zgjerim të kapacitetit, ose një përfshirje normale në aktivitetin ekonomik të vendit dhe në tregje, sigurisht duke respektuar kontratat dhe detyrimet.
Në të njëjtën linjë është edhe prof. Malaj. “Nuk kishte ndonjë etje të madhe për të marrë kredi sepse në një ekonomi që nuk është e sigurt sesi do të rritet, kjo kredi mbetet një borxh. Pavarësisht se qeveria thotë se është garanci sovrane 100%, në fund të fundit duhet të jetë biznesi që duhet të përgjigjet për cilësinë e kredimarrjes, duhet të jetë ministri i financave përgjegjës ligjor për përzgjedhjen e kompanive që kanë më shumë nevojë apo përzgjedhjen e kompanive që kanë më shumë mbështetje elektorale me qeverinë. Kështu që për mua, pjesa e dizenjimit është më e lehtë, por pjesa e implementimit në vende me institucione të dobëta ku qeveria shqiptare vlerësohet për korrupsionin e përhapur dhe riskun e kapjes së shtetit, është e vështirë të jesh optimist që pavarësisht nga madhësia e paketave të kemi rezultatet që presim në ekonomi.”
Ekspertët, por edhe ata që po vuajnë më rëndë pasojat e pandemisë, shprehen të pakënaqur nga paketat ndihmëse të deritanishme prej qeverisë. Por cilat do të mund të ishin disa alternativa për të dhënë ndihmë konkrete?
Prof. Civici propozon se “më e rëndësishme dhe më direkte do të ishte, ashtu siç kanë vepruar edhe vende të tjera, që të gjendeshin forma të kalimit të likuiditetit direkt tek bizneset qoftë për të mbajtur status quo-në deri kur të fillojë procesi normal i prodhimit, ose për të përmbushur kërkesat më minimaliste dhe më të domosdoshme të dhënies së pagave dhe të një aktiviteti minimal pa rrezikuar që ato të mbyllen, të falimentojnë ose të ndërpresin për një kohë të gjatë prodhimin e tyre”
Sipas ish ministrit të financave Arben Malaj taksapaguesit po paguajnë jo për ato që kanë nevojë urgjente, por për gjobat në adresë të qeverisë. “Janë qindra milionë euro që do të vijnë si detyrim mbi taksapaguesit shqiptar. Më lejoni të them vetëm një shifër, gjoba 110 milion euro e rastit Becchetti. Detyrimi për gjobën, me kursin aktual të euros është më e lartë se i gjithë buxheti i bujqësisë. Pra, me një gjobë, rrënohen 45% e popullsisë që jeton në zonat rurale. Sa shtretër mund të shtoheshin për të luftuar më mirë pandeminë, sa infrastrukturë në arsim, në shëndetësi, por edhe në logjistikën e informatikës pengohen për t’u kryer në kohën e duhur sepse gjithnjë e më tepër ne po paguajmë gjobat e qeverisë Rama e cila identifikohet me 4 tipare kryesore, e pa arsimuar për shkak të reformave të dështuara, e papërgjegjshme për shkak të humbjeve të mëdha në gjyqe, arrogante sepse ka drejtuar jo duke u bazuar tek ligji, por tek pushteti absolut, dhe e fundit me PPP dhe me kostot e rënda mund të konsiderohet pa hezitim një qeveri e babëzitur.”/MONITOR