Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës Federale në Zvicër për Skënderbeun. 24 orë pasi vetë klubi korçar njoftoi se ishte lënë në fuqi dënimi 10-vjeçar nga UEFA dhe gjoba 1 milion euro, “Panorama Sport” publikon sot të gjithë kronologjinë e dosjes “Skënderbeu” dhe arsyet e mbetjes në fuqi të dënimit drastik. Në dokumentin prej 21 faqesh në versionin “PDF” të Gjykatës Federale, fillimisht bëhet e ditur se KS Skënderbeu si paditës u përfaqësua në gjyq nga avokati i njohur zviceran, Zhan Sedrik Mishel.
UEFA kishte dy përfaqësues (Saverio Lembo dhe Alexandra Johnson), ndërsa theksohet se rekursi i çështjes nga Skënderbeu është bërë kundër vendimit të datës 12 korrik 2019 të dhënë nga KAS-i. Ajo që vihet re në fund të dokumentit është citimi se ky vendim është marrë që më 29 korrik 2020. Pra, që dy javë më parë Skënderbeu kishte dijeni se nuk e kishte fituar dot gjyqin.
FILLIMI I ÇËSHTJES
* Klubi Sportiv Skënderbeu është një klub profesionist futbolli shqiptar, anëtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili është i lidhur me UEFA-n, si një shoqatë e regjistruar në regjistrin tregtar sipas ligjit zviceran dhe me seli në Nion.
* Një nga detyrat e UEFAs është të merret me të gjitha çështjet e lidhura me futbollin europian. Ajo operon në bashkëpunim me kompaninë private “Sportradar”, si dhe një sistem për zbulimin e mashtrimit në bastet sportive (Sistemi i Detektimit të Mashtrimit të Basteve; këtej e tutje: BFDS). Që nga viti 2010, ky sistem ka identifikuar më shumë se 50 ndeshje të luajtura nga klubi i Skënderbeut, rezultatet e të cilave dyshohet se janë manipuluar.
* Më 13 maj 2016 inspektorët e Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s (këtu e tutje: inspektorët e UEFA-s) hartuan një raport në të cilin pretenduan se klubi nuk lejohej të merrte pjesë në edicionin 2016-2017 të Ligës së Kampioneve, që fut në garë klubet më të mira europiane.
* Me vendimin e 21 nëntorit 2016, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv konfirmoi vendimin e dhënë më 1 qershor 2016 nga Organi i Apelit të UEFA-s, që ndalon klubin të marrë pjesë në garat e organizuara nga UEFA gjatë sezonit 2016-2017.
* Pas këtij vendimi të arbitrazhit, inspektorët e UEFA-s hapën një dosje të re kundër klubit. Në raportin e tyre të datës 7 shkurt 2018, ata arritën në përfundimin se, sipas rregullave disiplinore të UEFA-s, klubi ishte përgjegjës për veprimet e lojtarëve, trajnerëve dhe zyrtarëve të tij.
DOSJA ME 4 NDESHJE DHE DËNIMI EKSTREM
* Më 8 shkurt 2018 klubi u njoftua për hapjen e një dosjeje disiplinore ndaj tij. Në mbështetje të akuzave të saj për fiksimin e ndeshjeve, UEFA u mbështet në raportet e hartuara në kuadër të BFDS-së (raportet e Sistemit të Detektimit të Mashtrimit të Basteve) në lidhje me katër ndeshjet të luajtura nga klubi i Skënderbeut:
* humbja 2-3 më 21 korrik 2015 kundër FC Krusaders, një ndeshje e vlefshme për Ligën e Kampioneve;
* humbja 1-4 më 25 gusht 2015 kundër NK Dinamo Zagreb, një ndeshje e vlefshme për Ligën e Kampioneve;
* humbja 1-5 e 22 tetorit të 2015-ës kundër Sporting, një ndeshje e vlefshme për Ligën e Europës;
* humbja 0-3 e 10 dhjetorit 2015 kundër FC Lokomotivës së Moskës, një ndeshje e vlefshme për Ligën e Europës;
* Me vendim të 29 marsit 2018 Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës në UEFA pezulloi klubin e Skënderbeut nga të gjitha kompeticionet europiane për dhjetë sezonet e ardhshme dhe e gjobiti atë me një milion euro.
* Duke vendosur aktvendimin me 26 prill 2018, Organi i Apelit në UEFA hodhi poshtë ankesën e klubit dhe la në fuqi vendimin e kontestuar./panoramasport