Ditën e djeshme mediat raportuan takimin e Edi Ramës me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviç në brigjet e Jalës. Miqësia e Ramës me Milanoviç është më e hershme se sa viti 2020, pasi ish-kryeministri i Kroacisë ka qenë edhe shefi i ish-diplomates së deleguar si ambasadore, Romana Vlahutin. Ndërsa Milanoviç, pas largimit nga pushteti në Kroaci, ishte këshilltar i qeverisë Rama, në vitin 2016 ai u prezantua nga Rama si një këshilltar për fazat e mëtejshme të integrimit.
Megjithëse procesi i integrimit në Shqipëri është futur në ujra të turbullta që pas shkeljes së marëveshjes së 5 qershorit 2020, presidenti aktual i Kroacisë duket se është shpërblyer për punën e tij. Mediat kroate raportojnë se vëllai i presidentit Milanoviç ka përfituar një kontratë të majme nga taksat e shqiptarëve.
I akuzuar në mediat kroate si një njeri që tradhëtoi besimin e votuesve të tij, Milanoviç mundi të rikthehej në politikë duke mundur në raund të dytë rivalen Kitaroviç.
Në shtatorin 2018 qeveria Rama do të rikthente në treg idenë e dhënies me koncesion të sistemit të Drejtorisë së Tatimeve. Megjithëse qeveria austriake kishte shpenzuar miliona euro për një program të tillë, qeveria shqiptare pretendoi se programi i ri fiskal do të ulte formalitetin. Kështu ajo nisi procedurat për të shpallur një tender ndërkombëtar me vlerë rreth 16 mln euro në të cilën aplikoi dhe konsorciumi Neos D. O. O+Datech shpk+ Jehona Software.
E akuzuar nga PD si një tender i parapërcaktuar për t’u fituar nga një kompani kroate, qeveria nuk zhgënjeu dhe në tetor 2018 shpalli fituese pikërisht të njëjtin konsorcium. PPP-ja e radhës u kundërshtua edhe nga kompania BNT Electronics, e cila ndonëse kishte ofruar një vlerë më të vogël, u zhvlerësua nga qeveria shqiptare njësoj si edhe komiteti i ankesave që refuzoi kërkesën e saj për përsëritje.
Tre muaj pasi trioja fitoi një tender me vlerë 16 mln euro, kompania Jehona Software shiti aksionet e saj në komapninë kroate Primus Adriatic. Sipas dokumentave dhe kontratës së shitjes së aksioneve vlera e aksioneve të shitura ishte 45.865 euro dhe kontrata e shitjes u firmos në dhjetor 2018 nga të dyja palët.
Dhe kështu historia e kompanisë që përmbushte kushtet për të cilat u fitua tenderi do të shiste aksionet e saj me një vlerë që është më pak se 10% se sa vlera e PPP-së. Për të kuptuar se çfarë fshihet pas shitjes së këtyre aksioneve duhet të kthejmë vështrimin në aksionerët dhe kush është pas kompanisë Primus Adriatic. Çabrajiç është një mik shumë i afërt i presidentit aktual të kroacisë, Milanoviç.
Në Kroaci, Çabrajiç njihet gjërë e gjatë për aferën e floririt, një aferë e trajtuar gjerë e gjatë nga Ana Marceta në një intervistë për gazetën “Jutarni”. Ajo shpjegon aty lidhjet dhe se si nisën hetimi tatimor për tregun e floririt dhe se si ky investigim u pre kur në dokumenta u shfaq kompania e Hrvoje Çabrajiç, për të cilën në Kroaci janë të bindur se kishte si “kumbar” vëllain e kryeministrit të asaj kohe, Zoran Milanovic.
Sipas të dhënave të thesarit nga buxheti i shtetit, kompania në pronësi të mikut të afërt të presidentit kroat ka përfituar thuajse 10 mln euro, ndërkohë që implementimi i programit të fiskalizimit është shtyrë nga qeveria shqiptare.
Me sa duket miqësia e ngushtë e Ramës me Zoran MIlanoviç sikundër dhe shërbimet e tij në lidhje me Shqipërinë nuk kanë mbetur pa u paguar me një PPP të majme dhe që deri më sot shqiptarët nuk e kanë parë të impelmentohet ndonëse kanë paguar 62% të vlerës së saj.