Zëri i Amerikës: Shoqatat e Medias të shqetësuara për riaktivizimin e përpjekjeve për të miratuar ligjin

0

Në Tiranë, parlamenti ka futur në programin e punës ndryshimet në ligjin për mediat audio-vizive.

Ato janë pjesë e të ashtuquajturës paketa antishpifje, e cila u kritikua me vendosmëri nga organizatat shqiptare dhe ndërkombëtare të shtypit.

Njoftimi riktheu shqetësimet për gjoba dhe ndërhyrje të autoriteteve ndaj gazetarëve, që e quajnë këtë nismë të qeverisë, si përpjekje të hapur për censurë.

Programi i punës së parlamentit për 6 javët e ardhshme përfshin mes të tjerash edhe shqyrtimin e dekretit të Presidentit të Republikës, i cili ktheu për shqyrtim projekt- ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

Ndërsa për dekretin e 13 janarit pritet një votim, në komisionin parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u njoftua se është ngritur grup pune për opinionet e ardhura nga Komisioni i Venecias.

Qeveria ka thënë shpesh se kjo është një përpjekje për të frenuar shpifjet në media, pra është çështje e kufizimit të lirisë për të shpifur.

Paketa ligjore, sipas përfaqësuesve të saj, synon që autorët e shkrimeve të mbajnë përgjegjësi për akuzat e pabazuara që publikojnë dhe minimalisht ta heqin nga faqet e tyre artikullin që nuk e provojnë dot.

Por përfaqësues të shoqatave të mediave pohojnë se “janë të shqetësuar për këtë riaktivizim të përpjekjeve për të miratuar një ligj për censurën e medias”.

Projekt-ligji u kthye pas nga presidenti, u rishikua imtësisht dhe nga Komisioni i Venecias, i cili zbuloi një seri problemesh të mëdha.

Drejtuesi i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, thotë se qeveria i ka kërkuar parlamentit të punojë sërish për këtë ligj, veprime që deri tani janë të fshehta dhe shoqëria civile nuk ka informacioni se si po punohet dhe me kë po konsultohen deputetët mbi përmbajtjen e re të ligjit.

“Dyshimet janë shumë të forta që ligji ka vetëm një qëllim funksioni brenda vetes: të godasë dhe të mbyllë gojën e mediave kritike. Ligji po bëhet për t’u mbyllur gojën atyre mediave, që, sipas qeverisë nuk duhet të dëgjohen, të paktën jo deri në zgjedhje. Komuniteti i mediave dhe i gazetarëve është i shqetësuar dhe u riaktivizuar. Shumë shpejt ne do të dalim me një deklaratë të përbashkët, shumë organizata bashkë, deklaratë të cilës do t’i bashkangjiten edhe mediat. Me këtë deklaratë ne do të kërkojmë transparencë të procesit dhe tërheqje të socialistëve nga miratimi i ligjit” – thotë zoti Cukali.

Sipas të dhënave të pjesshme të veprimtarëve, autoritete të larta të shumicës në qeveri kanë urdhëruar që ky ligj duhet bërë shpejt.

Ky nxitim i ka shqetësuar ata për mungesën e transparencës, sepse, sipas tyre, bëhet fjalë për një projekt-ligj të diskretituar tashmë brenda dhe jashtë vendit, dhe qëllimet e tij janë të njohura.

Edhe vëzhgues të tjerë besojnë se kjo është përpjekje flagrante e qeverisë për të goditur mediat.

Pedagogu i gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Zylyftar Bregu, thotë se kjo është një nismë është problematike, sepse kemi të bëjmë me ndërhyrjen e dy pushteteve qeverisë dhe parlamentit ndaj një pushteti tjetër autonom të publikut, sic është media.

“Futja në axhendën e qeverisë dhe të parlamentit të ashtuquajturës paketa anti-shpifje është edhe problematike edhe e papërshtatshme me kohën, sepse miratimi i këtij ligji të diskutueshëm dhe të debatuar dhe kundërshtuar gjatë nga shumë aktorë, organizma të njohura vendase dhe ndërkombëtare, mund t’i japë qeverisë një mekanizëm që ajo mund ta përdorë në dëm të mediave kundërshtare gjatë këtij viti zgjedhor” – thotë zoti Bregu.

Organizatat shqiptare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së shtypit kanë protestuar për mungesën e transparencës dhe shkeljen e të drejtave të gazetarëve.

Zoti Cukali thotë se ata do të protestojnë përsëri, sepse nuk mund të pranohet miratimi i një ligj të hedhur poshtë edhe nga partnerët europianë.

Sipas tij, shumë vende europiane e kanë vendosur si përparësi për Shqipërinë mosmiratimin e këtij ligji, i cili është i pandreqshëm, i paarnueshëm, sepse thelbi është censura.

Qeveria e ka të pamundur që ta shfaqë një ligj censure si një ligj demokratik, tha zoti Cukali, ndaj forumet ndërkombëtare e rrëzuan këtë projekt-ligj dhe i kërkuan qeverisë të mos e miratojë.

“Pavarësisht përpjekjeve dhe dhunës me të cilën qeveria dhe parlamenti i kontrolluar prej saj po e shtyn përpara ta kalojë këtë ligj, rezistenca që ata do të hasin do të jetë shumë e madhe. Nuk do të jetë e lehtë për ta dhe nuk do t’ua bëjmë të lehtë. Të paktën gjënë e fundit që na ka mbetur; liria për t’u informuar, liria për të kritikuar dhe liria e fjalës; këtë nuk do t’ua lëmë të na e marrin, sepse është një nga liritë e fundit, që na ka mbetur” – tha zoti Cukali.

Presidenti Meta ktheu në janar për rishqyrtim në parlament ndryshimet në dy ligje “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”, pasi sipas tij, ato bien në kundërshtim me parimet themelore kushtetuese dhe me dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit.

Ai tha se miratimi i këtyre dispozitave në thelb përmban elementë censurues të drejtëpërdrejtë që kufizojnë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të medias.

Pedagogu Bregu thotë se mënyra më e mirë për të rregulluar cështjet e etikës në bashkësinë e mediave janë forumet vetërregulluese të saj, që mundet dhe duhet të ngrejnë vet mediat midis tyre.

“Sigurisht që mediat online kanë problemet e veta, kanë përmbajtje të diskutueshme, shpesh edhe me lëndë të rreme, por kjo nuk zgjidhet me ndërhyrjen e ashpër të qeverisë, por zgjidhet me mekanizma vetërregullues, që duhet t’i ngrejnë vetë komuniteti i mediave, i cili është i vonuar në këtë pikë” – tha zoti Bregu.

Paketa antishpifje iu nënshtrua ndryshimeve të shumta gjatë një viti, pas shqetësimeve nga organizatat e gazetarëve dhe shoqëria civile në Shqipëri, si edhe presioni i organizatave ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, Këshillin e Europës dhe OSBE-në.

14 organizata shqiptare dhe 7 organizata ndërkombëtare të medias i kërkuan qeverisë shqiptare të tërheqë projektligjet.

Megjithatë shumica socialiste e miratoi paketën ligjore në parlament dhjetorin e kaluar, pas një viti polemika dhe seanca dëgjimore në komisionin parlamentar të mediave, ndërsa duket se gjithçka po rikthehet nga fillimi tani që presidenti dekretoi edhe datën e zgjedhjeve parlamentare.

Artikulli i mëparshëmPërgjaket Durrësi, një person plagoset rëndë pas një sherri masiv
Artikulli i radhësIzolohet ‘El Cholo’ Simeone, trajneri i Atletico Madrid infektohet nga COVID-19