Tregu ajror në korrik, Wizz Air kalon e para me 33%, charterat të dytët me 18%; Pasagjerët përgjysmohen

0

Rreth 152 mijë pasagjerë  kanë   udhëtuar  gjatë  muajit  korrik  për/  nga  TIA, nga të cilët 26,881 janë pasagjerë të fluturimeve Charter, referuar  të  dhënave  zyrtare  të  ardhura  në   Autoritetin   e   Aviacionit   Civil   nga   Aeroporti  Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Departamenti  i  Marketingut  të  Linjave  Ajrore. Të dhënat u bënë të ditur në buletinin e muajit gusht të Autoritetit të Aviacionit Civil.

Bazuar  në  të  dhënat  e  mësipërme,  në  muajin   korrik   2020   kompania   “Wizz   Air”  zotëron  tregun  me  33%  te  totalit  dhe  një  numër  prej  149,488  pasagjerë,  pasuar  nga    fluturimet  charter,  të  cilat  zotërojnë 18% të tregut dhe duke vijuar me  kompaninë  italiane  Blue  Panorama  e   cila   zotëron   me   13%   tregun.   Dy   kompanitë  shqiptare  Albawings  dhe  Air  Albania  zotërojnë  tregun  me  10  %  dhe 9%.

Sipas buletinit, Ky vazhdon të jetë muaji  i  vështirë  për  Aviacionin  Civil  në  të  gjithë  botën,  si  pasojë  e  pandemisë  COVID-19   dhe   numrat   e   udhëtarëve   janë të ulëta.

Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se në korrik të një viti më parë, udhëtimet me avion kulmuan në korrik, me 385 mijë pasagjerë, që u nisën nga Rinasi, ose kishin destinacion mbërritës aeroportin e vetëm shqiptar. Në korrik të këtij viti, numri i pasagjerëve në Rinas ra me 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar më shumë sesa përgjysmim.

Wizz Air ka qenë kompania më aktive në kohë pandemie, duke arritur të marrë pjesën më të madhe të tregut në korrik, pasi zgjeroi destinacionet në 25 të tilla si dhe hapi bazën e saj ajrore në Aeroportin Nënë Tereza. Një strategji të tillë zgjerimi Wizz po e ndjek dhe në tregjet e tjera europiane.

Më herë tregu zotërohet nga Blue Panorama dhe Alba Wings, që kryesonin në destinacionet italiane. Në korrik, të dy këto kompani kishin 22% të tregut.

Operatori shqiptar Air Albania u rendit i dyti deri për 6 mujorin e parë, kryesisht pasi ishte i vetmi që fluturoi në periudhën e pandemisë, për riatdhesimit, ndërsa në korrik ai zuri 10% të tregut, duke u renditur e katërta, pas Wizz Air, Blue Panorama dhe Alba Wings.

Charterat zunë 18% të fluturimeve në korrik, por ato ishin të kufizuara vetëm nga tre shtete, Bjellorusia, Ukraina dhe Polonia, ndryshe nga viti i kaluar kur fluturime direkte kishte nga shumë shtete të Europës, si vendet nordike, Çekia etj,  ish shtetet e bashkimit Sovjetik, por edhe nga Izraeli.

Artikulli i mëparshëmKriza godet eksportin e shërbimeve, 378 mln euro “fluturuan” jashtë në tremujorin e dytë
Artikulli i radhësEuropa do të shohë rritje të numrit të viktimave në tetor e nëntor, paralajmëron OBSH