Skemat private të pensionit kanë shënuar rritje të numrit të anëtarëve ku në qershor të këtij viti numëron 30,498 persona me një rritje 7.87 për qind në raport me fundin e vitit të shkuar. Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për ecurinë e Tregut të Pensioneve Private Vullnetare tregojnë për një rritje të vlerës neto të aseteve me 11.52 për qind duke arritur 26 milionë euro.
“Gjatë periudhës 30.06.2020, në tregun e pensioneve private vullnetare ushtruan aktivitetin e tyre katër fonde pensioni. Analiza e të dhënave për tregun e pensioneve private vullnetare më 30.06.2020 tregon një total asetesh neto prej 3,238.68 milionë lekë (26.05 milionë euro[1]) dhe me një rritje prej 334.61 milionë lekë (11.52%) krahasuar me 31.12.2019. Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve, më 30.06.2020 rezultoi 30,498 anëtarë duke shënuar një rritje prej 7.87% krahasuar me 31.12.2019” vlerëson AMF.
Sa i takon fondeve të pensionit aktive në treg në vlerë asetesh fondi i SIGAL renditet i pari me 1.46 miliardë lekë që përfaqëson mbi 45 për qind të gjithë aseteve neto. Numri i anëtareve në këtë fond është 8249.
Fondi i pensioneve “Credis Pension” numëron 17 480 anëtarë duke u bërë kështu fodni me numrin më të lartë të anëtarëve dhe me një vlerë asetesh neto mbi 900 milionë lekë. Raiffeisen si fondi i tretë i pensioneve numëron 3091 anëtarë dhe një vlerë asetesh prej 811 milionë lekë teksa Albsig kishte në fund të qershorit 1678 anëtarë dhe rreth 23 milionë lekë në vlerë asetesh. Albsig është fondi i fundit i pensioneve që iu bashkua tregut pasi u licencua në fund të vitit 2019. Tregu i poensioneve në totalin e tij mbetet një treg modest për nga vlera e aseteve.
Gjatë vitit 2019 u kërkua një iniciativë për të plotësuar skemën e pensioneve edhe me kolonën e dytë që është e detyrueshme private dhe për të cilën Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të duhet të bënte një studim por avancimi i kësaj kërkese të Kuvendit nuk dihet në çfarë fazë është. Lobimi për një skemë pensioni me tre kolona ka qenë pjesë e rekomandimeve të Bankës Botërore teksa ndryshimi që iu bë skemës me ligjin e vitit 2015 duket se nuk arriti të shuajë rrezikun e deficit të skemës që sërish nën presionin që po ushtron ulja e lindjeve, emigracioni dhe plakja së popullsisë.