Intervista e zëvendëspresidentit të Kastrati Group, z. Leonard Kastrati
Tërmeti i 26 nëntorit dhe situata e pandemisë së COVID-19, pa diskutim që kanë rritur ndjeshëm sfidat për biznesin kudo në Shqipëri dhe më gjerë.
Por, sa më i madh, i diversifikuar dhe me përvojë të jetë një grup, aq më i lehtë bëhet përballimi i pasojave nga ngjarjet e paparashikuara dhe kthimi i kësaj situate në avantazh. z. Leonard Kastrati, zevendespresidenti i Kastrati Group, më i madhi në vend, pohon se COVID-19 nuk është një sfidë lokale, por një sfidë globale që imponon një sërë masash të mirëmenduara dhe të mirëmenaxhuara.
“Zhvillimet dhe të dhënat e fundit tregojnë që kemi të bëjmë me një situatë krejt ndryshe, e cila i ka detyruar të gjitha kompanitë të përshpejtojnë proceset e ripërtëritjes së vetvetes dhe përshtatjen e plotë me transformimet dixhitale dhe situatat e reja të krijuara nga COVID-19”, pohon ai.
Z.Kastrati shton se në asnjë prej investimeve nuk ka pasur ngadalësim të projekteve, përkundrazi është rritur ritmi i investimeve. Grupi do të vazhdojë t’i kushtojë rëndësi të veçantë projekteve tona në tregun e sigurimeve, sektorin e ndërtimit, sektorin e hotelerisë dhe turizmit elitar, sektorin e automobilave.
Si ka qenë ecuria e kompanive të grupit në vitin 2019?
Kastrati Group, vit pas viti, ka përmirësuar ndjeshëm performancën dhe 2019-a ka qenë një vit i suksesshëm. Duke tërhequr vëmendjen në menaxhimin e kujdesshëm, ecuria e kompanive tona ka shënuar një performancë të qëndrueshme dhe pozitive edhe në vitin 2019.
Në përputhje me objektivat tona strategjike, edhe gjatë 2019-s kemi rritur ndjeshëm investimet në të gjithë sektorët ku ne jemi të pranishëm, pavarësisht sfidave. Kjo sigurisht që ka ndikuar pozitivisht në ecurinë e kompanive të grupit në tërësi, dhe njëkohësisht ka konsoliduar pozitat tona në të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë. Faktori kryesor në suksesin tonë të qëndrueshëm, padyshim është forca e burimeve tona njerëzore.
Gjithashtu, edhe në vitin 2019, ne kemi rritur numrin e të punësuarve dhe projekteve që kanë në fokus trajnimin e stafeve. Rritja është dëshmi e potencialeve tona financiare, portofolit tonë të ekuilibruar të investimeve, rritjes së të ardhurave dhe performancës së qëndrueshme në sektorët ku operojmë me sukses prej vitesh.
Një vit më parë, në vitin 2018, ishim grupi me qarkullimin më të madh në vend, me një rritje të konsiderueshme nga viti pararendës, ndaj dhe shumica e kompanive e kanë ruajtur këtë performancë pozitive. Gjatë vitit 2019, ne jo vetëm kemi ruajtur këtë pozicion, por falë strategjisë sonë, rritjes së investimeve për implementimin e teknologjisë dhe inovacionit, kemi forcuar pozicionet udhëheqëse në çdo sektor të veprimtarisë dhe kemi përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimeve dhe produkteve. Xhiroja vjetore e grupit ka qenë mbi 700 milionë euro.
Rritja është ndihmuar dhe nga zgjerimi i kërkesës për karburant në tërësi, dhe e ndikuar nga ecuria pozitive e kërkesës nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë. Kemi investuar me sukses, pavarësisht pozitave tona të konsoliduara në sektorin e energjisë dhe tregtimin e hidrokarbureve me shumicë dhe pakicë. Edhe në vitin 2019 kemi rritur investimet dhe kemi zgjeruar pikat tona në të gjithë Shqipërinë. Planet tona të investimeve, përveç rritjes së numrit të pikave të karburantit, parashikojnë rritje të ndjeshme të cilësisë së shërbimeve.
Pas blerjes së aksioneve dhe nënshkrimit të marrëveshjes me “Hyatt Hotels Corporaton”, viti 2019 për “Mak Albania Hotel” është një vit i plotë kalendarik në logon e Kastrati Group, dhe ecuria ka qenë shumë pozitive, duke shënuar dyfishim të të ardhurave krahasuar me vitin 2018. Kjo falë bashkëpunimit të grupit dhe strategjive për rishikimin e ofertave dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe produkteve.
Një prej kompanive më të suksesshme të grupit, ALBSIG sh.a, edhe gjatë vitit 2019 është pozicionuar në vend të dytë në tregun e sigurimeve jo–jetë, si rrjedhojë e një pune shumë rezultative në linjat e produkteve vullnetare, sidomos të pronës, në produktin KASKO, portofolin “Aksidente dhe Shëndet”, në veçanti produkti i Sigurimit të Aksidenteve. Shoqëria, edhe për vitin 2019, përsëri renditet e para në tregun e sigurimeve për produktin KASKO, e dyta për sigurimet vullnetare, duke pasur raportin më të lartë në treg, me një rritje të konsiderueshme.
Ndërkohë, ecuria e deritanishme e projektit “Downtown One” një projekt shumëfunksional në zemër të Tiranës, i cili ofron një kombinim ideal të apartamenteve rezidenciale luksoze, zyrave bashkëkohore dhe ambienteve komerciale, ka qenë tejet pozitive. Punimet kanë vijuar me ritme të kënaqshme dhe interesi i deritanishëm ka qenë shumë i lartë. Kjo është një garanci e rëndësishme për ecurinë e projektit.
Edhe kompanitë e tjera të grupit kanë përmirësuar ritmin e rritjes në vitin 2019. Auto Star Albania sh.a., përfaqësuesja zyrtare e Mercedes-Benz për Shqipërinë, ka shënuar rritje të qëndrueshme, e ndikuar dhe nga rritja e kërkesës për makinat e pasagjerëve dhe flotat komerciale, si dhe shërbimet e automjeteve.
Janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar këtë rritje të qëndrueshme, në të gjitha kompanitë e grupit, por do të veçoja rritjen e investimeve, zgjerimin e gamës së produkteve e shërbimeve, dhe në mënyrë të veçantë rritjen e cilësisë së shërbimeve.
A kishit ndikim në aktivitet nga tërmeti i 26 nëntorit?
Zakonisht, ngjarje të tilla siç janë tërmetet, shoqërohen me një ekspozim të lartë rreziku, sidomos për kompanitë që operojnë në tregun e sigurimeve dhe sektorin e ndërtimit. Dëmet materiale apo ndikimi i drejtpërdrejtë në sektorin e ndërtimit dhe në sektorët e tjerë ku ne operojmë, nëpërmjet kompanive tona, kanë qenë minimale. Vetëm ALBSIG, e cila operon me sukses në tregun e sigurimeve prej vitit 2004, ka qenë e ekspozuar drejtpërdrejt ndaj ndikimeve të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Megjithatë, dëmet dhe ndikimi në ecurinë e kompanisë kanë qenë shumë të vogla, dhe kjo falë mundësive financiare për të trajtuar në kohë të gjithë situatën e krijuar. Vetëm për dy ngjarjet e tërmetit të vitit 2019, ALBSIG ka trajtuar një numër të konsiderueshëm dëmesh, rreth 226 raste në total për tërmetin e 21 shtatorit, të cilat arrijnë një vlerë rreth 680 000 euro.
Ndërsa për tërmetin e 26 nëntorit janë trajtuar gjithsej 1,333 praktika dëmi dhe deri më tani, janë paguar 1 266 dëme, me vlerë që arrin në 8.5 milionë euro. I tërë procesi i administrimit është totalisht i dixhitalizuar, çka mundëson një administrim të shpejtë të rasteve. Ndërkohë, duhet theksuar se përveç kapitaleve financiare të grupit, ALBSIG ka risiguruar portofolin tek risiguruesit më të njohur në botë, siç është Hannover Re (kompani risiguruese gjermane, lider botëror në risigurime) dhe kjo është një siguri më shumë për kompaninë dhe klientët.
Përveç shqyrtimit dhe trajtimit në kohë reale të të gjitha çështjeve, mund të them që ALBSIG ia ka dalë me sukses të ruajë pozicionin lider në tregun shqiptar të sigurimeve për trajtimin e kërkesave dhe me përqindjen më të lartë të sigurimeve vullnetare në portofolin e saj, me 45.1%.
Ndërkohë, në dy kompanitë e tjera të grupit, të cilat operojnë në sektorin e hotelerisë dhe turizmit; Mak Albania Hotel dhe Hotel Continental, për shkak të profilit dhe vendndodhjes së tyre, ndikimi ka qenë minimal dhe aktiviteti ka vijuar normalisht pa u ndikuar.
Si po rezulton ecuria në pjesën e deritanishme të vitit 2020? Cilat kompani të grupit janë goditur më shumë nga pandemia?
Tërmeti i 26 nëntorit dhe situata e pandemisë së COVID-19, pa diskutim që kanë rritur ndjeshëm sfidat për biznesin kudo në Shqipëri dhe më gjerë. Është fakt që të gjithëve (që nga individi më i thjeshtë, familjet, bizneset e vogla dhe të mëdha etj.), na është dashur të përballemi me sfida të vështira të menaxhimit të aktiviteteve ditore dhe bizneset tona. Është një situatë e re për ne dhe për mbarë botën e biznesit.
COVID-19 nuk është një sfidë lokale, por një sfidë globale që imponon një sërë masash të mirëmenduara dhe të mirëmenaxhuara. Zhvillimet dhe të dhënat e fundit tregojnë që kemi të bëjmë me një situatë krejt ndryshe, e cila i ka detyruar të gjitha kompanitë të përshpejtojnë proceset e ripërtëritjes së vetvetes dhe përshtatjen e plotë me transformimet dixhitale dhe situatat e reja të krijuara nga COVID-19.
Sigurisht që COVID-19 ka pasur ndikim në të gjithë sektorët ku jemi të pranishëm, veçanërisht në periudhën e izolimit, dhe gjasat janë që do të ketë ndikim edhe për periudhën në vazhdim. Por, besoj se Shqipëria do t’ia dalë të ketë rritje pozitive vitin e ardhshëm dhe një ritëm energjik në periudhën afatmesme. Të gjitha raportet sugjerojnë që vitin e ardhshëm, treguesit ekonomikë do të shënojnë rritje pozitive.
Ne në Kastrati Group jemi përpjekur që situatën e krijuar ta kthejmë në avantazhe dhe të përshpejtojmë proceset e brendshme që lidhen me përmirësimin tonë. Gjatë kësaj periudhe, kemi përshpejtuar të gjitha projektet e planifikuara në kohë për ‘rinovimin’ e vetvetes, sigurisht duke interpretuar ndryshimet e kushteve me maturi dhe në kohën e duhur.
Por, ne vazhdojmë të punojmë me kapacitete të plota në të gjitha projektet e tjera dhe nuk kemi asnjë shtyrje apo ngadalësim të investimeve apo projekteve. Pavarësisht rrethanave, kemi ruajtur të paprekur strukturën tonë të burimeve njerëzore në të gjitha kompanitë e grupit dhe kjo duhet nënvizuar. Ndërkohë, të gjitha kompanitë tona janë të përgatitura për të ardhmen, dhe kanë të gjitha kapacitetet e nevojshme financiare dhe njerëzore për të kapërcyer më shpejt këtë situatë.
Përvoja e fituar në këto 29 vite të suksesshme në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, është një faktor i rëndësishëm, i cili pa diskutim që ka pasur ndikim në minimizimin e efekteve, edhe në kushtet e skenarëve më ogurzi. Falë politikave të kujdesshme të menaxhimit të rreziqeve, ne ia kemi dalë me sukses të ruajmë një strukturë të fortë financiare dhe të ecim përpara në realizimin e objektivave dhe projekteve tona, pavarësisht luhatjeve apo ndikimeve të tregut.
Prej vitesh, ne i kemi kushtuar rëndësi parësore proceseve të brendshme dhe përshtatjes së plotë me transformimet dixhitale, të cilat kanë nisur njëkohësisht në të gjitha kompanitë tona dhe në shumë prej tyre, janë kurorëzuar me sukses.
Transformimi dixhital është një kërkesë jetike, veçanërisht e dinamikave të fundit. Është një proces që sjell mundësi për vendin dhe kompanitë. Jemi të bindur që e ardhmja do t’u përkasë atyre që kalojnë përmes këtij pragu kritik me politika racionale dhe të zbatuara me vendosmëri. Gjatë 2019-s, kemi nisur projektin e transformimit dixhital, i cili përfshin të gjitha kompanitë e Kastrati Group.
Është një projekt që synon të maksimizojë mundësitë që ofron teknologjia dixhitale, për transformimin rrënjësor të shërbimeve, përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve, proceseve dhe modeleve të biznesit, duke krijuar një vlerë të shtuar për bizneset tona dhe duke forcuar edhe më shumë kompanitë tona në një mjedis, ku konkurrenca ndryshon me shpejtësi.
Si simbol i udhëheqjes, suksesit dhe besimit në vend për 29 vite, ne synojmë të jemi promotorë të zhvillimit ekonomik dhe social, si dhe t’i shtojmë vlerë së ardhmes së vendit. Në të ardhmen, duam të krijojmë zona të reja biznesi dhe të zgjerojmë praninë tonë në sektorë të tjerë të rëndësishëm në Shqipëri, por edhe më gjerë.
Si ka ndikuar pandemia në planet tuaja për zgjerim dhe investime?
Është fakt i njohur që ne kemi të gjitha kapacitetet e duhura financiare për të reaguar në mënyrë urgjente ndaj çdo situate, dhe më kryesorja, jemi në gjendje t’i përgjigjemi në kohë reale çdo pasigurie. Bilancet financiare dhe strukturat e të gjitha kompanive tona janë të shëndetshme dhe falë përvojës mbi 29-vjeçare, kemi krijuar një ekip menaxherësh me shumë përvojë dhe kemi një qasje të zhdërvjellët, që i përgjigjet në kohë çdo situate emergjente.
Ne, përveç mbrojtjes së kompanive tona nga çdo paqëndrueshmëri, e ndikuar nga rrethanat e pandemisë, në përputhje me planet e hartuara për skenarë të ndryshëm, u kemi mundësuar atyre që të përshtaten shpejt me kushtet e reja.
Në dritën e ndryshimit dhe kushtet e reja makroekonomike, të nxitura nga përhapja e pandemisë, brenda një kohe shumë të shkurtër kemi rishikuar të gjitha planet për periudhën afatshkurtër. Shumë prej industrive ku ne operojmë me sukses prej vitesh, patën një nisje shumë pozitive në fillim të vitit 2020 dhe nuk patën pengesa nga ndërprerja e linjave të prodhimit, si pasojë e kufizimeve.
Përvoja e fituar në vite, kapacitetet tona financiare dhe menaxheriale, na kanë ndihmuar që të minimizojmë në maksimum efektet globale, siç është për shembull ndërprerja e linjave të prodhimit të automjeteve për pasagjerët dhe mjetet komerciale.
Në asnjë çast ne nuk kemi vënë në dyshim kapacitetet tona për plotësimin e nevojave dhe kërkesave të tregut. Nga ana tjetër, qasja e pa kompromis e Kastrati Group ndaj kritereve të likuiditetit, provuan edhe një herë rëndësinë e saj, veçanërisht në këto kohë të vështira. Struktura jonë e larmishme e portofolit dhe pozicioni ynë i fortë në tregun e brendshëm dhe ndërkombëtar, na mundësojnë që të vazhdojmë të menaxhojmë efektet negative të shpërthimit në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne tashmë kemi përfunduar të gjithë planifikimin tonë për procesin e normalizimit.
Në asnjë prej investimeve tona nuk kemi pasur ngadalësim të projekteve, përkundrazi kemi rritur ritmin e investimeve. Në të gjithë sektorët ku aktiviteti ka qenë i kufizuar për shkak të masave, kemi përshpejtuar ritmin e investimeve, kemi fituar kohë shumë të vlefshme dhe dizavantazhet e masave i kemi shndërruar në avantazhe. Kapitalet dhe mundësitë tona financiare, na kanë ndihmuar të fitojmë kohë dhe synojmë të mbyllim të gjitha projektet tona para kohës së parashikuar në fillimin e tyre. Jemi të sigurt që nga kjo situatë do të dalim më të fortë.
Sektori i hotelerisë dhe turizmit është një prej më të prekurve nga pandemia.
Për vitin aktual 2020, periudhën post COVID-19, po e kthejmë në benefitin tonë, duke shfrytëzuar mungesën e turistëve dhe moslejimin e eventeve të ndryshme, ndaj kemi përshpejtuar ritmin e rinovimit të hotelit ekzistues dhe investimet në ambiente të tjera hotelerie. Gjithashtu, kemi intensifikuar bashkëpunimet me emra të tjerë liderë në fushën e hotelerisë dhe turizmit. Pra, tkurrjen e aktiviteteve gjatë kësaj periudhe, e kemi shfrytëzuar për të përshpejtuar periudhën e realizimit të investimeve të parashikuara për “Mak Albania Hotel” dhe përshtatjen me standardet e “Hyatt Hotels Corporation”.
Ne jemi të bindur që humbjet e shkaktuara gjatë kësaj periudhe në sektorin e hotelerisë dhe turizmit do të kompensohen në të ardhmen e afërt. Të njëjtën strategji po ndjekim në çdo sektor ku ne kemi projekte në proces dhe po përshpejtojmë punën për nisjen e projekteve të planifikuara për periudhën e afërt. Kemi zgjeruar portofolin tonë me “Fondin e Pensionit Vullnetar ALBSIG” dhe krijuar “Fondin e Investimeve ALBSIG”. Nëpërmjet “ALBSIG JETË” tashmë ofrojmë një gamë të plotë produktesh sigurimi për të gjitha kategoritë e jetës. Po mundohemi të luftojmë kohën për të nisur vitin tjetër më të fortë dhe me më shumë energji dhe kapacitete.
Sa e vlerësoni se është goditur konsumi dhe për cilat segmente? Si e prisni ecurinë deri në fund të vitit (nëse keni ndonjë vlerësim për rritje ose rënie në përqindje).
Pjesa më e madhe të kompanive tona operojnë në sektorë që nuk janë të varur nga treguesit e shitjeve me pakicë. Dhe në ata sektorë ku ka pasur rënie të shitjeve me pakicë, siç janë shitjet me pakicë të karburanteve apo derivative, apo dhe ato të shërbimeve periodike të mirëmbajtjes dhe shërbimet e tjera të automjeteve (pra kryesisht të klientëve individë), rënia e konsumit është kompensuar me rritjen e kërkesës nga sektorët e tjerë që nuk janë ndikuar nga situata.
Rrjedhimisht, në terma të përgjithshëm, përqindja e ndikimit është e ulët. Janë dhe faktorët e tjerë që rendita më sipër, të cilët sigurisht kanë pasur ndikim të rëndësishëm në minimizimin e efekteve. Nisur nga ecuria e tanishme dhe projeksionet për periudhën deri në fundit të vitit, pavarësisht rënies së disa prej treguesve, falë dhe kapaciteteve mundësive tona financiare, kemi përshpejtuar ritmin e rikuperimit në të gjitha kompanitë tona.
Për sa kohë prisni që të bëhet rikthimi në normalitet dhe çfarë politikash nxitëse mund të ndërmarrë qeveria për të përshpejtuar këtë proces?
Pasiguritë lidhen kryesisht me çështjet e shëndetit publik dhe situata që po kalojmë, përveçse e pazakontë, është e panjohur për të gjithë ne. Deri më tani, qeveritë janë përpjekur të menaxhojnë çështjet që lidhen kryesisht me shëndetin, kufizimin e pandemisë dhe ndikimet e saj në ekonomi.
Të gjithëve do të na duhet të mësohemi me këtë situatë dhe të përshtatim gjithçka me rrethanat e reja. Mendoj se kemi hyrë në një fazë më të sigurt. Të dhënat tregojnë që periudha e frikës, tashmë është kapërcyer dhe nuk po “lundrojmë më në ujëra të panjohura”.
Ekonomia shqiptare kryesisht bazohet në konsumin e brendshëm dhe krahasuar me shumë ekonomi të tjera, ndikimi i faktorëve të jashtëm pritet të jetë më i vogël. Pavarësisht, paqartësive, sektori i turizmit, që në fakt është një industri e rëndësishme dhe e prekur më shumë nga kufizimi i lëvizjeve, falë mbështetjes së qeverisë qendrore dhe rritjes së kërkesës së brendshme dhe turistët e vendeve fqinje, ia arriti të shmangë pasiguritë dhe të mbijetojë. Besojmë se deri në fund të vitit, nëse gjërat ecin me këto ritme, dhe nëse periudha e vjeshtës dhe dimrit nuk do të sjellë një rikthim në pikën zero, dalëngadalë do të shkojmë drejt normalizimit.
Të gjitha qeveritë dhe organizmat ndërkombëtare prej kohësh po bashkërendojnë punën për t’i dhënë një përgjigje të kujdesshme të gjitha pikëpyetjeve. Siç e nënvizova më lart, kjo është një situatë globale, ndaj dhe masat duhet të jenë të tilla. Besoj, se një strategji e kujdesshme e të gjitha qeverive do të krijojë një klimë pozitive për tregjet, do të krijojë më shumë siguri dhe do të rrisë besimin e konsumatorëve.
Megjithatë, do të vlerësoja si shumë të rëndësishme, çdo masë që do të rriste konsumin e brendshëm dhe përshpejtimin e projekteve në proces. Kjo do të nxiste më shumë kërkesat dhe sigurinë në treg dhe për rrjedhojë, do të sjellë një rritje pozitive ekonomike dhe kapërcim të situatës. Për shumë arsye dhe faktorë, besoj se vitin e ardhshëm do të mund të jemi në ritmet e para pandemisë, pse jo dhe më mirë.
A do ta përballonte ekonomia një karantinë të dytë?
Në kushtet normale, çdo ndërprerje e aktivitetit ndikon në ecurinë e biznesit në tërësi. Një ndërprerje e dytë, ndryshe nga ajo e para, ndonëse nuk do të kishte efektin ‘shock’, do të rriste pasiguritë dhe pasojat e saj do të vareshin nga kohëzgjatja. Çdo pasiguri dhe çdo shtyrje në kohë e planeve të rikuperimit, do të kishte pasoja negative për ekonominë. Projeksionet tona janë për një normalizim dhe mosmbyllje. Të gjitha të dhënat flasin për një ecuri normale dhe një përmirësim të shpejtë të të gjithë indikatorëve të biznesit, dhe më kryesorja, kompensim të kohës dhe energjive të humbura.
Cilët janë sektorët që shihni më me interes për investime dhe si ka ndryshuar këndvështrimi për investimet e pritshme dhe diversifikimin pas pandemisë?
Duke qenë një grup i konsoliduar, pavarësisht rrethanave dhe situatës, për shkak edhe të ndikimit minimal, ne do të vazhdojmë të intensifikojmë investimet në sektorët ekzistues, ku jemi të pranishëm dhe kemi akumuluar përvojë ndër vite. Sektori i energjisë dhe tregtimit të hidrokarbureve me shumicë dhe pakicë do të vazhdojnë të mbeten prioriteti kryesor i investimeve tona.
Sektori i hotelerisë dhe turizmit elitar është në një industri të rëndësishme dhe besojmë se, pavarësisht situatës së krijuar nga COVID-19, kërkesa e brendshme dhe e jashtme për këtë sektor do të jetë në rritje. Sektori i agroturizmit dhe resortet luksoze në bregdet, portet e jahteve etj. Në gjykimin tonë janë sektorë që premtojnë për të ardhmen. Në vlerësimin tim, edhe sektori i energjisë së rinovueshme është një sektor shumë premtues.
Ne si grup do të vazhdojmë t’i kushtojmë rëndësi të veçantë projekteve tona në tregun e sigurimeve, sektorin e ndërtimit, sektorin e hotelerisë dhe turizmit elitar, sektorin e automobilave. Strategjia jonë është e fokusuar në garantimin e standardeve dhe teknologjisë më të fundit. Sigurisht, ne shikojmë për mundësi të reja që mund të ofrohen në të ardhmen e afërt, dhe duke vlerësuar situatën, pse jo mund të rishikojmë planet tona afatshkurtra dhe të zgjerojmë sektorët dhe portofolin e investimeve.
Grupi juaj ka qenë shumë aktiv në diversifikimin në sektorin e ndërtimit dhe hotelerisë. Pse i shihni me interes këta sektorë? Po sektorë të tjerë, si industria përpunuese, a i vlerësoni me interes?
Kërkesat për pasuri të paluajtshme, veçanërisht në Tiranë, vazhdojnë të jenë të larta. Një tjetër faktor është rritja e vazhdueshme e sektorit të ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë. Mendoj se është një trend ndërkombëtar, i bazuar në parimin kërkesë-ofertë dhe i ndikuar nga një sërë faktorësh të tjerë.
Për sa kohë kërkesa do të jetë e lartë dhe sektori i ndërtimit do të vazhdojë të këtë interes për ne. Sektori i ndërtimit dhe hotelerisë janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin dhe Shqipëria, në të ardhmen e afërt, për vetë pozicionin gjeografik, bukuritë natyrore, mikpritjen dhe shumë faktorë të tjerë, premton të shndërrohet në një qendër rajonale ekonomike dhe për turizmin. Në gjykimin tonë, potencialet e turizmit janë ende të pazhvilluara.
Me zhvillimin e sektorit të ndërtimit, edhe sektorët e tjerë, si industria përpunuese, agroindustria, do të kenë vëmendjen e duhur të biznesit. Qeveria ka rritur ndjeshëm mbështetjen dhe gjithnjë e më shumë po i nxit dhe mbështet bizneset që të investojnë në industritë përpunuese, agroindustri dhe bujqësi. Është një sektor që meriton dhe vëmendjen tonë si grup në një të ardhme të afërt.
Si do ta vlerësonit mjedisin për të bërë biznes në Shqipëri?
Edhe gjatë 2019 ka pasur zhvillime pozitive dhe progres. Shumë prej reformave të nisura, kanë avancuar dhe kanë ndihmuar në përmirësimin e mjedisit të biznesit. Ndërkohë, janë rritur investimet dhe mbështetja në shumë sektorë të rëndësishëm. Në shumë sektorë dhe biznese ka pasur rritje, por potencialet e zhvillimit janë shumë herë më të mëdha se sa arritjet e deritanishme.
Është një proces që kërkon kohën e duhur të maturimit. Megjithatë, gjykoj se tërmeti i 26 nëntorit dhe COVID-19, kanë ndryshuar shumë gjëra dhe plane. Por, më kryesorja mendoj se duhet të ketë një qasje të përgjithshme më pozitive ndaj biznesit dhe i duhet kushtuar rëndësi primare dhe më shumë energji./monitor.al