Në faqen e një kodre në jug të Gjermanisë, bien në sy kullat e kështjellës Hohenzollern, të cilat bëjnë kontrast me panoramën e fshatit që i rrethon.
Fortesa është selia e paraardhësve të familjes perandorake gjermane. Nëse vendi do të ishte ende monarki sot, pronarët e kështjellës do të ishin po ata.
Sot, i pari i familjes është Georg Friedrich, i cili mban si mbiemër zyrtar edhe titullin ceremonial, Princ i Prusisë.
Brenda saj, kandidati për Kaizer, Princi Georg, përshkruan me krenari pemën gjeneaologjike të familjes, që të çon në breza të tërë princash e princeshash që kanë sunduar Prusinë (një territor tepër i madh që dikur përfshinte pjesë të Gjermanisë, Polonisë, Lituanisë, Rusisë dhe Danimarkës i fundit i kësaj linjeje të pandërprerë ishte stër-stërgjyshi i tij, Kaizeri Wilhelm II, i cili udhëhoqi vendin deri në përfundim të Luftës së parë Botërore.
Por, përveç kështjellës, Princi Georg ka trashëguar edhe një betejë ligjore publike dhe shpesh të shëmtuar, me autoritetet gjermane, pasi pretendon të rifitojë pasurinë familjare të konfiskuar pas rënies së Nazizmit. Sipas Princit Georg, koleksioni përbëhet nga më shumë se 10 mijë sende me vlerë.
Çështja ligjore nisi dekada më parë, por qëndrimi i publikut gjerman nuk ka ndryshuar as sot, shumica mendojnë se atij nuk i takon asgjë.
Disa historianë, madje, janë mosbesues ndaj pretendimeve të tij. “E shoh si detyrën time”, thotë ai në një intervistë për CNN. “Mendoj se familja do të binte plotësisht dakord që të ndiqnim këtë çështje, pavarësisht nëse gjykatësit do të na japin të drejtë, apo jo”.
Mes Princit dhe pasurisë që ai pretendon qëndron një ligj gjerman i mirëdetajuar, që u heq të drejtën e rifitimit të pronave të konfiskuara, atyre që kanë ndihmuar nazistët të vijnë në pushtet.
Këtu hyn në lojë stërgjyshi i Princit Georg, djali i Kaizerit të fundit, Princi i Kurorës Wilhelm.
Një fotografi e vitit 1933, ku ai shfaqet me uniformë naziste dhe me një svastikë në krah gjatë një parade është “arma” që historianët përdorin kundër tij më së shumti.