Kamboxhia, si luftohet varfëria ekstreme përmes shitjes së flokëve

0

Nga Maria Stöhr “Der Spiegel”

Janë thjeshte flokë, thonë tregtarët me gërshërë në duar. Por të gjithë e dinë që kjo nuk është e vërtetë. Për shembull merrni Prak Sohka, 42-vjeçarja jeton në një fshat të Kamboxhias, rreth 170 kilometra larg kryeqytetit Phom Pen.
Ajo thotë se flokët e saj kanë fituar shumë konkurse bukurie, dhe se kujdeset shumë për to, përmes një përzierje të vajit të kokosit dhe një luleje të veçantë. Prak ka në shtëpinë e saj një foto të realizuar kur ishte 18 vjeçe me flokët e zinj dhe tepër të gjatë.
Pak çaste pas shkrepjes së asaj fotoje, ajo kujton se iu afrua një grua që i ofroi 40 euro për t’i blerë flokët e Prak. Në atë kohë, ajo shumë iu duk si një pasuri e tërë. Pastaj u deshën vetëm 5 minuta që flokët e mrekullueshëm të zhdukeshin nga koka e saj, duke mbetur vetëm disa fije.

Flokët si burim të ardhurash

Në Indi dhe Kinë, tregu i flokëve të njeriut, ka qenë prej kohësh një biznes miliarda dollarësh. Për të përmbushur kërkesën e madhe, vendet e tjera aziatike kanë filluar gjithashtu të merren me këtë lloj tregtie.

Kamboxhia është një nga ato vende, pasi sipas statistikave të Bankës Botërore, 4.5 milionë njerëz jetojnë nën kufirin e varfërisë, që do të thotë se fitojnë dhe jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë. Në Kamboxhia, sidomos nëpër fshatra, flokët shihen si një lëndë e parë e rinovueshme që njerëzit mund të shesin për të paguar tarifat e shkollimit të fëmijëve, ushqimin e përditshëm apo këstet e kredisë së marrë për shtëpinë e tyre.
Fotoreporterët Luiza Plajod dhe Benxhamin Filarski e vizituan këtë vend në shkurt, pak para se të shfaqej koronavirusi. Ata u takuan me gra nëpër fshatra, të cilat tashmë i kishin shitur flokët e tyre të paktën 2 ose 3 herë. Ato kishin përjetuar ndjenjën e turpit, por edhe thashethemet e njerëzve se prerja e flokëve mund të ndjellë fatin e keq.

Gjithashtu, ata u takuan me gratë që vëzhgojnë tregjet e mëdha të Phom Penit për të gjetur dhe blerë flokë njeriu, për të cilat paguajnë deri në 500 euro, për shkak se flokët ekstejshën u japin atyre më shumë vetëbesim. Ato shpresojnë që shtesat e flokëve do t’i bëjë më të suksesshme në karrierat e tyre.

Fuqizim apo poshtërim i grave?

Fotoreporterët u takuan me tregtarët që shesin flokët e blera nëpër fshatra, dhe që mbajnë veshur bluza me moto si “Mos ndalo kurrë së rrituri”, apo simbole me parulla si “Bëhu më e bukur për një jetë më të mirë” të varura në vitrinat e dyqaneve të tyre. Por a është ky fuqizim apo poshtërim?

Flokët nuk janë thjesht flokë, siç zbuluan Plajod dhe Filarski. Ato janë edhe para. Dhe tregtia e flokëve ka të bëjë me dinjitetin e njeriut. Çfarë do të thotë kur gratë blejnë flokët e grave të tjera, në mënyrë që të jetojnë në përputhje me një ideal bukurie, me pasojën që gruaja tjetër, ajo që nuk ka para, të mos jetë më në gjendje të jetojë vetë sipas atij ideali?

A është kjo një shenjë e poshtërimit të grave nga shoqëria kamboxhiane, pasi i nxit gratë që të gjymtojnë pak a shumë njëra-tjetrën? Apo ky është një lloj fuqizimi i tyre, duke pasur parasysh që gratë fitojnë para, të cilat i bëjnë ato më të pavarura nga burrat dhe familjet e tyre?

Plajod thotë se gratë që shesin flokët e tyre nuk janë viktima, dhe se ato e dinë se çfarë po bëjnë. “Ato përdorin atë që kanë për të krijuar një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre”- thotë ajo. Kjo i lejon shumë prej tyre që të bëjnë gjëra që do të donin t’i bënin. Por ajo thekson se situata është e ndryshme për gratë që blejnë flokët. Ato ndihen shpesh në presion për të përmbushur disa standarde që shoqëria u imponon grave.

Artikulli i mëparshëmGratë marrin në dorë trafikun e drogës në Fier dhe në Vlorë, arrestohen 6 prej tyre, kapet një sasi e madhe hashashi
Artikulli i radhës‘Nuk vendos maskë’/ Shqiptari bën për spital 3 policë