Tërmeti, kompanitë e sigurimeve paguan 20 milionë euro dëme deri në shtator

0

Kompanitë e sigurimit kanë paguar në 9 muaj të këtij viti 5.2 miliardë lekë, ose 45 milionë euro në total si dëme në tregun e sigurimeve, shifër kjo 30.27 për qind më e lartë sesa një vit më parë.

Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se shumica e këtyre dëmeve të paguara i takojnë sigurimit nga zjarri dhe forca e natyrës, një situatë kjo e lidhur direkt me pagesat që lidhen me dosjet e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar.

Nga ky zë janë paguar 2.5 miliardë lekë (rreth 20 milionë euro), ose gati gjysma e dëmeve të paguara në total nga shoqëritë e sigurimit të jo jetës. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kompanitë e sigurimeve kishin paguar vetëm 1.3 milionë euro dëme për “Sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës”, ose rreth 15 herë më pak.

Dëmet nga përgjegjësitë motorike që historikisht kanë zënë vendin e parë në tregun shqiptar këtë vit kanë mbetur pas edhe pse sipas të dhënave janë paguar rreth 14 milionë euro apo mbi 22 për qind më pak sesa një vit më parë.

Në kahun tjetër, interesi për të siguruar pronën nuk ka shënuar ndonjë rritje të dukshme. Të ardhurat nga primet për “Sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës” shënuan një rritje prej rreth 12% për 9 mujorin, duke zënë 8.8% të totalit të primeve të sigurimit të jo jetës.

Pavarësisht normalizimit të pjesshëm të ekonomisë në muajt pas karantinës tregu i sigurimeve nuk ka arritur të rikuperojë veten për të arritur nivelet e një viti më parë. Të ardhurat nga primet e shkruara bruto në periudhën janar-shtator arritën 2020 ose 6.54% më pak se në periudhën janar-shtator 2019.

“Gjatë periudhës janar-shtator 2020, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 693,507 me një ulje prej 30.10% krahasuar me periudhën janar-shtator 2019. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.18% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.81%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 37.08% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 62.92% të totalit të tregut” thuhet në publikimin e AMF.

Vetëm primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-shtator 2020 arritën rreth 7,550 milionë lekë, ose 6.92% më pak se në periudhën janar-shtator 2019.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-shtator, sipas AMF pati një rritje prej 3.40% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Por pavarësisht vëllimit më të ulët të primeve në raport me një vit më parë duket se ka pasur një rritje të numrit të kontratave prej 5.01% krahasuar me periudhën janar-shtator 2019.

Kufizimet e qarkullimit ndërkufitar për shkak të masave anti-covid duket se kanë dhënë efekt më të madh tek Kartoni Jeshil ku periudhën janar-shtator pati një ulje prej 40.69% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 58.13% krahasuar me periudhën janar-shtator 2019.

Sa i takon primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-shtator 2020 arritën rreth 4,449 milionë lekë, 5.90% më pak se në periudhën janar-shtator 2019. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 43.43% krahasuar me periudhën janar-shtator 2019./N.Maho

Artikulli i mëparshëmBill Gates fitime marramendëse për vaksinën anti-covid, do të furnizojë 92 vende, 1 mld dollarë merr vetëm nga 5 shtete
Artikulli i radhësDenaj prezanton buxhetin: Si do përballohet pandemia e Covid-19