Me pak përjashtime, industria përpunuese renditet ndër sektorët me normat më të ulëta të fitimit në ekonomi, me një mesatare prej 6-8%. Përpunuesit pohojnë se normat e ulëta të fitimit lidhen me konkurrencën e lartë, madhësinë e vogël të ndërmarrjeve, që nuk arrijnë ekonominë e shkallës, mungesën e investimeve në teknologji, përçarjen e zinxhirit të vlerës etj.
“Tregu shqiptar është i vogël, nuk arrin masën kritike të lëndës së parë dhe të konsumatorit dhe nuk arrin të bëjë investime të mëdha në teknologji, që do e bënin konkurrues”, thotë Albaz Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve. Ai shton se në zinxhirin e vlerës, pothuajse në çdo industri mungon një investim kyç, pasi nëse po ta bënte një biznes i vetëm, është jo rentabël. “Vetëm kompanitë që kanë mbyllur ciklin brenda vendit fitojnë”.
E lartë mbetet dhe konkurrenca nga rajoni, ku shumë shtete, si Maqedonia dhe sidomos Serbia, i mbrojnë direkt ose indirekt bizneset e tyre, përmes subvencioneve ose tarifave. “Të gjitha këto si më lart na bëjnë ne prodhuesve vendas të punojmë me norma të ulëta fitimi”, shton Zusi. (Shiko intervistën e plotë në vijim).
Luan Leka, administrator i EHW, një prej sipërmarrjeve më të mëdha përpunuese në vend e pranon që interesi për të investuar në këtë fushë është i ulët. “Jemi në kushtet kur tregu është i mbushur me produkte importi, të cilat ligjërisht hyjnë pa taksa.
Për të konkurruar duhet të investojmë në teknologji moderne që do të thotë në makineri të kushtueshme, pra duhet të bëjmë investime me kosto të lartë. Për sasitë, që tregu vendas konsumon kosto e amortizimit të mjeteve është aq e lartë sa i bën produktet jo konkurruese ne treg. Dhe një industri që nuk konkurron dot zerohet si vlerë”. Z. Leka shton se një alternativë është eksporti, por për këtë duhet punuar për të rritur besimin te produkti “Made in Albania”.
Zhvlerësimi i euros është një tjetër faktor që ka dobësuar si eksportuesit, që marrin më pak të ardhura për të njëjtën vlerë në euro, ashtu dhe prodhuesit, që përballen me çmime më të lira nga importi.
“Kompanitë prodhuese po mbijetojnë me vështirësi”, thotë Arben Shkodra, sekretar i Shoqatës së prodhuesve. “Fitimet janë të ulëta, mundësitë e abuzimit janë zero, pasi kompanitë kanë karta teknologjike, madje Tatimet u kërkojnë edhe firot”, shton Shkodra. Pandemia u ka dhënë goditjen finale sipërmarrësve të sektorit të prodhimit. Shkodra rekomandon që duhet hartuar një paketë për rritjen e konkurrueshmërisë, në mënyrë që bizneset të nxiten të investojnë në këtë sektor.
Normat e fitimit në industrinë përpunuese
Sipërmarrja më fitimprurëse është “Coca Cola”, një biznes i konsoliduar prej vitesh, me një normë bruto 20%, nga 15% në vitin 2018.
Në listën e më fitimprurësve në vitin 2019 ka hyrë edhe “Birra Korça”, po me një normë rreth 20%. Ndërsa sipërmarrjet e tjera të të njëjtit sektor nuk kanë një aktivitet pozitiv. “Birra Tirana” ka raportuar humbje, teksa siç pohon në raportin e aktivitetit ka kaluar një situatë të vështirë financiare. Për shkak të problemeve me detyrimet e prapambetura. “Birra Stela” ka një normë fitimi rreth 9%.
Industria më fitimprurëse në vend është ajo e ambalazhimit të ujit, që e ka të lehtë të mbyllë ciklin. “Uji i Ftohtë Tepelenë” (13.8%) dhe “Lajthiza Invest” (8.4), renditen në listën e më të mëdhenjve sipas fitimeve, 2019.
“Coral”, në industrinë e përpunimit të peshkut, ka pasur një aktivitet pozitiv, duke u renditur e 53-a në vend për nga fitimet në vlerë absolute, me një normë prej gati 16%. Por, sipërmarrje të tjera po në këtë sektor kanë tregues më të ulët (“Rozafa”, 5.7% dhe “Mare Adriatik”, 3.2%).
Pjesa më e madhe e kompanive që operojnë në sektorë të tillë si prodhimi i veshjeve dhe këpucëve, përpunimi i miellit, përpunimi i qumështit rezultojnë me norma fitimi minimale (2-6%), ose dhe me humbje. Për shkak edhe të qarkullimit vjetor të ulët (ndryshe nga sipërmarrjet e karburanteve që ndonëse kanë norma të ulëta kthimi, kanë xhiro të lartë dhe si rrjedhojë, në vlerë fitimet janë të larta), në vlerë absolute, fitimet e pjesës më të madhe të sipërmarrjeve përpunuese nuk arrijnë as 1 milion euro.
Sipërmarrjet e tekstileve dhe këpucëve janë eksportuesit më të mëdhenj në vend dhe një ndër punëdhënësit kryesorë operon me norma të ulëta fitimi, që janë tkurrur edhe më tej vitet e fundit. “Fital”, më e madhja për nga qarkullimi vjetor, kishte një tregues prej 5.7% në vitin 2019, ndërsa “Albaco Shoës”, vetëm 2.5%. “Donianna”, po në prodhimin e këpucëve, është me humbje prej disa vitesh. E ardhmja pritet më e vështirë. Për shkak të zhvillimeve negative që solli pandemia, fabrikat e këpucës do të përballen me mbijetesë këtë vit, teksa pritet që prodhuesit më të vegjël të falimentojnë.
Aktorët kryesorë të tregut e shohin perspektivën nga ndryshimet gjeopolitike, për shkak të pandemisë. “Sektori i shitjes së këpucëve në Europë do të kërkojë siguri në furnizime dhe për këtë arsye, do ta transferojë prodhimin nga jashtë kontinentit në shtëpi”, tha Skënder Pashaj, administrator i Fital.
Sipërmarrjet e industrisë tekstile kanë një normë më të lartë, deri në 10% (“Shqipëria Tricot” 9.3%; “Cotex Textile” 0.4%; “Arisa Konfeksion”, 9.6%, por për shkak se ato punojnë mirëfilli me material porositësi (këpucët e kanë kryesisht ciklin e mbyllur), qarkullimi vjetor është i ulët dhe si rrjedhojë, fitimet luhaten në mesatarisht 500 mijë euro e më pak. “Maçaferri Balkans”, po në fushën e regjimit të përpunimit aktiv, është me humbje. Operatorët e tregut pohojnë se dy vitet e fundit janë goditur nga rënia e euros, humbje që e kanë pothuajse të pamundur ta kalojnë te çmimet, për shkak të kontratave fikse me partnerët e huaj, më së shumti italianë.
Industria e përpunimit të miellit është në kufijtë e mbijetesës, si rrjedhojë e konkurrencës së fortë nga vendet e rajonit, kryesisht Serbia. “Atlas Millis” raportoi një normë fitimi prej 2.9% dhe “Shoqëria Anonime Mielli”, vetëm 1.5%.
Sektori i përpunimit të qumështit raporton kthime prej mesatarisht 6% (“Erzeni” 6.3%, “Lufra”, 6.4%). Operatorët e tregut pohojnë se ndryshimi i skemës së rimbursimit të TVSH-së në 2019-n solli ndalimin e investimeve të shumë kompanive të përpunimit të qumështit, duke u orientuar vetëm drejt atyre imediate. Për shkak të rritjes të kostos, kompanitë nuk investuan në zhvillimin e teknologjisë, çka do të rriste gamën e produkteve në treg. “Nëse nuk do të kishte ndryshuar paketa fiskale, sot në treg do të hidheshin 10 produkte të reja duke i bërë ‘postbllok’ produktit të importuar”, thotë përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni”, Sajmir Begaj,
Industria e bimëve mjekësore po kthehet në një sektor të rëndësishëm eksportues, por normat e fitimit mbeten të ulëta, për shkak se produkti shitet i papërpunuar, në mungesë të investimeve. “Agroherbal” kishte një tregues prej 3.9%; “FILIPI CO”, 8.3%; “Herba Fructus Natyrore”, 4.4%.