Fitimet janë rikthyer në vitin 2019 për dy shoqëritë më të mëdha të telekomunikacionit në vend, por ato mbeten larg periudhës së artë të një dekade më parë (në 2008, më i miri historik, fitimet e ish Telekom Albania dhe Vodafone arritën në 200 milionë euro së bashku, me një normë fitimi para taksave prej përkatësisht 57.5% dhe 50.7%, sipas bilanceve zyrtare).
“Vodafone Albania”, operatori më i madh sipas të ardhurave, me qarkullim vjetor prej 15.9 miliardë lekësh në 2019-n, sipas të dhënave të vetë kompanisë, ka rezultuar për të dytin vit radhazi me fitime, që arritën në gati 1.9 miliardë lekë, me një normë prej 11.7% (nga 10.5% në 2018-n).
Për “One Telecommunication” (ish-“Telekom Albania”), ndryshimi i pronësisë në fillim të 2019-s ka rezultuar pozitiv. Pas dy vitesh me humbje të mëdha, që arritën në vitin 2018 në një rekord negativ prej 4.7 miliardë lekësh (më se gjysma e të ardhurave të atij viti), operatori ka raportuar fitime prej rreth 270 milionë lekësh, duke hyrë sërish në renditjen e “Monitor 200, sipas fitimeve”, pas tre vitesh mungesë.
Në vitin 2018, grupi grek OTE – i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, “Deutsche Telecom” – dhe zotëronte 99.79% të aksioneve të “Telekom Albania”, e nxori atë në shitje. Në janar 2019, u njoftua se blerësi ishte sipërmarrja bullgare “Albania Telecom Invest AD”, për një shumë totale prej 50 milionë eurosh.
“Albania Telecom Invest AD” fillimisht kontrollohej nga z. Spase Roussev, aksioner kryesor i operatorit të telefonisë bullgare “Vivacom”, dhe nga z. Elvin Guri, investitor shqiptaro-bullgar. Në shtator 2020, Elvin Guri u bë aksioneri kryesor i kompanisë me rreth 54% të aksioneve, dhe pjesa tjetër tashmë zotërohet nga aksioneri i ri, Atanas Dobrev (i cili rezulton të jetë Drejtor Ekzekutiv dhe anëtar i Bordit Drejtues i VivaCom).
Në korrik 2020, sipërmarrja vendosi të ndryshojë emrin zyrtar dhe tregtar. Emri i subjektit nga “Telekom Albania” bëhet “One Communication”, ndërsa emri tregtar nga “Telekom Albania” bëhet “ONE”.
“Kemi arritur të ruajmë një performancë të mirë gjatë 2019-s, pavarësisht nga kushtet sfiduese të tregut. Arritëm të ruajmë të ardhura në nivel të njëjtë me vitin 2018, edhe pse ka pasur rënie drastike të të ardhurave nga thirrjet ndërkombëtare. Për këtë, kemi zhvilluar linja të reja të ardhurash në kompani, të cilat kanë ndihmuar në zvogëlimin e impaktit negativ nga mungesa e të ardhurave nga thirrjet ndërkombëtare. Arritëm gjithashtu që të rrisim EBITDA-n nga 3.749.000 euro në vitin 2018, në 18.614.000 euro, dhe mendoj se ky është një rezultat mbresëlënës”, pohoi Emil Georgakiev, Drejtor Ekzekutiv i ONE Telecommunications.
“Albtelecom”, me aktivitet në fushën e telefonisë fikse dhe celulare, ka raportuar të ardhura prej 7.9 miliardë lekësh dhe ka deklaruar humbje, në rreth 550 milionë lekë, por që sërish ishin në rënie të ndjeshme, në krahasim me -1.1 miliardë lekë, që arriti rezultati financiar në vitin 2017.
“Abcom”, një tjetër operator në telekomunikacione, me shërbimet e trefishta (telefoni, televizion, internet), në vitin e fundit të aktivitetit, që operoi si e vetme, ka deklaruar fitime para taksave prej 303.3 milionë lekësh, për 2019-n.
Në vitin 2019, “Vodafone”, më i madhi i telefonisë së lëvizshme në vend, hyri në negociata për blerjen e “Abcom”. Sipas kontratave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në prill të këtij viti, u finalizua transferimi i 100% të aksioneve të “Abcom”, nga “American Broadband B.V.”, që zotëronte 100% të “Abcom” te “Vodafone”. Çmimi i blerjes, sipas kontratës, ishte rreth 4.6 miliardë lekë, apo 38 milionë euro.
“Info-Telecom”, me aktivitet shërbimet e faturimit të transitit kombëtar e ndërkombëtar, apo transmetimin e të dhënave, raportoi fitime para taksave prej 340 milionë lekësh në vitin 2019, me një normë minimale kthimi prej 1.3%, për shkak të natyrës së aktivitetit (kompania bazohet në shitblerjen me shumicë të minutave të telefonisë Voice, sms, roaming, data roaming midis operatorëve ndërkombëtarë).