Projekti 80 mln euro për krijimin e hartës dixhitale të Shqipërisë, si do realizohet për 5 vitet e ardhshme

0

Rreth 80 mln euro llogaritet kostoja për realizimin e hartës dixhitale të Shqipërisë, nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), institucion në varësi të kryeministrisë, me afat 5 deri në 8 vjet.

Qeveria shqiptare pritet të financojë 10-15% të kostos së projektit, kurse pjesa tjetër do të financohet nga donatorët dhe fondet e IPA-s.

Për realizimin e projektit, qeveria ka hedhur për konsultim publik ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin për infrastrukturën kombëtare të informacionit”. Një ndër aktivitetet kryesore, që parashikohet të shtohen me këtë ligj, është dhe veprimtaria e krijimit të hartës bazë në shkallë të mëdha dhe azhurnimit të vazhdueshëm të saj, sipas standardeve të Këshillit të Europës.

Aktualisht, Shqipërisë i mungon harta bazë në shkallë të madhe e përditësuar e cila është jetike për një numër autoritetesh për realizimin e funksioneve të tyre publike. Në projektligj thuhet se ASIG e ka filluar këtë proces dhe ka kryer disa aktivitete kryesore për prodhimin hartografik, për disa zona të mëdha urbane dhe rurale.

Aktivitetin kryesor të Autoritetit Shtetëror për krijimin e hartave bazë, e zë projekti për krijimin e hartës bazë dixhitale për 300 km² (zona Tiranë – Durrës) në bashkëpunim me qeverinë japoneze (JICA). Gjithashtu, ASIG ka menaxhuar dhe fotografimet ajrore të kryera në vitet 2015-2017 dhe 2018 për prodhimin e ortofotove. Këto produkte kanë qenë material bazë për përpunimin e mëtejshëm dhe prodhimin të hartave dixhitale në shkallë të ndryshme, por veçanërisht në shkallën 1:2000.

Mbi bazën e kësaj eksperience, tashmë ASIG ka aplikuar pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për fillimin e projektit kombëtar të krijimit të hartës bazë dixhitale multifinksionale sipas standardeve të Direktivës INSPIRE në funksion të ndërtimit të Infrastrukturës kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor (NSDI).

Realizimi i projektit do të shtrihet në dy etapa. Në fazën e parë parashikohet krijimi i hartës dixhitale, me sipërfaqe 800 km² për të gjitha zonat urbane të qyteteve të Shqipërisë, me çmim për njësi rreth 8,100 euro/km², pra në total 6,4 mln euro. Nga këto 300 km², aktualisht janë kryer me donacione (projekti me JICA).

Në fazën e dytë parashikohet krijimi i hartës bazë dixhitale për rreth 16,000 km², që do të jetë kryesisht zona e Ultësirës Perëndimore, luginat dhe zonat e fushës, e cila parashikohet të ketë një kosto për njësi rreth 4,700 euro/km² dhe në total parashikohet të ketë një kosto 75 mln euro./monitor.al

Artikulli i mëparshëm312 mijë individë në Shqipëri kanë kredi bankare
Artikulli i radhës”Mos ki frikë, vetëm beso”, amabsadorja shqiptare në Athinë viziton Anastas Janullatosin, prej dy ditësh në spital nga COVID-19