Policia në Kenia ka arrestuar tre zyrtarë të shëndetësisë për dyshimin se drejtonin një organizatë të trafikimit të fëmijëve pas një hetimi të ndjekur nga BBC për vjedhjen dhe shitjen e foshnjave.
BBC Africa Eye zbuloi se fëmijët ishin vjedhur me porosi nga klinikat e paligjshme dhe në një spital publik të Nairobi.
Foshnjat u shitën për më pak se 400 dollarë.
Shefi i policisë ka urdhëruar një hetim mbi spitalet, si dhe shtëpitë e fëmijëve në Nairobi.
Hetimet kanë zbuluar se oficerët e lartë mjekësorë ishin të lidhur ngushtë me trafikantë të fëmijëve, tha Inspektori i Përgjithshëm i Policisë Hillary Mutyambai.
Të dyshuarit nuk kanë komentuar.
Hetimi nga BBC Africa Eye zbuloi një tregti me fëmijë të vjedhur nga nëna të pambrojtura që jetonin në rrugë, si dhe ekzistencën e klinikave të paligjshme rreth kryeqytetit, Nairobi, ku foshnjat shiteshin për më pak se 400 dollarë.
Hetimi zbuloi gjithashtu korrupsionin në “Mama Lucy Kibaki”, një spital publik në Nairobi.
Fred Leparan, një punonjës social klinik në spital, lehtësoi shitjen e një djali të braktisur dy javësh tek gazetarët e fshehur që iu paraqitën si blerës për 300,000 shilinga ose 2,700 dollarë në dorë.
Si z. Leparan dhe spitali public “Mama Lucy Kibaki” i refuzuan kërkesat për të komentuar mbi rezultatet e hetimit.
Duke folur në një konferencë shtypi të martën, Ministri i Punës dhe Mbrojtjes Sociale të Kenisë Simon Chelugui tha se fajtorët do të përballen me “forcën e plotë të ligjit”.
Ministri Chelugui gjithashtu pranoi se ishin të nevojshme përmirësime në disa nga shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve në Kenia.
Kolegu i tij në Ministrinë e Brendshme Fred Matiang’i falënderoi BBC për ekspozimin e “kalbëzimit” në spitalin “Mama Lucy”. Ai shtoi se trafikimi i qenieve njerëzore dhe drogës janë sfidat më të mëdha me të cilat siguria në Kenia po merrej.
Nuk ka statistika të besueshme për trafikimin e fëmijëve në shtetin e Afrikës Lindore, por një organizatë jo-qeveritare, Missing Child Kenya, tha se ajo kishte pasur gati 600 raste në tre vitet e fundit.