FMN: Paketat e ndihmës të shkojnë te nevojtarët, duhet transparencë

0

Flasin shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun dhe shefi në ikje, Jan Kees Martijn

Shefja e re e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun dhe shefi në ikje, Jan Kees Martijn, në një intervistë të përbashkët për Monitor thanë se deficiti buxhetor i Shqipërisë shkon këtë vit përtej nivelit 5% të PBB-së, nëse kriza zgjidhet në 6-mujorin e dytë.

FMN sugjeron që paketat mbështetëse të qeverisë për familjet dhe biznesin të shkojnë tek më të prekurit dhe të shoqërohen me transparencë. Fondi këshillon Shqipërinë që të diversifikojë prodhimin edhe eksportit, duke iu larguar varësisë nga Italia. Sun shpreh gatishmërinë e FMN për marrëveshje me Shqipërinë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi së fundi se ekonomia e Shqipërisë do të pësojë një rënie me 5% këtë vit. Në çfarë sektorësh do të jetë më e mprehtë kjo rënie?

Projeksionet e fundit të publikuara mbi ecurinë e pandemisë COVID-19, tregojnë se për vitin 2020 ekonomia globale do të tkurret me 3%, dukshëm me keq se gjatë krizës financiare të vitit 2008-2009. Në skenarin fillestar, i cili supozon që kriza do të zgjidhet në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020 dhe se rikuperimi do të vijojë gradualisht, parashikohet që ekonomia globale t’i kthehet rritjes me 5.8% më 2021. Sipas këtij skenari, aktiviteti ekonomik do të normalizohet, i mbështetur edhe nga politikat nxitëse, por sidoqoftë ekzistojnë rreziqe thelbësore për rezultate jo të favorshme.

Shqipëria do të jetë shumë e varur nga masat e lehtësimit, që do të ndërmerren nga partnerët në rajon dhe më gjerë dhe sidomos nga Italia. Sektorët më të prekur do të jenë turizmi, i cili shënoi rritje të shpejtë vitet e fundit në eksportin e shërbimeve. Një pjesë e madhe e eksporteve shqiptare është duke përjetuar rënie të shpejtë si pasojë e masave bllokuese nga Italia dhe mungesës së kërkesës nga vendet partnere.

Çfarë implikimesh do të ketë rënia ekonomike në treguesit e punësimit dhe ato të varfërisë?

Fatkeqësisht, barra e rënies ekonomike është më e rëndë për ata që preken më shumë. Për të mbrojtur këto grupe, qeveria duhet të luajë një rol kryesor nëpërmjet stimujve fiskalë për të mbështetur punësimin dhe për të ofruar mbështetje financiare për ata që kanë nevojë.

Qeveritë gjithashtu me të gjitha mundësitë duhet t’i sigurojnë sistemit shëndetësor mjetet e nevojshme për trajtimin e pandemisë, por burimet financiare publike të qeverisë janë të kufizuara. Prandaj është shumë e rëndësishme që çdo mbështetje që qeveria siguron gjatë kësaj kohe të vështirë të adresohet për ata kanë nevojat më të mëdha. FMN parashikon që edhe nëse ekonomia rimëkëmbet në 2021 (bazuar në supozimin se masat e bllokimit mund të marrin fund gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020) niveli i PBB-së në 2021 do të mbetet shumë më poshtë, se sa do të kishte qenë pa krizën. Treguesit e varfërisë ka të ngjarë të përkeqësohen gjithashtu.

Para pak ditësh FMN aktivizoi instrumentin e financimit të shpejtë me një vlerë rreth 190 milionë USD. A mund të thoni se për çfarë konkretisht mund ta përdorë Shqipëria këtë fond dhe çfarë afatesh dhe interesash ka për rikthimin e tij?

Instrumenti i Financimit të Shpejtë (RFI) është një mekanizëm lehtësues që ofron FMN për të ndihmuar vendet që përballen me nevoja urgjente për financimin e bilancit të pagesave për shkak të një emergjence, krize, fatkeqësie natyrore ose të një pandemie. Normalisht, shuma që vendet mund të marrin hua, përmes RFI, gjatë një viti është e kufizuar në 50% të kuotës së tyre të FMN-së. Për t’iu përgjigjur më mirë pandemisë COVID-19, Bordi i FMN-së ka aprovuar dyfishimin e nivelit të qasjes.

Tashmë, më shumë se 80 vende i janë drejtuar FMN-së për financim. Më 10 prill, Bordi i FMN-së miratoi RFI-të për tre vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Për Shqipërinë kjo mbështetje emergjente arrin në rreth 190 milionë dollarë (100% të kuotës së saj të FMN-së). Është e rëndësishme të theksohet se ky financim emergjent nuk shoqërohet nga një program tipik i FMN dhe kushtëzime. Disbursimi është i menjëhershëm dhe financon drejtpërdrejt buxhetin e shtetit. RFI ka të njëjtat kushte si disa instrumente të tjerë të financimit standard të FMN-së, siç është marrëveshja Stand-by.

Norma e rregullt e interesit përbëhet nga norma e interesit SDR (aktualisht 0.07%) plus një marzh 100 pikë bazë. Për vendet që kanë huazuar një sasi të madhe (më shumë se 187% të kuotës së tyre të FMN-së), ekziston një shtesë prej 2 pikë përqindje, dhe një shtesë prej 1 pikë përqindje shtohet nëse ato mbeten mbi këtë nivel për më shumë se 3 vjet. Në këtë periudhë, të dyja shtesat vlejnë për Shqipërinë. Interesat shtesë aplikohen për të dekurajuar përdorimin e zgjatur të burimeve të FMN-së, duke pasur parasysh që FMN është huadhënës i zgjidhjes së fundit.

A do të akordojë FMN financim përtej kësaj shume edhe nëpërmjet instrumenteve të tjerë për të zbutur sadopak efektet e krizës?

Ne mbetemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet gjatë kësaj kohe të vështirë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë sipas nevojës në formën e ekspertizës, zhvillimin e kapaciteteve, ose përmes një programi tjetër financiar, nëse do të jetë e nevojshme.

Në deklaratën e fundit FMN u shpreh se, “për të kufizuar ndikimin e COVID-19 është e nevojshme të rritet në mënyrë të konsiderueshme deficiti fiskal në 2020”. Sa mund të jetë ky zgjerim?

Para së gjithash, më lejoni të them, se ne mbështesin plotësisht qasjen e autoriteteve për të rritur përkohësisht deficitin fiskal dhe borxhin publik në vitin 2020, në shërbim të lehtësimit të ndikimit të pandemisë COVID-19. Ndërsa ekonomia po kontraktohet, shumë biznese dhe familje do të varen nga mbështetja financiare që ofron qeveria.

Kjo mbështetje është e bazuar në ligjin organik të buxhetit, i cili ka një klauzolë që lejon zgjerimin e deficitit në situata të jashtëzakonshme. Parashikimet e sakta janë të vështira në këto kohë të pasigurta, ku ngjarjet zhvillohen me shpejtësi, por presim që për shkak të mangësive të të ardhurave dhe rritjeve të shpenzimeve, deficiti këtë vit do të jetë më i madh se 5% e PBB-së.

Çfarë plani sugjeron FMN për të mbështetur ekonominë, në mënyrë që të zbuten falimentet dhe papunësia?

Shumë vende të botës kanë vepruar menjëherë për të mbështetur ekonominë dhe për të kufizuar rënien e punësimit. Mbështetja është adresuar për ata që kanë humbur si pasojë e masave kufizuese dhe rënies ekonomike.
Masat janë të ndryshme, duke përfshirë normat më të ulëta të interesit, shtyrjen e taksave, mbështetje me likuiditetit dhe ofrimin e garancisë sovrane për bizneset dhe familjet e prekura.

Autoritetet shqiptare kanë adoptuar një qasje të ngjashme. Këshilla jonë është që gjatë hartimit të këtyre masave, duhet pasur kujdes të veçantë që masat mbështetëse të adresohen te më të prekurit, të jenë të përkohshme dhe shumë transparente. Është e rëndësishme të sigurohet që paratë publike do të përdoren me mençuri për të mbështetur familjet më të rrezikuara dhe ato biznese ose sektorë që preken më shumë nga kriza.

Cili duhet të jetë riorientimi i ri i ekonomisë shqiptare si në planin makroekonomik dhe në ekonominë reale?

Kriza na kujton se, sa të rëndësishme janë politikat e shëndosha makroekonomike gjatë kohërave normale, të cilat krijojnë hapësira që lehtësojnë tronditjet që mund të vijnë nga situata jo të zakonshme. Pasi të mbarojë emergjenca, autoritetet synojnë të kthejnë borxhin në një trajektore rënëse. Për ta arritur këtë, do të jetë e rëndësishme që Shqipëria të vijojë me reformat strukturore për të përmirësuar politikën e taksave, administrimin e të ardhurave dhe menaxhimin e financave publike.

Kriza gjithashtu ka tregtuar rëndësinë që kanë amortizatorët e planifikuar socialë. Këta amortizatorë mbështeten tek bizneset dhe individët që veprojnë në ekonominë formale me kulturën e pagesës së taksave. Së fundmi, për ta bërë ekonominë më të fortë ndaj tronditjeve, që Shqipëria të rriste përfitimet e saj në të ardhmen duhet difersifikuar prodhimi dhe eksporti, pasi varësia e madhe nga disa partnerë të mëdhenj tregtarë (sidomos Italia) e bëjnë vendin më të prekshëm nga goditjet e jashtme.

Deri në çfarë niveli, në raport me PBB-në duhet të jenë paketat stimuluese të qeverive në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në Shqipëri, në mënyrë që të nxisin ekonominë dhe të ruajnë stabilitetin fiskal?

Ne shohim dy përparësi që duhet të udhëheqin reagimin e qeverive ndaj pandemisë: të sigurojnë fondet e nevojshme për sektorin e shëndetësisë, në mënyrë që ai të reagojë ndaj pandemisë, dhe të mbështesin ekonominë dhe të ndihmojnë më të prekurit. Kjo ka qenë qasja e ndërmarrë nga shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu nga Shqipëria. Për të siguruar likuiditet për bizneset e prekura nga masat e kufizimit dhe rënies së kërkesës për produktet e tyre, është përdorur instrumenti i garancive sovrane. Kjo mund t’i ndihmojë ata të mbajnë punësimin në këtë kohë të vështirë.

Është e rëndësishme të sigurohet që këto dhe skemat e tjera të jenë të hartuara mirë dhe të adresuara në mënyrë që të ndihmojnë bizneset në nevojë, duke mbrojtur gjithashtu sistemin financiar dhe sektorin publik nga krijimi i detyrimeve të mëdha. Madhësia e paketës duhet të varet nga fakti se sa çdo vend është prekur dhe sa hapësirë fiskale ka. Në rastin e Shqipërisë, fakti që pandemia është tronditja e dytë në një periudhë relativisht të shkurtër kohore, pas tërmetit në nëntorin e kaluar, shton presion të mëtejshëm për financat publike, dhe e bën më të rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar të mbështesë vendin.

Ballkani Perëndimor pret shumë që Bashkimi Europian ta konsiderojë si pjesë të tij. Cilat do të jenë pasojat për vendet e Ballkanit nëse BE mbyll dyert deri në tetor, ashtu siç ka paralajmëruar presidenti francez Macron?

Pandemia tregon rëndësinë e bashkëpunimit global. Mbi të gjitha, virusi nuk njeh kufij dhe një rikuperim i fortë nga kriza do të kërkojë një stimulim të koordinuar fiskal midis vendeve. Për të mbështetur shpenzimet e nevojshme në vendet në zhvillimin, partnerët e huaj duhet të sigurojnë financim. Ne shohim një mobilizim të jashtëzakonshëm mes qeverive europiane dhe institucioneve europiane për t’u marrë me krizën. Sidoqoftë do të duhet kohë që kufizimet e udhëtimit ndërkombëtar të hiqen plotësisht, dhe shumë aktivitete të rëndësishme si turizmi, tregtia ndërkufitare dhe puna e punëtorëve migrantë sezonalë ka të ngjarë të preken për një farë kohe.

Qeveria shqiptare planifikon të rrisë deficitin dhe borxhin në mënyrë që të përballet me pasojat e Covid-19. Nëse një valë e re infeksioni mund të kthehet në të ardhmen e afërt, dhe amortizatorët fiskalë janë ezauruar – si mund të përballet vendi me këtë situatë?

Autoritetet shqiptare me të drejtë po lejojnë që deficiti fiskal të rritet, në mënyrë që të zvogëlohet ndikimi i pandemisë, dhe ata kanë qenë proaktivë në sigurimin e financimit shtesë duke iu afruar partnerëve ndërkombëtarë dhe duke iu drejtuar tregjeve të vendit. Financimi i miratuar së fundmi nga FMN nën RFI është një shembull i kësaj. Partnerë të tjerë ndërkombëtarë gjithashtu janë të gatshëm të ndihmojnë Shqipërinë për të zbutur ndikimin e krizës, ashtu si ata ishin të gatshëm të ndihmonin Shqipërinë për të përballuar pasojat e tërmetit.

Nëse kriza rezulton të jetë më e rëndë ose të zgjasë më shumë sesa pritej, do të nevojitet më shumë veprim dhe do të jetë më e nevojshme mbështetja ndërkombëtare. Duke parë më tej, pasi kriza të ketë kaluar, do të jetë e rëndësishme që vendi të rivendosë amortizatorët e vet fiskale për t’u përgatitur për goditjet e mundshme në të ardhmen. Në përgjithësi, në të gjithë botën, vendet dhe organizatat ndërkombëtare do të duhet të përgatiten për valë shtesë të mundshme të këtij virusi ose të urgjencave të tjera shëndetësore.

Artikulli i mëparshëmMourinho zgjedh lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave, injoron Messin dhe Ronaldon
Artikulli i radhësGati spitali Covid 3. Manastirliu: Po planifikohet një rihapje e butë e sistemit shëndetësor