Kriza e pandemisë që goditi ekonominë në tremujorin e dytë preku më shumë konsumin sesa investimet.
Të dhënat e Instat treguan se, ndërsa konsumi final i popullatës pësoi një rënie me 7% krahasuar me tremujorin e parë, formimi bruto i kapitalit fiks shënoi rritje me 3.83%.
Me bazë vjetore, të dy përbërësit e kërkesës agregate pësuan rënie, përkatësisht konsumi me 7.6% dhe investimet me 11.1%. Megjithatë, rënia vjetore e investimeve ishte më e ulët se në tremujorin e parë dhe përfshin në një masë të madhe efektin e rënies së volumit të investimeve nga gazsjellësi TAP.
Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kontributin kryesor në rënien e investimeve totale e dha rënia e investimeve publike. Investimet private, të cilat janë gjithsesi në ndryshim negativ prej një viti, dhanë kontributin kryesor në tremujorin e dytë.
Banka e Shqipërisë parashikon që rikuperimi i investimeve private të vijojë në tremujorin e tretë. Treguesit afatshkurtër paraprakë nga tregtia me jashtë japin sinjale pozitive të rritjes së investimeve në makineri dhe pajisje. Importi i mallrave kapitale kaloi në territor pozitiv në periudhën korrik – gusht të këtij viti, pas një dinamike negative prej një viti e gjysmë. Tregues nga vrojtimet pranë bizneseve dhe bankave mbështesin sinjalet nga treguesit paraprakë sasiorë. Treguesit e besimit kanë shënuar kthesë drejt përmirësimit, veçanërisht për sektorin e ndërtimit.
Investimet publike gjithashtu kanë regjistruar një përmirësim në muajt e fundit. Nga fillimi I korrikut deri në fund të tetorit, shpenzimet kapitale të qeverisë u dyfishuan nga 28 miliardë lekë në 56 miliardë lekë. Sipas shifrave të Ministrisë së Financave, në 10 mujorin e këtij viti investimet janë rritur me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Investimet publike pritet gjithashtu të japin një kontribut në rritje për vitin e ardhshëm. Shpenzimet kapitale në buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohen sa 7.2% e PBB-së, për një vlerë totale prej afërsisht 1 miliardë eurosh. Nga këto, rreth 225 milionë euro janë pjesë e programit të rindërtimit nga tërmeti i nëntorit 2019. Fakti që vitit 2020 është një vit elektoral pritet gjithashtu të shpejtojë ecurinë e investimeve në pjesën e parë të tij, çka do të japë edhe një përcjellje më të shpejtë të efekteve në ekonomi.
Ndërkohë, shpresat për një rimëkëmbje të investimeve private janë të përqendruara kryesisht te sektori i ndërtimit. Ndërtimet e reja rezidenciale vijojnë, sidomos në brendësi të Tiranës. Tregu i pasurive të paluajtshme nuk u prek shumë nga kriza dhe indeksi i çmimit të banesave në rang vendi, llogaritur nga Banka e Shqipërisë, shënoi rritje me 4.9% gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit./E.Shehu/monitor.al