Pse ëndërrojmë? Ja cilat janë disa nga arsyet sipas shkencës

0

Ju mund ta shihni veten duke u rrëzuar një boshllëk të pafundmë. Apo sikur po ndiqeni nga një krokodil gjigant. Ndoshta jeni sërish në shkollë, gati për të dhënë një provim mbi të cilin nuk keni studiuar fare, ose mund të jeni plotësisht nudo.

Ëndërrimi është një nga gjërat më të çuditshme që bëjmë në këtë jetë. Këto halucinacione të natës priren të duken si më reale gjatë një fazës së gjumit REM. Dhe kur nuk i kujtojmë ëndrrat, shumica prej nesh zakonisht kalojnë rreth 2 orë çdo natë duke ëndërruar.
Por pse ndodh kjo? Nëse futeni në Google dhe shtroni këtë pyetje do të zbuloni se ajo është bërë gati 4 miliardë herë. Ndërkohë deri më sot shkencëtarët nuk bien ende dakord mbi qëllimin që kanë ëndrrat. Gjithsesi, këto janë nga teoritë më të spikatura se përse ëndërrojmë.

Ëndrrat si nënprodukt i aktivitetit nervor

E propozuar nga psikiatrit e Universitetit të Harvardit J.Alan Hobson dhe Robert Mekerli në vitin 1977, kjo teori thotë se ëndrrat janë përpjekjet e trurit tuaj për të kuptuar modelet e rastësishme të aktivizimit të neuroneve ndërsa ju flini. Pra ato janë thjesht një nënprodukt i proceseve të trurit gjatë gjumit.
Sipas këtij modeli, disa qarqe në rrjedhën e trurit ndizen gjatë gjumit REM. Pasi aktivizohen, pjesë të sistemit limbik që janë përgjegjës për kujtesën dhe emocionet – si hipokampusi, i përfshirë në formimin e kujtimeve afatgjata, dhe amigdala e cila rregullon përgjigjet ndaj frikës – gjenerojnë një sërë sinjalesh elektrike. Pastaj, truri përpiqet të gjejë kuptime dhe struktura narrative në këtë aktivitet pas zgjimit, duke krijuar kësisoj ëndrrat.

Ruajtja e kujtimeve emocionale

Kjo teori pretendon se ëndrrat na ndihmojnë në ruajtjen e kujtimeve të përvojave emocionale, dhe ndihmojnë në rregullimin e gjendjes shpirtërore ditën e nesërme. Dekadat e kërkimeve, kanë bërë që shkencëtarët t`a lidhin gjumin REM me konsolidimin e kujtesës. Por mekanizmat specifikë të trurit prapa kësaj “depozite”, kanë qenë më të vështirë për t’u përcaktuar.
Në vitin 2016, një studim tek minjtë duke përdorur optogjenetikën zbuloi prova shkakësore
se një lloj vale e trurit e quajtur ‘lëkundja theta’, është e domosdoshme për konsolidimin e kujtesës. Qershorin e kaluar, studiuesit nga Universiteti i Tsukuba dhe ai i Tokios në Japoni përdorën të njëjtën teknikë për të identifikuar një grup të vogël neuronesh në hipokampus, që ndihmojnë gjithashtu në ruajtjen e kujtesës.

Simulimi i situatave dhe kërcënimeve sociale

Kjo teori thotë se vetëdija jonë gjatë ëndërrimit, është në thelb një mekanizëm i lashtë biologjik mbrojtës; një rezultat i natyrshëm i evolucionit tonë. Në thelb, ëndërrimi i jep mundësi trurit të provojë strategjitë reja mbijetese, pa pasur nevojë të mbrohet kundër një kërcënimi aktual.
Gjithashtu, teoria e simulimit social argumenton se pamjet gjatë ëndrrave, na sigurojnë një zonë pa pasoja,ku truri mund të praktikojë strategji shoqërore dhe të sjelljes. Pra ëndrrat ndihmojnë në simulimin e realitetit tonë shoqëror, në mënyrë që të mund të sillemi më mirë në ndërveprimet dhe marrëdhëniet tona në jetën reale.

Ëndrrat si frymëzim krijues dhe zgjidhje e problemeve

Studiuesit thonë se ëndrrat që shohim, mund të çojnë në nxitjen e kreativitetit kur ato na ndihmojnë të zgjidhim një problem që kërkon një imagjinatë të gjallë. Përtej kësaj, ëndrrat mund të na ndihmojnë të përballemi me probleme që mund të sfidojnë mençurinë konvencionale. Për shembull kimisti gjerman i shekullit XIX-të August Kekul, pretendoi se ëndrra e tij me një gjarpër që hante bishtin e vet, e nxiti atë të zbulonte strukturën rrethore të molekulës së benzenit.

Artikulli i mëparshëmPolicia e Shtetit dhunon të miturit me simbolet e Turqisë, ku shkuan milionat për uniformat…
Artikulli i radhësOBSH akuzohet për komplot me italianët, zhduket raporti famëkeq për pandeminë në Itali