Në 9 muaj, në Shqipëri, u importuan 4% më pak pajisje hidrosanitare, pllaka dhe qeramikë për çatitë e shtëpive se vjet. Për pesë operatorët kryesorë të tregut, shitjet në periudhën e karantinës u pezulluan. Me hapjen e ekonomisë për disa kompani, blerjet e konsumatorit familjar që kërkoi të zëvendësonte pajisjet, e forcuan 30% kërkesën, ndërsa për të tjerë, moskthimi i emigrantëve në atdhe reduktoi shitjet në të njëjtat nivele.
Dorina Azo
Kriza e Covid-19 nuk ka ndikuar negativisht në tregun e shitjes së pajisjeve hidrosanitare dhe pllakave. Pesë kompanitë kryesore të tregut pohuan se kërkesa u godit vetëm në karantinë, por u rigjallërua menjëherë me hapjen e ekonomisë.
Izolimi 3-mujor i aktivitetit të bizneseve e dha efektin edhe tek importet e produkteve të sektorit. Sipas të dhënave të INSTAT, importet e produkteve qeramike (hidrosanitare, pllaka dhe qeramika për çatitë e shtëpive) kanë rënë lehtw me 4.3% me bazë vjetore për 9-mujorin 2020. Spanja është destinacioni kryesor nga importohen produktet qeramike. Për 9-mujorin 2020, gati 31% e importeve të këtij grupi vinin nga Spanja. Nga Italia erdhën 16.2% e importeve të produkteve.
BURIMI: INSTAT
Sektori me rritje
Për disa operatorë të tregut, shitjet e pajisjeve hidrosanitare ishin 30% më shumë se vjet. Sipas tyre, kërkesën e forcoi konsumatori familjar që nuk i ndërpreu shpenzimet për pajisje në raste dëmtimesh apo rinovimi, ndërsa shitjet e pllakave nuk pësuan ndryshim.
Për kompani të tjera, kërkesa ra 30% krahasuar me 2019, për shkak të moskthimit të emigrantëve në Shqipëri nga bllokimi i lëvizjeve me jashtë. Kjo tendencë u shfaq më tepër në rrethe dhe zonat rurale. Kompanitë pranuan se vazhdimi i investimeve në hotele e nxiti kërkesën për pajisjet hidrosanitare dhe pllaka rreth 17% në pandemi, ndërsa kleringu mbeti forma kryesore e blerjeve për 80% të ndërtuesve.
Disa nga kompanitë që operojnë në sektorin e produkteve hidrosanitare dhe pllakave edhe në pandemi po përjetojnë periudhë “të artë” shitjesh.
Daniel Çakçiri, drejtor i shitjeve “Billa”, shpjegoi për “Monitor” se ka bum kërkesash për produktet hidrosanitare, sidomos nga konsumatorët e rregullt që rinovojnë pajisjet. “Në muajt mars-prill, për shkak të karantinës, aktiviteti u pezullua. Pas hapjes së ekonomisë, kërkesa u rrit. Më tepër forcim shënoi në muajt qershor- korrik. Për periudhën janar-tetor, në kategorinë e pajisjeve hidrosanitare, rritja ishte 21% më shumë se vjet, ndërkohë që për tremujorin korrik-shtator kërkesa ishte 28% më shumë krahasuar me 2019.
Për pllakat, shitjet janë në të njëjtat nivele me vitin e mëparshëm. Në pandemi, kërkesa nuk ndryshoi për atë pjesë të popullatës që rinovojnë pajisjet e tualetit të banesës, kur ka dëmtime apo kur kryejnë rinovimet, për shkak të përfundimit të ciklit të përdorimit. Për t’u përmendur është edhe sjellja e bazës së klientëve të kryeqytetit. Në dy muajt e fundit është shënuar rritje e ndjeshme e kërkesës nga klientë që po investojnë në shtëpitë e dyta në qytetet e Durrësit dhe Pogradecit”.
Edhe për kompaninë “Brunes”, një ndër më të mëdhatë në tregtimin e produkteve hidrosanitare, Covid-19 nuk ndikoi te të ardhurat. Përfaqësues të saj thanë se aktualisht, kërkesa për produkte është e njëjtë si vjet. Efektet e pandemisë për këtë kompani u ndien më shumë në dy muajt e karantinës, për shkak të ndalimit të lëvizjeve, por u kompensuan nëpërmjet shitjeve online.
Pas hapjes së ekonomisë në muajt maj-qershor, kërkesa ishte me rritje edhe për produktet hidrosanitare që tregton kompania Delta. Arsyet, sipas këtij operatori, janë për shkak të pritjes 3-mujore të personave të interesuar për vazhdimin e investimeve dhe përdorimit të çmimeve promocionale.
“Në muajt maj-qershor, kërkesa për pajisje hidrosanitare ishte e lartë, kjo për shkak edhe të dëmtimeve nga tërmeti apo të investimeve të lëna përgjysmë. Në këtë periudhë, kompania aplikoi oferta në çmimet e produkteve. Është në politikën e kompanisë, që herë pas here të përdorim çmime promocionale për klientët tanë.
Gjithashtu, edhe cilësia e produkteve, si dhe çmimet që ofron kompania në treg bën që konsumatorët të kërkojnë produkte hidrosanitare vetëm në showroom-et tona. Aktualisht, shitjet janë të larta. Tendenca nga individët është për të kryer shpenzime ekonomike dhe me çmime mesatare”, pohuan përfaqësuesit e kompanisë.
Ylli Xhakollari, administratori i “Henri sh.p.k.” me 21 të punësuar aktualisht po punon me shitje 30% më pak se 2019-a. Arsyeja e rënies është pasiguria e konsumatorit, për shkak të krizës nga Covid-19. “Në dy muaj karantinë, aktiviteti u pezullua nga pamundësia për të lëvizur edhe me makinat e vëna në dispozicion nga kompania.
Në muajin maj kërkesa ishte 50% më pak se vitet 2018-2019 dhe se parashikimi i 2020-s. Aktualisht, tkurrja është 30% krahasuar me vjet. Arsyet e reduktimit janë për shkak të pasigurisë dhe mungesës së optimizmit të njerëzve. Por trendi rënës i kërkesës është shënuar edhe vjet. Pra pandemia nuk konsiderohet faktori i vetëm ndikues. Në këtë situatë që gjendemi, ne po mbijetojmë”, nënvizon z. Xhakollari.
BURIMI: INSTAT
Si ndikuan remitancat te kërkesa
Covid-19 bllokoi lëvizjet e shqiptarëve me jashtë. Shumë shtete të huaja, nga frika e përhapjes së virusit, kufizuan edhe lëvizjen e emigrantëve për t’u kthyer në atdhe. Kjo dukuri konsiderohet për disa nga operatorët e sektorit, si një ndër faktorët kryesorë të uljes së shitjeve, pasi emigrantët gjithmonë zgjedhin që në stinën e verës të kryejnë investime për vilat e ndërtuara në Shqipëri.
Efektet e moskthimit të emigrantëve në atdhe janë ndier më së shumti për kompaninë “Sinani”, që merret vetëm me tregtimin e pajisjeve hidrosanitare, kryesisht në rrethe dhe zonat rurale. “Në pandemi, kërkesa për pajisje hidrosanitare është reduktuar me 30% krahasuar me një vit më parë. Shkak është bllokimi i lëvizjeve nga Covid-19 të emigrantëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët gjithmonë kryejnë investime për shtëpitë në Shqipëri, në pushimet e verës, por sivjet e kishin të pamundur të ktheheshin”, thotë administratori i kompanisë, Bledi Sinani.
Arsyeja tjetër e tkurrjes së kërkesës i atribuohet edhe vendasve që ndërtojnë shtëpi individuale, por për të përfunduar investimin iu duhen minimalisht dy vite kohë. “Kjo kategori planifikon një vit shpenzimet për fazën elektrike dhe vitin tjetër për pajisjet hidraulike. Sot janë të pakët klientët që kryejnë shpenzime për pajisje luksi, blerjet më shumë janë të përqendruara për produkte me çmime ekonomike.”
Mosardhja e emigrantëve që rikonstruktojnë banesat në vend ndikoi në muajt qershor-gusht, edhe te kërkesa e kompanisë “Billa”, sidomos për periferitë e zonat e rurale të qyteteve si: Fieri, Kavaja, Lushnja, Berati. “Në këto qarqe, shënohet rënie e lehtë në tremujorin e sezonit veror me 6-7% më pak se në vitin 2019 për shkak të moskthimit të emigrantëve në vend, të cilët, periudhën e qëndrimit në verë e shfrytëzojnë për investime në vilat që kanë ndërtuar në Shqipëri.
Kjo është një tendencë e fortë, e theksuar vitet e fundit, por këtë vit nuk ndodhi për shkak të kufizimit të lëvizjeve me jashtë. Duhet theksuar se remitancat janë burimi kryesor për shpenzimet e familjarëve për produkte hidrosanitare dhe pllaka në rrethe e zonat rurale të vendit. Kjo kategori zë 30% të xhiros në tremujorin e tretë. Gjithsesi, në qytetet kryesore të Shqipërisë, si Tirana dhe Durrësi, nuk u reflektua kjo dukuri. Në zonat urbane, trendi pozitiv 3-mujor dhe vjetor i regjistruar mundëson rritjen totale 6% vjetore”, pohon drejtori i shitjeve të kompanisë.
E njëjta qasje për këtë vit pranohet edhe nga përfaqësuesit e “Delta”. Rënia e fluksit të kërkesës për muajin gusht, krahasuar me periudhën maj-korrik, për arsye të mosardhjes së emigrantëve, u shënua edhe për këtë kompani. Për muajt shtator-tetor, kërkesa filloi të rikthehet në nivelet e mëparshme.
Hoteleria
Industria e turizmit i ka dhënë një shtysë pozitive shitjeve të sektorit të hidrosanitareve dhe pllakave, siç shpjegon drejtori i shitjeve te kompania “Billa”. “Bie në sy që puna për investimet e hoteleve të mëdha, një model i shëndetshëm i biznesit në Shqipëri, nuk ndaloi si para dhe pas sezonit turistik. Për këtë arsye, shitjet për këtë kategori shënuan rritje të fortë vjetore me 17%.
Për investimet afatmesme në strukturat akomoduese të planifikuara vitin e kaluar, blerjet për pajisje hidrosanitare dhe pllaka vazhduan dhe kjo ndikoi pozitivisht te shitjet, pavarësisht se sektori i hotelerisë vuajti mungesën e turistëve. Kjo kategori zë 5% të shitjeve”.
Tendenca e konsumatorit
Sjellja e konsumatorit po shkon në mënyrë konstante drejt fashës së lartë të çmimit të artikujve, duke kërkuar modelet më të fundit e duke prekur madje dhe pajisjet e luksit, shpjegon drejtori i shitjeve në kompaninë hidrosanitare “Billa”. “Çmimi mesatar i pllakës ka rritje rreth 17%, ndërsa ai i pajisjeve hidrosanitare, rreth 19%. Por pavarësisht ndryshimeve të çmimeve të shitjes, kjo kategori nuk është shtrënguar te shpenzimet e tyre.
Këto cilësohen investime të domosdoshme që zgjasin 10 deri në 20 vjet dhe konsumatori zgjedh të bëjë investimin e duhur që i garanton cilësinë, pavarësisht situatës financiare. Ky klient që rikthehet në mënyrë ciklike për të blerë zë 45% të xhiros, duke siguruar qëndrueshmëri e rritje konstante të nivelit të shitjeve”, – nënvizoi z. Çakçiri.
Edhe përfaqësues të kompanisë më të madhe të tregtimit të produkteve hidrosanitare “Brunes” thanë se shtresa me të ardhura të larta nuk hoqi dorë nga shpenzimet për mallra luksi, ndërsa individët me të ardhura mesatare ndryshuan kategorinë e blerjeve. “Ky target konsumatorësh në pandemi, është i përqendruar kryesisht te shpenzimet për pajisje ekonomike, ndërsa shtresa me të ardhura të ulëta vazhdon të mbajë të njëjtin nivel blerjesh, por me diferenca të vogla”.
Problemet me skemën e kleringut
Një nga problematikat që po has sektori janë shitjet me klering te kompanitë e ndërtimit. Administratori i kompanisë “Henri sh.p.k.”, Ylli Xhakollari, pohon se 80% e ndërtuesve kërkojnë të punojnë me klering. Por për kompanitë që furnizojnë ndërtimin me lëndë të para, është shumë e vështirë që të shesin apartamentet, kur pallatet janë ende në gropë dhe nuk ka dalë hipoteka. Kjo i bën thuajse të pamundura rastet kur individët kërkojnë që të blejnë shtëpi me kredi hipotekore.
Nga ana tjetër, kleringu e rrit minimalisht tre vjet kohën, sipas z. Xhakollari nëpërmjet realizimit të shitjes dhe arkëtimit të të ardhurave. Për këtë arsye, kompania “Henri sh.p.k.”, e konsideron të pafavorshme këtë formë të punuari. “Sektori i ndërtimit në vitet e fundit ka pësuar hov të madh zhvillimi. Bie në sy që këtë vit, një kompani po ndërton pesë apo dhjetë pallate njëherazi, por 80% e ndërtuesve zgjedhin të punojnë me klering. Blerjen direkt me cash e bëjnë vetëm kur nuk gjejnë klering, pra kur janë ngushtë.
Me këtë numër apartamentesh që po i shtohen Tiranës çdo vit, shitja me klering është tepër e vështirë, ndërsa kompanitë shqiptare nuk janë aq të fuqishme financiarisht sa të arrijnë të mbajnë një pronë të pashitur 3 vjet. (Nëse një apartament merret me klering, pas përfundimit të objektit 2-3 muaj, llogaritet koha e vendosjes së ashensorëve dhe lyerjes.
Më pas, duhet kohë për nxjerrjen e lejes së zhvillimit dhe për gjetjen e klientëve.) Nuk mund ta përballojmë dot stokun e pashitur me vlerë 100,000 euro, pasi kemi edhe detyrimin e kredive. Vlera e apartamenteve që merret në këmbim të materialeve hidrosanitare gjithmonë është mbi 100 mijë euro”, thotë Xhakolli.
Në të njëjtën kohë, kompanitë hidrosanitare kërkojnë likuiditet për të shlyer furnitorët e huaj dhe kleringu i vë ato në vështirësi për të rritur sasitë e importuara nga jashtë. “Në këtë periudhë, nga firmat e ndërtimit, sidomos në zonat e reja ku po ndërtohen apartamentet e banimit, kërkesa për të punuar me klering është e lartë, por për ne nuk është e favorshme të punojmë në këtë formë, pasi na krijon pengesa në likuiditet, që nevojiten për importin e produkteve hidrosanitare”, pohon përfaqësuesi i kompanisë “Sinani”.
Ndërkohë për kompaninë “Delta”, sektori i ndërtimit ka ndikuar pozitivisht. Përfaqësuesit e kësaj kompanie nënvizuan se më shumë shitje janë realizuar nga rrjeti i retail, ndërsa shitjet me klering janë zbatuar për rastet që operatori i ka konsideruar të favorshme.
Të ardhurat
Pesë operatorët kryesorë në vend të tregtimit të hidrosanitareve janë optimistë për ecurinë e aktivitetit deri në fund vitit. “Parashikojmë që për janar-tetor, të ardhurat të jenë 6% më shumë se e njëjta periudhë e 2019-s. Pavarësisht trendit pozitiv duhet konsideruar që trendi rritës i të ardhurave të kompanisë në 3 vitet e fundit është 20-30% në vit.
Për vitin 2020, parashikojmë që rritja të mos jetë në këto nivele, për shkak të pezullimit të punës gjatë karantinës”, pohoi drejtori i shitjeve të “Billa”. Të ardhurat e kësaj kompanie për 2019, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, ishin 13% më shumë se në vitin 2018.
Edhe parashikimet e kompanisë “Delta” për mbylljen e vitit janë optimiste. “Nëse nuk do të ketë një mbyllje tjetër të ekonomisë, të ardhurat parashikohen të jenë sa në vitin 2019. Nuk presim që të jenë më të larta se vjet, pasi për tre muaj, për shkak të Covid-19 aktiviteti u pezullua”. Të ardhurat e “Delta” në vitin 2019 ishin rreth 1,2% më shumë se në 2018.
Për kompaninë “Sinani”, të ardhurat në 2019 u rritën 20% krahasuar me vitin 2018. Administratori i kompanisë, Bledi Sinani, parashikon që këtë vit, shitjet të shtohen nëse nis zbatimi i programit të rindërtimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. “Jemi në pritje të zhvillimit të projekteve për të punuar, si në zonën e Fushë-Krujës, Durrësit, etj.” Në pritje për t’u angazhuar në tregtimin e produkteve për procesin e rindërtimit është edhe administratori i kompanisë “Henri sh.p.k.”. Z. Xhakollari thotë se për zbatimin e programit do të ketë më shumë shitje të produkteve me çmime ekonomike.
“Por praktikisht, ende këto projekte nuk kanë nisur. Kanë përfunduar projektimet nga supervizori për ndonjë apartament apo shtëpi individuale, por jemi në pritje të hapjes të themeleve”. Kjo kompani importon pajisjet nga shtetet si: Italia, Turqia, Kina, Egjipti etj. Për vitin 2020, parashikimet e drejtuesit të saj janë pozitive. Të ardhurat e kompanisë për 2019 shënuan rënie krahasuar me 2018 me rreth 30%. Për sa i përket kompanisë “Brunes”, sipas të dhënave të QKB-së, të ardhurat në 2019 ishin me rritje 6% krahasuar me 2018./MONITOR