Rexhep Tajip Erdogan përballet me faktet ekonomike. Presidenti i Turqisë do ta ndiejë mungesën e mikut të tij në Shtëpinë e Bardhë
Çfarë efekti mund të ketë një mosmarrëveshje familjare? Vetëm disa javë më parë, lira turke kishte rënë në nivelet më të ulëta, ndërkohë që Banka Qendrore qëndronte duarkryq, investitorët e huaj braktisnin aksionet turke dhe ministri i Financave, Berat Albayrak, argumentonte se kurset e këmbimit nuk kishin rëndësi. Sot, monedha e ka rimarrë veten, tregu i aksioneve po rritet dhe zyrtarët po diskutojnë mbi nevojën për të reformuar gjykatat dhe për të mbajtur inflacionin nën kontroll, shkruan The Economist.
Për më shumë se dy vjet, presidenti autokrat i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, është mbështetur te dhëndri i tij, zoti Albayrak, në drejtimin e ekonomisë. Zoti Albayrak gati e fundosi atë. Teksa bankat nxirrnin kredi me norma nën nivelin e inflacionit për të rigjallëruar rritjen ekonomike, lira u fundos më shumë se 40% ndaj dollarit, duke djegur kursimet e miliona turqve. Banka Qendrore dhe bankat shtetërore harxhuan të paktën 100 miliardë dollarë në rezerva të çmuara të huaja, në një përpjekje të pasuksesshme për të shpëtuar monedhën.
Më në fund, zoti Erdogan mbajti frenat. Më 7 nëntor, ai shkarkoi guvernatorin e Bankës Qendrore dhe e zëvendësoi atë me një nga rivalët e zotit Albayrak. Të nesërmen, zoti Albayrak i indinjuar, dikur i konsideruar edhe si pasardhësi i vjehrrit të tij, u tërhoq nga posti. Që atëherë, lira ka pasur performancën më të mirë javore në dy dekada (një rritje prej 10%).
Ndryshimi i kursit ka qenë i jashtëzakonshëm. Guvernatori i ri i Bankës Qendrore, Naci Agbal, dhe ministri i ri i Financave, Lutfi Elvan, po marrin të gjitha masat e duhura për stabilizimin e monedhës dhe uljen e inflacionit në nivele njëshifrore.
Ministri i Drejtësisë, i cili ka kryesuar një goditje gjithëpërfshirëse kundër kundërshtarëve qeveritarë që nga viti 2017, ka zbuluar papritur pasionin për sundimin e ligjit, duke kërkuar që gjyqtarët të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ka ndihmuar në përmirësimin e klimës për investitorët e huaj. Këta investitorë janë të nevojshëm: nga goditja e pandemisë, ekonomia u tkurr me gati 10% në tremujorin e dytë.
Edhe vetë zoti Erdogan, një armik i betuar i normave të larta të interesit, tani thotë se Turqia mund të duhet të gëlltisë “një pilulë të hidhur”, gjë që do të thotë se është nevoja për një dozë rreptësie. Më 19 nëntor, Banka Qendrore vendosi një rritje spektakolare të normës me 475 pikë bazë.
Zoti Erdogan u detyrua t’i dorëzohej presionit të tregut dhe të shkarkonte nga detyra zotin Albayrak. “Ekzistonte një mundësi e mirë që kjo prirje negative të fitonte inerci dhe monedha të fundosej fare” nëse udhëheqësi i Turqisë nuk do të kishte ndryshuar drejtim, thotë Paul McNamara nga GAM Investments. Një tjetër mundësi ishte që të kërkonte ndihmë nga FMN-ja, një alternativë që zoti Erdogan e kishte përjashtuar me kohë. Presidenti gjithashtu do të kishte paguar një çmim politik. Një grup prej 30 – 40 parlamentarësh të partisë në pushtet, thuhet se kishin kërcënuar të bashkoheshin me opozitën nëse zoti Albayrak nuk do të jepte dorëheqjen.
Ky mund të jetë edhe një lloj ngushëllimi për udhëheqësin e Turqisë, ndërkohë që po humbet edhe një mik të volitshëm në Uashington. Në katër vitet e fundit, zotit Erdogan i ka pëlqyer mospërfillja e Donald Trump, ndërkohë që Turqia dëboi trupat amerikane nga rajonet e Sirisë Verilindore, u përplas me aleatët europianë në Mesdhe, vendosi mercenarë sirianë në Libi dhe Azerbajxhan dhe mbylli pas hekurave me mijëra njerëz, nën akuza terrori më të holla se petët e bakllavasë.
Zoti Trump gjithashtu e mbrojti Turqinë nga sanksionet për blerjen e një sistemi të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia. Ai gjithashtu mund të jetë përpjekur të pengojë një hetim ndaj një banke shtetërore turke të akuzuar për pastrim parash që vinin nga Irani.
Por së shpejti, nën drejtimin e Joe Biden, i cili në fillim të këtij viti e quajti zotin Erdogan një “autokrat” i cili “duhet të paguajë një çmim”, rregullat do të bëhen më të rrepta. Amerika do të vendosë vija të kuqe dhe do t’i zbatojë ato në mënyrë më të besueshme, thotë Lisel Hintz nga Universiteti Johns Hopkins. Zoti Erdogan do të ketë më pak hapësirë për të arritur marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë. Sanksione si ato mbi S-400 do të jenë më të vështira për t’u anashkaluar, sidomos pasi Turqia e sfidoi sistemin në tetor.
“Ankaraja nuk do të ketë më të njëjtën mbrojtje që gëzonte nga Trump dhe duhet të rregullojë shtëpinë e saj, politikisht dhe ekonomikisht”, thotë Asli Aydintasbas nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet e Jashtme. “Mund të mos ketë dëme të drejtpërdrejta, por nuk ka dyshim se dorëheqja e Albayrak është një shenjë që tregon se Turqia po përgatitet për sfidat që e presin”.
Me miq të tillë
Megjithatë, përpjekjet e Erdoganit për të shpëtuar lirën turke dhe për të kënaqur administratën e re amerikane kanë një kufi. Pavarësisht të gjitha fjalimeve të fundit mbi reformat, ai nuk ka ndër mend të zbusë kontrollin mbi institucionet kombëtare, të heqë dorë nga rritja ose të mos torturojë më kundërshtarët.
Kohët e fundit, prokurorët e tij hapën një hetim ndaj Ekrem Imamoglu, kryetarit të bashkisë nga partia opozitare në Stamboll, sepse ky i fundit kishte kritikuar një prej projekteve të preferuara të presidentit, hapjen e një kanali midis Detit të Zi dhe Marmara. Fakti nëse Banka Qendrore do të marrë vendimet e duhura, varet më tepër nga presidenti sesa nga guvernatori i saj. Zoti Albayrak mund të jetë një sakrificë e volitshme, por nuk është ai problemi i vërtetë në Turqi.
Edhe nëse Erdogan ishte i sinqertë në lidhje me reformat demokratike dhe nevojën për të rregulluar marrëdhëniet me partnerët perëndimorë, koalicioni që ai ka vulosur me ultranacionalistët e vendit, të cilët e mbështesin në Parlament dhe në forcat e sigurisë, do ta bëjë të vështirë për të marrë hapat e duhur. “Ai e ka mbyllur veten në këtë rrugë”, thotë Ozgur Unluhisarcikli i Fondit Gjerman Marshall, një think-tank. “Nuk mendoj se ai do të jetë në gjendje të bëjë ndryshime thelbësore pa shkatërruar strukturën e aleancës që ka ngritur vetë”.
Zotit Erdogan i mbetet veçse të shpresojë që fillimi i Presidencës Biden të jetë më i mirë se fundi i Presidencës Trump. Më 16 nëntor, sekretari i Shtetit i zotit Trump, Mike Pompeo, tha për një gazetë franceze se Amerika dhe Europa duhej të merreshin me “veprimet agresive” të Turqisë në muajt e fundit.
Të nesërmen, zoti Pompeo shkoi në Stamboll, ku vizitoi Patriarkun Ekumenik për të diskutuar mbi liritë fetare në Turqi (dhe ndoshta u ankua për transformimin e ish bazilikës së krishterë Hagia Sophia, në një xhami, me urdhër të Erdoganit). Gjatë kësaj vizite, ai nuk takoi asnjë zyrtar turk./ Përktheu Lira Muça/MONITOR