Dilema e kursimtarëve

0
This image has an empty alt attribute; its file name is Norma-interesi-300x169.jpg

Normat e ulëta të interesit i lënë kursimtarët me pak mundësi të mira. Pandemia e Covid-19 e ka rënduar dilemën

Në komedinë e viteve 1980, “Trading Places”, Jamie Lee Curtis luan rolin e një prostitute që ka ruajtur kursime për të ardhmen; ajo zotëron 42,000 dollarë “në bono thesari, me fitim interesi”. Nëse ajo do të ndiqte të njëjtën strategji sot, do të mbetej mjaft e zhgënjyer me fitimet.

Yield-i i bonos së thesarit njëvjeçare është 0.13%, kështu që të ardhurat e saj vjetore nga interesi do të ishin vetëm 55 dollarë. Nëse do t’i riinvestonte të ardhurat, do të duheshin më shumë se 530 vjet që paratë e saj të dyfishoheshin, shkruan The Economist.

Kursimtarët në të gjithë botën po përballen me të njëjtin problem. Llogaritë bankare, fondet e përbashkëta të tregut të parave dhe instrumente të tjerë afatshkurtër, më parë jepnin fitime të mira. Por jo më (shih grafikun). Normat janë më të ulëta në terma nominalë sesa 30 vjet më parë, për shkak të rënies afatgjatë të inflacionit, por ato janë gjithashtu më të ulëta në terma realë. Pandemia e ka bërë dilemën akute. Këtë vit, yield-et nominale nga obligacionet 10-vjeçare në Amerikë, Britani dhe Gjermani, kanë arritur nivelet më të ulëta historike.

Kursimtarët ka të ngjarë t’i përgjigjen kësaj situate në tri mënyra. Ata mund të kursejnë më pak dhe të shpenzojnë më tepër nga të ardhurat. Mund të kursejnë më shumë para, për të kompensuar për fitimet më të ulëta. Ose mund të investojnë më shumë kursime në asete të rrezikshme, si blerjet e aksioneve të kompanive (ekuitetet), të cilat japin fitime më të mëdha në një periudhë afatgjatë.

Pra, çfarë do të bëjnë kursimtarët në të vërtetë? Fatkeqësisht, historia nuk është udhëzuese shumë e dobishme. Ju mund të pandehni se bankat qendrore e kanë shqyrtuar mirë këtë çështje, duke pasur parasysh se normat e ulëta të interesit synojnë të rrisin konsumin (dhe si pasojë ekonominë) dhe të shkurajojnë kursimet. Por Rezerva Federale dhe Banka e Anglisë çuditërisht kanë bërë pak kërkime mbi këtë temë.

Në Gjermani, ku normat e ulëta të interesit janë një çështje më e nxehtë politike, janë bërë më shumë kërkime. Por ato kanë treguar se ndikimi i normave në sjelljen e kursimtarëve është i vakët. Bundesbank ka zbuluar se niveli i kthimeve është bërë më pak i rëndësishëm me kalimin e kohës si një përcaktues i sjelljes së kursimtarëve. Një studim nga kompania e sigurimeve Allianz, ka zbuluar se faktorë të tjerë luajnë një rol më të madh. Për shembull, sa më shumë para që qeveritë u kushtojnë shpenzimeve sociale, aq më pak njerëz kursejnë, sepse ata presin që shteti t’i ndihmojë në kohë të vështira.

Demografia gjithashtu ndikon në normën e kursimit: njerëzit priren të kursejnë më shumë kur i afrohen pensionit. Por sapo dalin në pension, shumica jetojnë me kursimet e tyre, kështu që një rritje e numrit të pensionistëve mund të shkaktojë rënien e normës totale të kursimeve. Studimet nga Charles Yuji Horioka i Universitetit Kobe tregojnë se ky ka qenë shkaku kryesor i rënies afatgjatë të normës së kursimit të familjeve në Japoni.

Marrëdhënia historike midis normave të interesit dhe nivelit të kursimeve, duket se është e dobët. Studimi nga Allianz zbulon se, në të gjithë Europën, për çdo rënie prej 1% të normave të interesit, kursimet u rritën me 0.2%. Edhe kështu, është e vështirë të dallohet qartë shkaku nga pasoja.

Bankat qendrore i ulin normat e interesit në përgjigje të lajmeve të këqija ekonomike dhe mund të jenë pikërisht lajme të tilla, dhe jo normat më të ulëta, arsyeja kryesore që kursimtarët bëhen më të kujdesshëm. Shkalla e kursimit në Amerikë ra nga më shumë se 10% para vitit 1985, në më pak se 5% në mes të viteve 2000. Kjo mund të ketë qenë e lidhur me trendin në rënie të normave të interesit. Por luhatjet afatshkurtra duket se janë nxitur nga recesionet.

Çfarë e ndikon sjelljen e kursimtarëve

Nëse historia nuk është një udhëzuese e besueshme e sjelljes së kursimtarëve, cilat janë sinjalet e deritanishme që ka dhënë sjellja e tyre këtë vit? Ankthi për pandeminë shkaktoi që kursimi në Amerikë të rritej në një nivel të lartë rekord në fillim të vitit; në gusht, ishte ende relativisht i lartë, me 14.1%. Instituti i Kompanisë së Investimeve (ICI), një grup lobimi për menaxherët e fondeve amerikane, raporton se 115 miliardë dollarë shkuan në fondet e tregut të parave (d.m.th. depozita afatshkurtra) në mars të këtij viti.

“Në diskutimet me klientët vihej re frika”, thotë Andy Sieg, president i Merrill Lynch Wealth Management. “Shqetësimi i tyre ishte siguria e faktorëve kyçë”. Nëse je i shqetësuar për humbjen e punës, atëherë kthimi i kursimeve është një shqetësim minimal. Gjëja kryesore është të kesh mjaftueshëm kursime.

Megjithatë, teksa paniku u qetësua, disa kursimtarë nisën një strategji tjetër, atë të rrezikut. Tregu i aksioneve amerikane u rrit menjëherë, pjesërisht për shkak të veprimeve të bankës qendrore. Shumë investitorë individualë u mobilizuan, duke blerë aksione përmes platformave si Robinhood. Me kthime kaq të ulëta në bono dhe para, aksionet dukeshin mjaft tërheqëse, veçanërisht pasi disa ofrojnë një Yield dividendi që i tejkalon kthimet e kursimeve në bankë.

Për investitorët që iu kthyen aksioneve në mars, ky efekt pasurimi i kompensoi lehtësisht ata për kthimet më të ulëta në kursimet e tjera. Ky rrezik më i madh është pjesë e një trendi afatgjatë. Zoti Sieg thotë se 10 deri në 15 vjet më parë, pensionistët e pasur amerikanë mund të kenë ruajtur shumë nga kursimet e tyre në bono komunale. Tashmë ata kanë një portofol më të larmishëm, përfshirë aksionet në kompani dhe borxhin e korporatave.

Megjithatë, qasja e ndërmarrjes së një rreziku më të lartë për të kompensuar normat më të ulëta të interesit, nuk ka dhënë gjithnjë rezultat. Tregu i furishëm i Amerikës ka qenë një përjashtim. Kursimtarët janë kompensuar më pak për rrezikun. Indeksi FTSE 100 i Britanisë është ende nën nivelin e vitit 1999. Në Gjermani, një bum në vitet 1990, shkaktoi rritjen e pjesëmarrjes në aksionet e kompanive nga 20% në 30% të aseteve familjare. Por kur shpërtheu flluska, entuziazmi i investitorëve individualë, u venit. Tregu i aksioneve të Japonisë është ende nën kulmin e vitit 1989. Rreth gjysma e aseteve totale financiare të familjeve, janë ende në para të thata dhe depozita bankare, thotë Sayuri Shirai nga Universiteti Keio.

Për më tepër, jo të gjithë kursimtarët janë të njëjtë. Edhe në Amerikë, fitimet në tregun e aksioneve vlejnë kryesisht për të pasurit. 1% më i pasur i popullsisë zotëron plot 56% të tregut të aksioneve, nga 46% në vitin 1990; 10% më i pasur zotëron 88% të tregut. Shumica e njerëzve lënë mënjanë para për raste urgjente. Njerëzit e varfër mund të mos jenë në gjendje të kursejnë më shumë se kaq; ndërsa të pasurit mund të investojnë në aksione.

Edhe nëse nuk merren me aksione, punëtorët e zakonshëm në vendet e pasura ekspozohen ndaj aseteve me rrezik nëpërmjet skemave të tyre të pensioneve. Por këto janë zakonisht mjaft të vogla. Bilanci mesatar në një plan amerikan 401 (k), për personat e moshës 55 deri në 64 vjeç, ishte vetëm 61,738 $ në vitin 2019. Një pension prej 4-5% i asaj shume arrin në vetëm 2,500-3,100 dollarë në vit. Në Britani, ku regjistrimi automatik ka përfshirë shumë punonjës me të ardhura të ulëta në sistemin e pensioneve, shuma mesatare e kontributit në vitin 2019, ishte vetëm 9,600 paund (12,200 dollarë). Dhe aftësia paguese e skemave të pensionit është përkeqësuar si rezultat i zhvendosjeve në treg. Kur llogaritin koston për të përmbushur premtimet e pensionit, fondet duhet të zbresin koston e detyrimeve të tyre, duke përdorur yield-et e bonove; ndërkohë që yield-et kanë rënë ndjeshëm, dhe këto kosto janë rritur. Plani mesatar i pensionit në sektorin publik në Amerikë, ishte 72.2% i financuar në 2019, nga 78.4% në 2009, sipas Qendrës për Hulumtime të Pensionit (CRR).

Rreziku është se kursimtarët individualë, duke u përballur me lëvizje në tregjet dhe skemat e paqëndrueshme të pensioneve, mund të zgjedhin t’i mbajnë kursimet e tyre në depozita. Shumë mund të mos kenë këshillues financiarë dhe nuk janë të vetëdijshëm për hapësirën për kthime më të larta ose për shkallën e kursimeve që duhet të lënë mënjanë për t’u përgatitur për pleqërinë. Britania ka dhënë një sinjal shqetësues, ku rregullat u ndryshuan në vitin 2015, për t’i lejuar njerëzve të tërhiqnin para nga kontributet e tyre të pensionit, pa i përdorur të ardhurat për të blerë një pension vjetor (i cili ofron të ardhura të garantuara).

Duke i ruajtur kursimet vetëm në para të thata, të moshuarit në të gjithë botën rrezikojnë të mbeten pa para. Kjo tashmë po ndodh në Japoni. “Rënia e normave të interesit praktikisht në zero, i ka reduktuar ndjeshëm të ardhurat nga interesi, ku po mbështeteshin pensionistët, duke qenë të detyruar t’i ulin kursimet më shumë sesa kishin planifikuar”, thotë zoti Horioka. Qeveritë i kanë nxitur prej kohësh njerëzit të marrin masa për daljen në pension, por normat e ulëta të interesit e kanë vështirësuar këtë. Në një kohë kur problemi nuk është zgjidhur dhe normat nuk duket se do të ulen së shpejti, jeta e kursimtarëve do të bëhet edhe më e vështirë.

Artikulli i mëparshëmProfesionet që pritet të kërkohen dhe paguhen më shumë në Shqipëri në 2021
Artikulli i radhësFilmat premierë të vitit 2021