Studimi: Njerëzit e hershëm mund të kenë dimëruar si gjitarët e tjerë, gjatë dimrave të gjatë

0

Ndërsa shumë nga ne mund të dëshironin vetëm të flinin gjatë gjithë këtij dimri që sapo ka nisur, njerëzit ndryshe nga shumë gjitarë të tjerë nuk kanë aftësinë për të rënë në një gjumë të gjatë letargjik. Por një studim i sapo-botuar, ka shqyrtuar nëse njerëzit e hershëm e kishin në një moment të caktuar këtë aftësi.

Dhe rezultatet e tij- ndonëse paraprake – sugjerojnë çuditërisht se ata kanë dimëruar si gjitarët e tjerë, edhe pse nuk ishin shumë të aftë për këtë. Kur një ari zgjohet nga torpori (një lloj gjendje gjumi që i kursen energji dhe që shpesh përdoret si sinonim i termit letargji), i përgjumur por edhe shumë i uritur, kockat dhe muskujt e tyre do të jenë relativisht të njëjtë me ato që ishin më parë.

Arinjtë kanë procese të specializuara metabolike, që i mbrojnë ata nga ky gjumë shumë i gjatë. Por ndonjëherë ky proces nuk shkon siç duhet. Për shembull, nëse nuk marrin rezerva të mjaftueshme ushqimore para se të nisin dimërimin, kafshët mund të preken nga një mori sëmundjesh pas letargjisë.

“Duhet të theksojmë se letargjitë nuk janë gjithmonë të shëndetshme”-shkruajnë paleoantropologët Antonis Bartsiokas dhe Juan-Luis Arsuaga në studimin e tyre të ri. “Në rast se nuk zotërojnë rezerva të mjaftueshme dhjami, kafshët që dimërojnë mund të vuajnë nga rakitizmi, hiperparatiroidizmi dhe osteitis fibrosa.

Këto sëmundje, janë që të gjitha shprehje të osteodistrofisë renale,pra në përputhje me sëmundjen kronike të veshkave. Studiuesit besojnë se ky mund të ketë qenë fati i disa prej paraardhësve tanë, eshtrat e të cilëve u zbuluan në një shpellë spanjolle të quajtur Sima de los Huesos (Humnera e kockave).

Ai vend është shtëpia e një numri të pabesueshëm fosilesh. Arkeologët kanë zbuluar mijëra mbetje të skeleteve njerëzore që janë rreth 430.000 vjet të vjetra. Kjo ishte shumë kohë para se Homo Sapiens të ecte mbi Tokë.

Studiuesite shpjegojnë këtë me mungesën e vitaminës D në kocka, si pasojë e mungesës së ekspozimit të tyre ndaj rrezeve të diellit që janë të dukshme. Dhe kjo shihet tek defektet e dukshme në kocka. “Hipoteza e letargjisë është në përputhje me provat gjenetike, dhe faktin se hominidët e Sima de los Huesos jetuan gjatë një periudhe akullnajore”- theksojnë studiuesit.

Ideja është që këta njerëz të lashtë, mund të jenë përpjekur të flenë gjatë muajve më të ftohtë, ndaj kockat e tyre tregojnë shenjat e muajve të gjumit, pa pasur rezerva të mjaftueshme të yndyrës, mungesë të vitaminës D,sidomos tek adoleshentët.

Por përpara se të mund të pretendojmë me siguri se paraardhësit njerëzorë dimëronin dikur për muaj më radhë në një gjumë letargjik, duhet të kujtojmë se ky studim është shumë paraprak. Edhe vetë studiuesit e pranojnë që kjo tezë tingëllon paksa si një“trillim shkencor”.

“Ndërsa kanë lindur shumë pyetje në lidhje me historinë e tyre të jetës dhe metabolizmin, nuk ka dyshim mbi pasojat e mëdha që ka letargjia mbi fizionominë e njeriut dhe historinë e jetës”- shkruajnë ata. “Koncepti që njerëzit mund t’i nënshtrohen një gjendje hipometabolike analoge përmes letargjisë, mund të tingëllojë si një trillim shkencor.

Por fakti që letargjia përdoret nga gjitarët dhe primatët shumë primitivë, sugjeron që baza gjenetike dhe fiziologjia për një hipometabolizëm të tillë mund të ruhet tek shumë specie gjitarësh, përfshirë njerëzit”- theksojnë studiuesit.

Gjithsesi ata e pranojnë se do të duhen shumë më tepër informacione, para se të konfirmohet përfundimisht nëse këta paraardhës të lashtë njerëzorë po e kalonin stinën e dimrit tërësisht në gjumë, dhe nëse ka qenë vërtet kështu, si e humbën speciet njerëzore këtë aftësi. / ScienceAlert – Bota.al

Artikulli i mëparshëmZbuloni çfarë i ndodh trupit të njeriut kur konsumojmë shumë mish
Artikulli i radhësPasojat e Covid-19 në ekonomi: Agjencitë turistike patën goditjen më të madhe gjatë vitit 2020