Marrëdhënia okulte Rama- Erdogan, nënshtrimi i institucioneve shqiptare ndaj dëshirave të sulltanit turk, ka tërhequr vemendjen e organizatave botërore të të drejtave te njeriut. Edhe Fred Abrahams, një ish mik i Edi Ramës, që e njeh shumë mirë Shqipërinë si studiues, publicist, ekspert i të drejtave të njeriut dhe konsulent pranë Human Rights Watch në Berlin, ka reaguar me një postim online.
“Marrëdhëniet vëllazërore të Edi Ramës me Erdogan janë një ofendim për aktivistët, politikanët, gazetarët dhe të tjerët që janë burgosur gabimisht në Turqi. A do të ekstradohet Selami Simsek në mënyrë të paligjshme nga Tirana së shpejti?” pyeti Abrahams në Twitter.
Po pse aktivisti amerikan i të drejtave të njeriut e ka veçuar këtë rast? Pse ky kazus është shumë domethënës?
Rasti i qytetarit turk Selami Simsek është një shembull tipik se si edhe ministria e Brendëshme, që duhet t’i miratonte kërkesën për azil, edhe Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët, edhe gjykatat shqiptare, i janë nënshtruar urdhërit politik për të ndëshkuar ata që nga regjimi i Erdoganit konsiderohen si pjestarë të FETO, përgjegjës për grushin e shtetit të korrikut 2016.
Selami Simsek ne gjykate. Foto e madhe lart ne makinen e policise ne Rinas. Ne kuadrat Rama Erdogan
Selami Simsek u arrestua korrikun e 2019 me një vizë kanadeze false në Rinas, së bashku me mësuesin Harun Çelik. Ata pretenduan se po arratiseshin, pasi përndiqeshin nga Turqia si pjesë e lëvizjes së klerikut Fetullah Gylen.
Më 1 janar, Shqipëria dëboi Harun Çelik, pavarësisht thirrjeve të tij në kërkim të azilit, gjë që zgjoi shqetesimin e organizmave per te drejtat e njeriut. Çelik u burgos menjëherë sapo mbërriti në Turqi, ndërsa Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu raportoi se ai ishte kapur në një operacion ku ishte përfshirë dhe shërbimi sekret turk, MIT.
Nërsa Selami Simsek u dënua me burg, nga i cili u lirua në 9 mars dhe filloi procedurat për azil politik.
Ministria e Brendëshme jo vetëm që ia refuzoi atë, në kundërshtim me të gjitha praktikat ndërkombëtare, por edhe ia vonoi përgjigjen në mënyrë që t’i digjte afatet e ankimimit.
Ashtu siç qe kurdisur, Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët rrëzoi më 10 shtator ankimimin e shtetasit turk Selami Simsek dhe la në fuqi vendimin e Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë pranë ministrisë së Brendshme, që vendosi në favor të dëbimit të tij nga Shqipëria.
Kundër ankimit vendosën 3 përfaqësues te qeverisë shqiptare, përfaqësuesja e ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Merita Xhafaj, ajo e ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme Venera Domi dhe përfaqësuesi i ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, Jetlir Gjergji. Në pakicë, përfaqësuesja e Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Ardita Kolmarku, kërkoi që ankimimi të pranohej.
Po me argumentin procedurial se nuk ishte ankuar në kohë, kur vetë shteti ia kishte djegur këtë mundësi, 42 vjeçarit turk iu mohua e drejta për azil nga gjykata administrative dy javë më parë. Nëse edhe apeli administrativ vendos njësoj, Selami Simsek, do ketë fatin e ish shokut të tij, Harun Çelik në burgjet e regjimit te Erdoganit.
Natyrisht i gjithē ky kalvar, i këtyre dy personave nuk mund të shihet i shkëputur nga presioni kostant që autoritetet turke i kanë bërë Tiranës për dorëzimin e gylenistëve. Ai nuk mund të zhvishet nga konteksti i deklaratës së përbashkët Erdogan- Rama për rrezikun e FETO-s.
Kjo pra është historia tipike se si kapriçot e Erdogan po kontrollojnë shtetin shqiptar, përmes tentakulave të paligjshmërisë që pushteti i Edi Ramës ka shtrirë kudo, madje edhe mbi drejtësinë. Prandaj aktivistë si Fred Abrahams e shohin atë si një test. Si një dëshmi se si po shkërrmoqen institucionet si pasojë e lidhjes okulte Rama- Erdogan./Lapsi.al