Udhëtari i botës, që nuk ka dalë kurrë jashtë vendit të tij

0
This image has an empty alt attribute; its file name is luis.jpg

Havana mund të jetë qyteti më i famshëm i Kubës, por Trinidadi i vogël është më magjepsësi. Me rrugët me kalldrëm, pallatet me ngjyrë pastel të shekullit 18 dhe 19 dhe sheshet baroke  të kuruara, mrekullia 500-vjeçare e regjistruar në  Unesco është një nga qytetet më të bukura koloniale, në Amerikat.

Dhe nëse kaloni pranë fenerëve prej hekuri të farkëtuar të Plaza Mayor drejt stacionit të autobusit dhe kërkoni një burrë të ulur pranë një karroce me rrota që shkruan në fletoren e tij, do të gjeni Luis Martinez.

“Jam Luis, Luis Martinez. Jam poet me karrocë dore dhe turist imagjinar.  Kjo poezi i kushtohet Romës e flet për shtatë kodrat e saj:

Ngrihet Palatinoja,

Ajo kodër e vjetër,

Orët e ngutshme të mëngjesit.

Banuesi legjendar i kopshtit italian

Dehet me qumësht e mjaltë,

Që rrjedh nga lumi.

Gjerb gllënjka dashurie

Nga lëkura femërore.”

Martinez ka shkruar mijëra poema rreth qyteteve të ndryshme nga e gjithë bota Ai i përshkruan këto vende me detaje të gjalla, sikur sapo t’i kishte parë.

Ndonëse ai kurrë nuk ka dalë nga Kuba. Për 20 vitet e fundit, ai ka punuar si hamall në stacionin e autobusëve në Trinidad, duke biseduar me turistë ditën dhe duke studiuar atlaset e vjetra natën si një mënyrë për të “parë” botën.

“Kam 14 fletore me vete, por kam shumë edhe në shtëpi.  Kam  mbledhur 3 mijë e 80 poema, që mbulojnë të gjithë Europën dhe Amerikat, Oqeaninë, një pjesë të Afrikës dhe të Azisë, përfshirë Turqinë, Izraelin, Rusinë, Japoninë dhe Kinën. Francë, Itali, Portugali, Austri, Zvicër Holandë, Belgjikë…Jam turist imagjinar.  Udhëtoj duke lexuar. Kam kaluar shumë vite duke lexuar libra gjeografie dhe historie”.

Martinez e la shkollën më 1958-n dhe studioi hartat, por për shkak të embargos së Kubës, atlaset e tij shpejt u bënë të vjetruara.

Megjithatë ai mbeti i informuar rreth ngjarjeve nëpër botë, duke folur me turistët ndërsa punonte si hamall.

“Kjo poemë është rreth Veronës:

Lumi Adige dhe ballkoni në Verona

Janë dy dëshmitarë,

Të një historie të zjarrtë dhe tragjike dashurie.

Pena lëviz e paqetë

Dhe i prin Shekspir poetit,

Nga skenari mesjetar

Një klasik letrar,

Të njohur si Romeo dhe Zhuljeta.”

Për kaq shumë kohë, shumë Kubanë si Martinez mund të pyesnin vetëm se çfarë shtrihej përtej ujit. Pas Revolucionit të 1961, presidenti i atëhershëm Fidel Castro miratoi kufizime të rrepta të udhëtimit që synonin parandalimin e Kubanëve që të largoheshin masivisht.

Ndalimi qëndroi në vend për më shumë se 50 vjet deri në 2013, kur udhëheqësi i atëhershëm Raul Castro përfundoi kërkesën e vendit për të gjithë qytetarët që dëshironin të udhëtonin jashtë vendit për të kërkuar lejen qeveritare.

“A kam udhëtuar? Jo, kurrë nuk kam udhëtuar.  Edhe nuk kam dashur, por edhe nuk mund të dilnim nga Kuba. Jam i lodhur dhe jo mirë me shëndet.  Ulem këtu me karrocën time të dorës dhe poezitë.  Unë shkruaj, njerëzit kalojnë  Disa janë miqësorë, disa jo Por kështu është”, thotë ai.

Por për shumë kubanë si Martinez, të cilët ishin thjesht fëmijë kur kombi mbylli kufijtë e tij dhe tani nuk kanë mjetet për të udhëtuar jashtë vendit, leximi i  librave, studimi  i  hartave dhe turizmi imagjinar  është më e shumta që mund të bëjnë,  për të lënë arkipelagun.

“Fantazia është diçka që më mbart dhe më ndihmon të imagjinoj shumë gjëra. Për të shkuarën, për vendet e largëta…Udhëtimet imagjinare janë e vetmja mënyrë e imja për të udhëtuar, nuk kam tjetër”.

Sot, edhe pse Martinez thotë se nuk është aq i shëndetshëm si dikur, ai vazhdon të shkruajë, të takojë miq të rinj nga jashtë dhe të sjellë botën në Trinidad.

BBC- SI

Artikulli i mëparshëmMjekët në SHBA fushatë për të bindur amerikanët të vaksinohen ndaj koronavirusit
Artikulli i radhësBie aplikacioni i mesazheve Signal, shkak rritja e numrit të përdoruesve pasi braktisën WhatsApp