Nga Fatos Lubonja
Përgjigjja ndaj pyetjes se çfarë ka ndodhur që nga koha kur Edi Rama i kishte thuajse të gjithë kundër për prishjen e Teatrit është se asokohe – pas shpërbërjes së rinocerontizimit të piramidave – sapo kishte filluar ngjitja në pushtet e “Trustit të betonit”, me të cilin nisi procesi i një rinocerontizimi të ri. Ky proces nuk ka mbaruar ende, por ka krijuar tashmë një përbindësh me shumë koka, stomakë, gjymtyrë, bishtra, që po shtrihet mbi gjithë Shqipërinë, jo thjesht duke kthyer në beton trashëgimi të vyera kulturore e natyrore, por, çka është më e rënda, duke ririnocerontizuar gjithnjë e më shumë shqiptarë që, pas rënies së diktaturës dhe pas rënies së piramidave, patën iluzionin se po ktheheshin në njerëz e se nuk do vazhdonin të lindnin e rrisnin rinocerontë.
Në këtë pikë, në funksion të kuptimit të karakteristikave të këtij rinocerontizimi të ri, nuk mund të mos i rikthehem paradoksit të pakicës që bëhet shumicë. Siç e thashë, Edi Rama erdhi në pushtet duke premtuar ndërprerjen e betonizimit që sapo kishte filluar asokohe – sepse shumica e njerëzve nuk e aprovonte atë, duke fajësuar regjimin rinocerontizues që ngriti piramidat. Madje, edhe sot, megjithë përpjekjet trushpëlarëse të Trustit për të kultivuar idhujtarisë ndaj betonit, shqiptarët kanë vazhduar të duan më shumë barin se betonin. Por a do të thotë kjo se përderisa “Trusti i betonit” nuk ua ka imponuar dot njerëzve reshtjen e mendimit për barin, s’mund të flitet për një rinocerontizim të ri? Jo, është më e saktë të flitet për një rinocerontizim ndryshe, sepse, ndonëse është e vërtetë që shumicës i ka mbetur dashuria për barin duhet thelluar se pse kjo “e vërtetë” vlen kaq pak sa nuk arriti të mbrojnë dot as Teatrin dhe jo më avancimin masakrues që po bën betoni në tokën e bukur shqiptare.
Kur flas për reshtjen e mendimit në kohën e “Trustit të betonit”, nuk kam parasysh fshirjen nga mendja e njerëzve të pikëpamjeve apo besimeve të ndryshme që mund të kenë për një çështje apo për një tjetër, – çka nuk e arrinte plotësisht as “Trusti i lulelakrës” – por reshtjen e të menduarit si proces i vazhdueshëm, i ditëpërditshëm, që mban gjallë atë që quhet vetëdije, ndërgjegje. Për këtë proces, ashtu sikurse edhe për dallimin midis dijes dhe vetëdijes, do të zgjatem më poshtë, por këtu vlen të vë në dukje një shembull, se si pikëpamja e shumë njerëzve se bari është më i bukur, më i mirë, më i shëndetshëm se betoni, me kalimin e kohës, duke mos u dëgjuar, është bërë e padobishme dhe, si e tillë, ka mbetur gjithnjë e më e pathënë e dora-dorës ka çuar në heqjen dorë prej saj deri në pezullimin e mendimit se duhet bërë diçka për të ndaluar avancimin e betonit.
Thënë kjo, duket të kemi parasysh se ka dallim midis “Trustit të lulelakrës” dhe “Trustit të betonit” edhe për sa u përket metodave të rinocerontizimit. Një dallim kryesor është ai ideologjik. “Trusti i lulelakrës” operonte me ideologjinë komunitariste të komunizmit që e lehtësonte futjen e njerëzve në trupin e një përbindëshi e që, për më tepër jepte një interpretim determinist për zhvillimet historike, duke e bërë vullnetin dhe mendimin e njeriut pasiv përpara ideve dhe vlerave që e udhëhiqnin në rrugën drejt të ardhmes “së shkruar”, veçanërisht ndaj pushtetarëve që diktonin vlerat e qëllimet me pretendimin se zotëronin dijen e kësaj rruge dhe çelësin e derës së kësaj të ardhmeje; kurse “Trusti i betonit” mbështetet mbi ideologjinë liberale të kapitalizmit, që stimulon individualizmin, që e koncepton njeriun si krijues të vlerave dhe të qëllimeve të veta, të pakushtëzuar nga ndonjë determinizëm historik, prandaj duket se stimulon vullnetin dhe mendimin e lirë duke e bërë më të vështirë rinocerontizimin e njerëzve. Por, kur vlera e vetme në mendjet e njerëzve bëhet paraja dhe kjo buron vetëm nga Trusti, atëherë ajo mund të shndërrohet lehtë në një mjet të jashtëzakonshëm përbashkimi vullnetar rreth këtij burimi/ qëllimi. Shqipëria kapitaliste e “Trustit të betonit” është shembulli më i përkryer i përbashkimit të njerëzve në një tufë rinocerontësh rreth parasë, pa asnjë qëllim dhe të ardhme tjetër kolektive.
Gjithsesi, duke huazuar një term të Markuzes për sistemin kapitalist, mund të thuhet se “Trusti i betonit” sundon duke ushtruar një lloj “tolerance represive”. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se ai e krijon maxhorancën dhe shtyp në emër të saj duke toleruar. Së pari, ky “tolerim” qëndron në atë se, ndryshe nga Shqipëria socialiste e “Trustit të lulelakrës”, ai i ka lënë kufijtë të hapur, duke i lejuar të ikin të gjithë ata që refuzojnë të rinocerontizohen. Së dyti, ai të lejon të kesh pikëpamje të ndryshme, madje edhe t’i shprehësh ato, madje-madje të protestosh në mbrojtje të tyre. Për shembull, artistët u lejuan të protestojnë kundër shembjes së Teatrit, shumë intelektualë shprehën mendimet e tyre kundër. Por këta u “toleruan” deri në “pragun e tolerancës”, në kuptimin biologjik të termit, si sasia e dozës së helmit që mund ta gëlltitësh pa t’u rrezikuar shëndeti. Por, ama, siç u pa, në momentin kur Trustit i erdhi oreksi, e gëlltiti Teatrin së bashku me protestat e aktorëve pa shumë problem. Kjo ndodhi sepse ai është fuqizuar tashmë nëpërmjet shtimit të tij trupor në një masë gjithnjë e më të madhe mosmenduesish. Vërtet, sot ai nuk flet në emër të të gjithë popullit të rinocerontizuar si ai i lulelakrës, por punon me ngulm që të sigurojë një shumicë e të flasë në emër të saj. Dhe këtë e arrin, sikurse e thashë, nëpërmjet idiolatrisë së parasë te një pjesë, dëbimit jashtë Shqipërisë të refuzuesve të tij, por edhe duke u përqendruar në dy nga mjetet kryesore që përdorte edhe “Trusti i lulelakrës”: kontrolli në maksimum i ekzistencën së njerëzve, i “bukën e gojës” siç e quante përpara se të ririnocerontizohej aktori Robert Ndrenika dhe ngulitjes te njerëzit të idesë se s’ka alternativë ndaj tij.
SI DHE PSE PËRBINDËSHI NUK MENDON
Le të marrim në analizë disa gjymtyrë të përbindëshit. Po e nis me fadromistin që drejtoi nofullat e hekurta të fadromës kundër Teatrit. Këtë njeri, të fshehur në kabinën e tij të fadromës, e kemi imagjinuar si të kufizuar në hallin e tij të sigurimit të bukës së kalamajve, që as nuk di ç’janë vlerat historike apo estetike të një ndërtese dhe që as e ka ndjekur fare debatin mbi Teatrin. (Kështu kemi konsideruar edhe ata të Reneas, shefat e Policisë etj.). Në fakt, ne e kemi kuptuar dhe justifikuar fadromistin dhe nuk na ka shkuar mendja ta quajmë “monstër”. Por pikërisht ky “kuptim” e “justifikim”, flet shumë për thelbin e problemit të mosmendimit te përbindëshi. Ne nuk na shkoi fare në mendje ta pyesnim fadromistin: “çfarë ndjeve?” kur po shembje Teatrin, pyetje kjo e rëndësishme që filozofi Gunter Anders ia ka bërë pilotit që hodhi bombën mbi Hiroshima, duke marrë një përgjigje që e ka tronditur: “Nothing, it was my job” (asgjë, ajo ishte puna ime). Pra, ka një kategori kaq të gjerë njerëzish që i konsiderojmë si krejtësisht të paaftë për të menduar për atë që po bëjnë, le më për të shtruar dilemën: ta zbatoj apo të mos e zbatoj urdhrin, apo për ta vënë në diskutim atë që kanë bërë, për të ndjerë pendesë, kërkuar ndjesë. Sigurisht, këta jo se nuk mendojnë për familjen e interesin e tyre, por u mungon – apo u është hequr – aftësia për të shtruar vetë me vete dhe të tjerët pyetje, dilema për aktet që kryejnë. Te kjo aftësi qëndron mendimi në kuptimin që i jep Arendt si “mbajtje përgjegjësie për botën”, çka na kthen nga askushër në persona. Dhe problemi më i madh që kemi ne është se maxhoranca e stërmadhe e shqiptarëve jetojnë pa i shtruar këto dilema dhe pa i ndjerë fare këto përgjegjësi. Janë këta që përbëjnë masën trupore të përbindëshit.
Edhe më i dukshëm se te fadromisti është mosmendimi te gjymtyrë të përbindëshit si mafiozët e trafikantët që, nëpërmjet pastrimit të parave të tyre të pista, janë bërë gjithnjë e më shumë burimi kryesor i fuqizimit të Trustit. A mund të mendojnë, në kuptimin e shtrimit të dilemave morale, individë që mbysin të tjerët me drogëra gjithfarëshe, që nxjerrin femra në rrugët e prostitucionit e vriten edhe me njëri-tjetrin për para?
Në thelb, i njëjti arsyetim vlen edhe për biznesmenët, që metaforikisht do t’i quaja stomaku i përbindëshit, (edhe) pa të cilët nuk do të ishte shembur Teatri. Sigurisht, ata e kanë “vrarë” mendjen, shumë madje, për kalkulimin e fitimeve që mund të nxjerrin. Me siguri e kanë ndjekur edhe debatin, edhe argumentet pro e kundër shembjes së tij. Por edhe kur e kanë ndjekur, ashtu sikurse Bjarke Ingels, arkitekti me famë botërore që u përfshi në këtë projekt, u ka ngecur mendimi te kalkulimi financiar apo etja për famë, duke dështuar së shtruari dilemat mbi përgjegjësitë morale historike që bart akti i tyre në shembjen e një ndërtese historike, në grabitjen e një hapësire publike dhe në përdorimin e parave të krimit. Në këtë kuptim, edhe ata nuk dallojnë shumë nga fadromisti dhe trafikantët. Por nëse kemi parasysh se sa më e madhe liria, aq më e madhe edhe përgjegjësia, duke ditur se këtyre nuk u rrezikohet buka e gojës së kalamajve, mosmendimi rezulton shumë më kriminal.
Po çfarë mund të thuhet për ata pjesëtarë të elitës kulturore politike të vendit, që ndonëse nuk u mungojnë dijet për vlerën e objekteve si Teatri dhe as ato mbi përfitimet e fëlliqura që qëndrojnë pas këtyre shembjeve – një pjesë madje edhe i kanë shprehur këto dije më herët, deri edhe me vepra artistike – me fjalët apo heshtjen e tyre u bënë pjesë e kësaj masakre bashkë me fadromistin, policët e Reneas, biznesmenët e trafikantët pas tyre, Veliajn, Ramën e me radhë? “Science sans conscience n’est que ruine de l’ame”, thotë Rabelai. (Dija pa vetëdije nuk është veçse rrënimi i shpirtit). Ndoshta, fjala kyçe për të kuptuar vendin dhe rolin e këtyre njerëzve të dijes te përbindëshi është fjala mosvetëdije, që në fakt mund të përdoret si sinonim i mosmendimit. Të jesh apo më saktë të bëhesh i vetëtitur do të thotë ta dish atë që di, të dish edhe limitet e asaj që di, edhe atë që i ke ditur gabim, edhe atë që nuk di, por, mbi të gjithë të shtrosh përditë dilemën nëse atë që di po e përdor për mirë apo për keq. Po ende, vetëm nëpërmjet vetëdijes ajo që dimë bëhet vërtet e jona dhe vetëm kur ajo bëhet e tillë na bën ta duam e të luftojmë për të. Kurse pa vetëdije, atë që dimë mund ta keqpërdorim lehtësisht, ashtu sikurse mund të keqpërdorim edhe tjetrin, duke e konsideruar vetëm si mjet në shërbimin tonë dhe jo si qëllim në vetvete – pa e kuptuar madje se po rrënojmë shpirtin.
Frika e humbjes së punës, karrierës, privilegjeve, parave për studime jashtë shtetit të fëmijëve, shpërblimeve të premtuara, “nderet” e bëra, statusi e medaljet e fituara në sajë të bashkëpunimit me pushtetin, janë të gjitha mekanizma të njohura frenimi të vetëdijes. Me kohën, këta mekanizma janë bërë mënyrë sundimi dhe mënyrë jetese, madje edhe e edukimit të të rinjve aq sa sot duket sikur nuk investon më askush për krijimin e një vetëdijeje, por vetëm për të mësuar se si t’i përdorë fjalët dhe dijet për t’i shërbyer gënjeshtrës së pushtetit në emër të interesit vetjak. Shprehja më eksplicite e këtij “rrënimi të shpirtit” është zhvillimi i asaj kulture që në shkrime të tjera e kam quajtur “e manipulimit dhe simulimit”, ku dijet përdoren për të manipuluar të tjerët dhe jo për të kërkuar, së bashku me ta, të vërtetën; për të simuluar atë që nuk jemi dhe jo për të njohur e ndërtuar veten që jemi.
Nëpërmjet kësaj kulture ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë rinocerontizimi i intelektualëve, ku edhe të heshturit luajnë rolin e tyre të rëndësishëm e të pazëvendësueshëm: atë të sfondit që i bën jehonë uturimës së “injorancës në veprim” të përbindëshit.
A MENDON EDI RAMA?
Kur ngulmoj se Teatrin e shembi “përbindëshi” dhe jo “kryemonstra” Edi Rama, nënkuptoj me këtë se është e gabuar ta shikosh përbindëshin, siç mund të duket në vështrimin e parë, si një makineri që ky e përdor si të dojë e ku të dojë. Përbindëshi shëmbëllen më shumë me një trup organik ku koka dhe elementët e tjerë të tij nuk mund të kuptohen pa ndërveprimin e tyre. Në fakt, “Trusti i betonit” është po aq vepër e Ramës sa ç’është Rama vepër e Trustit; vullneti i tij sot nuk mund të jetë tjetër nga ai i Trustit sepse, që kur filloi karrierën politike, duke u bërë drejtues dhe instrument i “Trustit të betonit”, Rama ka hyrë në një proces që ka shkuar tashmë aq larg, sa sot pyetja që ngrihet nuk është ajo se çfarë bën Edi Rama me “Trustin e betonit”, por çfarë bën Trusti i betonit me Edi Ramën. Prandaj, ndryshe nga një gjykim i parë intuitiv se i vetmi që lejohet të mendojë te përbindëshi është Edi Rama, atë nuk mund ta ndajmë nga përbindëshi mosmendues, sepse jemi në një simbiozë që i ka bërë subjekt të vetëm. Dhe nëse themi se ky subjekt sot ka për kokë vendimmarrëse Edi Ramën, duhet të shohim nëse kjo kokë mendon, në kuptimin që i dhashë mendimit apo jo.
* * *
Thotë Lacani: “Një i çmendur që kujton se është mbret, sigurisht është i çmendur, por është edhe më i çmendur një mbret që kujton se është mbret”. Kuptimi i kësaj fraze është se njeriu që ka idenë për veten si një identitet i vetëm, i pandryshueshëm, i mbyllur, i vetëmjaftueshëm dhe strehohet te kjo ide, është në gjendje çmendurie narcizistike, pasi kjo gjendje e shtyn të mos pranojë të tjerët që e identifikojnë ndryshe nga si e identifikon ai veten. Me “të tjerët” duhet të kemi parasysh jo vetëm “të tjerët” jashtë vetes, por edhe “të tjerët” brenda vetes që e shtyjnë të verë në dyshim unin e tij të mbyllur. Akti i Kainit që vrau Abe lin, sipas Lacanit, i ka rrënjët tek ëndrra e narcisit për një identitet të mbyllur në vetvete. Ai e vrau të vëllanë sepse tek ai shihte, si në pasqyrë, një vete tjetër që nuk e duronte, sepse nuk e dominonte dot. E pra, a mund të thuhet se mendon ky lloj njeriu? Jo. Sepse të mendosh do të thotë të shtrosh pyetje, dilema me tjetrin brenda dhe jashtë vetes dhe të kërkosh t’u përgjigjesh; me fjalë të tjera të zhvillosh dialog me veten dhe me të tjerët. Jo rastësisht, një nga veprat më të mëdha në historinë e filozofisë, ajo e Platonit, është shkruar në formë dialogësh. Në vend të këtij dialogu me të tjerët, narcisi i mbyllur te vetvetja zhvillon dhunën dhe agresivitetin ndaj tyre. Ai nuk dialogon, por vret – me vepra ose me fjalë – prandaj nuk mendon, por çmendon. Prandaj, ashtu si intelektualët pjesë e përbindëshit, për të cilët shkrova më sipër, edhe Edi Rama është “dije pa vetëdije”. Sepse vetëdija (autoconscienca), siç do të thoshte Hegeli, nuk mund të ndërtohet pa ballafaqimin me tjetrin, çka nënkupton se vetëm kur bëhemi të vetëdijshëm, bëhemi qenie sociale dhe se vetëm kur jemi qenie sociale, bëhemi të vetëdijshëm.
E gjithë arroganca, me të cilën përbindëshi shoqëroi shembjen e Teatrit, mohimi i dialogut, megjithë thirrjet e ardhura nga brenda dhe jashtë vendit, në thelbin e vet janë akti i një subjekti të mbyllur, që refuzon të dialogojë me të tjerët; i një subjekti, që nuk mendon, por çmendon.
SI PËRFUNDIM
Qenia e përbindshme që shkatërroi teatrin dhe po shkatërron Shqipërinë duhet konsideruar jo si një shoqëri, as si një komunitet, por si një kope njerëzish rinocerontë që e bën të tillë (kope) fakti se këta nuk mendojnë. Ajo është mishërimi i paralajmërimit që bën Aristoteli se “Kush kujton se mund të hyjë në një polis (qytet) dhe të jetojë aty i vetëm është ose kafshë ose Zot”. Në çmendurinë e tyre, këta rinocerontë, të përbashkuar fizikisht, por të izoluar nga njëri-tjetri nga mungesa e mendimit, po marrin përpara çdo qenie njerëzore që ngulmon të mendojë duke refuzuar të futet në tufën e tyre shkatërrimtare.
Shqipëria ka 30 vjet që përpiqet të dalë nga një traditë rinocerontësh kësisoj, Kainësh që vrasin Abelët, pasi nuk ndërtojnë dot dialog me veten dhe me të tjerët, d.m.th., njeriun që mendon.
Si mund të dilet nga kjo e keqe? Duke futur brenda kësaj qenieje të përbindshme mendimin, d.m.th. dialogun me veten dhe të tjerët – do të ishte përgjigjja. Sipas psikanalizës fenomenologjike, kur ndërpritet ky dialog, manifestohet sëmundja/çmenduria dhe kurimi, nëpërmjet seancave me psikoterapeutin, synon të riinstalojë pikërisht këtë dialog të humbur. Por a mund të instalohet dialogu në një subjekt që nuk e ka njohur kurrë atë dhe që sëmundjen e përjeton si shëndet, madje, ngulmon t’ua imponojë atë të gjithëve? Me fjalë të tjera: a mund të bëjnë efekt te rinocerontët fjalë që u vijnë nga jashtë kur veshët i kanë të dyllosur nga brirët; dhe a do të mjaftonin këto fjalë, edhe sikur t’i dëgjonin, për t’i nxjerrë nga vetizolimi ku një pakicë ndihen mirë, kurse shumica ndihen si ata të burgosurit që nuk duan të dalin nga burgu pasi nuk fillojnë dot një jetë tjetër? Dyshoj se fjalët, – edhe këto që po shkruaj në këtë tekst, – mund ta kenë një efekt të tillë ndryshues. Prej 2500 vjetësh, Siddharta Gautama (Buda) i këshillonte ndjekësit e tij të mendonin me kokën e tyre duke u thënë:
“Mos i beso asgjëje që nuk përputhet me arsyen apo buon sensin tënd, pavarësisht se ku e ke lexuar apo kush ta ka thënë, qoftë ky edhe unë”, e megjithatë njerëzit vazhdojnë të vërtetojnë një të mençur edhe më të lashtë, Solomonin, që thoshte: “I pafund është numri i budallenjve”.
Historia na ka treguar, megjithatë, se budallenjtë edhe mund të mençurohen, d.m.th. të fitojnë vetëdije, d.m.th., të mendojnë. Koha e shqiptarëve për ta bërë këtë është o tani, o kurrë, sepse me ritmet që ka marrë grykësia e “Trustit të betonit”, Shqipëria rrezikon të mbetet thjesht një “shprehje gjeografike”, siç ka qenë në shekullin XIX.
Në kërkim të gjetjes së përgjigjes se si duhet vepruar për të futur dritën e mendimit në tunelin e errët të përbindëshit, e para gjë që më vjen ndërmend është se kjo dritë me shumë gjasa do të vijë vonë, kur të ketë ndodhur e keqja përfundimtare, shembja e tunelit. Megjithatë, nuk mund t’i dorëzohemi këtij fataliteti pa bërë përpjekje për ta ndaluar atë. Në këtë përpjekje, mendja më çon në vitin 1990 kur Presidenti i fundit komunist, Ramis Alia, mblodhi intelektualët më të njohur të vendit dhe shtroi para tyre një pyetje, që është analizuar pak ose aspak gjatë këtyre 30 vjetëve: “A mos duhet ta fillojmë nga pluralizmi i mendimit përpara se të kalojmë në pluralizmin partiak?”. Ishte kjo një pyetje që e nënkuptonte përgjigjen. Ai ishte i gatshëm të lejonte njëfarë lirie mendimi, por pa e lënë atë të bëhej aktive politikisht, d.m.th. të rrezikshme pushtetin e tij. Ngjarjet u zhvilluan tjetërsoj, lindi Partia Demokratike dhe shumë parti të tjera antikomuniste, por problemi i mungesës së pluralizmit të mendimit, që ishte i vërtetë, mbeti. Për shkak të kësaj mungese lindi një pluralizëm politik pa pluralizëm mendimi, pasi njerëzit e të gjitha partive, me në krye partinë e Presidentit Alia, përqafuan të njëjtin mendim të motivuar nga i njëjti qëllim: etja individuale për pushtet e për para. Kështu filloi rinocerontizimi i ri që kam përshkruar më sipër nga njerëz me forma mentis të ndërtuara në diktaturë. Shumica e këtyre, pa filluar së menduari, nxituan t’ia dorëzojnë lirinë e mendimit përbindëshit të radhës, duke u ririnocerontizuar.
Përgjigjja që do të duhej t’i jepej Ramiz Alisë në atë mbledhje të vitit 1990, është ajo që vlen edhe për sot si mundësi për të dalë nga tuneli i zi i përbindëshit: Kemi nevojë edhe për pluralizëm mendimi, edhe për pluralizëm partiak, sepse pa njërin nuk ekziston dot as tjetri. Sepse kur themi “pluralizëm mendimi”, nuk duhet të kemi parasysh thjesht njerëz me pikëpamje të ndryshme abstrakte për botën, por njerëz me pikëpamje, mendime që burojnë nga interesa shpirtërore, kulturore, ekonomike, sociale, krahinore, etnike etj. të kohës kur jetojnë; ndërkaq, kur themi “pluralizëm partiak”, kemi parasysh nevojën e këtyre njerëzve për t’i shprehur e realizuar ato nëpërmjet aksionit politik. Thënë ndryshe, tjetri, pa të cilin nuk mund të ketë pluralizëm, nuk mund të ekzistojë vetëm si mendim, pa qenë njëherësh edhe veprim. Paradoksalisht, për shkak të mungesës së këtij tjetri mendues dhe veprues njëherësh, sot, pas 30 vjetësh, partia që la trashëgim Alia, e riformatuar në formën e “Trustit të betonit”, ndodhet shumë afër pikës që shpresonte të arrinte asokohe udhëheqësi i saj: të sundonte e vetme politikisht, duke u lënë të tjerëve thjesht njëfarë lirie mendimi dhe për të ikur nga Shqipëria. Lehtësia, me të cilën Trusti shkatërroi rezistencën për mbrojtjen e Teatrit, ishte një nga shembujt më ulëritës të kësaj arritjeje.
Në këto kushte, detyra e njerëzve që mendojnë nuk është thjesht të rrisin forcën e mendimit kritik, për të vetëdijesuar njerëzit për rinocerontizimin që po pësojnë ditë përditë ata dhe fëmijët e tyre, por të organizohen dhe të veprojnë, sepse, në kushtet e dhunës së përbindëshit që përshkrova, forca e kritikës, sikurse do të thoshte një revolucionar i njohur, duhet të kombinohet me kritikën me forcë./panorama