BSH: Kufizimet e reja ngadalësuan ekonominë, duhet vaksina dhe mbështetja me politika

0

Ekonomia shqiptare shfaqi sinjale përmirësimi në tremujorin e tretë, pas lehtësimit të masave kufizuese, por në tremujorin e katërt janë shfaqur shenja ngadalësimi pas rikthimit të shtrëngimeve. Pasiguria mbetet e lartë dhe rreziqet janë në kahun e poshtëm, ndërsa shansi më i mirë për përshpejtim të rimëkëmbjes është vaksinimi i popullatës.

Banka e Shqipërisë ka prezantuar raportin e Politikës Monetare të tremujorit të parë 2021. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thanë se në bazë të analizës së treguesve të fundit, lehtësimi i masave në verë i hapi rrugë shpenzimeve të familjeve dhe rritjes së aktivitetit të bizneseve.

Por, thanë ata, rikthimi i shtrëngimeve e ka ulur tempin e përmirësimit gjatë muajve të fundit.

Dy faktorë, sipas tyre janë të rëndësishëm, i pari vaksinimi i popullsisë dhe i dyti, mbështetja me politika ekonomike. Nga ana tjetër, politika monetare duhet të ruajë kah stimulues për të stimuluar shpenzimet dhe investimet.

Akiviteti ekonomik u përmirësua në tremujorin e tretë në raport me të mëparshmin, ndonëse në terma vjetorë ishte ende negativ. Rimëkëmbja erdhi nga përmirësimi i shërbimeve, ndërtimit dhe riaktivizimi i industrisë. Ndonëse konsumi privat mbeti i ndrydhur, aktiviteti ekonomik u nxit nga investimet private, si psh në ndërtim.

Tregu i punës erdhi në përmirësim, ndonëse nuk ka një rikuperim të plotë të humbjeve, nga 50 mijë vende pune të humbura në tremujorin e tretë, 30 mijë u rikthyen në punë në të katërtin.

Të dhënat e pjesshme për tremujorin e katërt janë mikse, por mesazhi kryesor është që si konsumi dhe investimet kanë vijuar rikuperimin, ndonëse me ritme më të ngadalta se në tremujorin e tretë. Eksportet u përmirësuan në tremujorin e tretë, e ndikuar nga konjuktura më e favorshme e çmimeve. Edhe importet ishin në kah rritës.

Deficiti buxhetor është rritur. Në 6 mujorin e parë ndikimi ishte nga transfertat mbështetëse për biznesin dhe individët ndërsa në të dytin nga shpenzimet për rindërtimin për tërmetit. Ekspertët e bankës thanë se i rëndësishëm ka qenë dhe stimuli monetar, që ka ruajtur likuiditetin në treg dhe ka mbajtur normat e interesit të ulëta. Si rrjedhojë kreditimi ka vijuar rritjen, e nxitur dhe nga skemat e garancisë, por kjo tendencë ka vijuar dhe në të katërtin. Kredia për biznese ka qenë e orientuar për qëllime investime, ndërsa e individëve për blerje të pasurisë së paluajtshme. Ndërtimi është një sektor që ka pasur ecuri më të mirë, për shkaqe të ndryshme. Gjendja financiare e bizneseve gjatë vitit 2020, duket e qëndrueshme, thanë ekspertët e bankës. Depozitat e bizneseve janë rritur me 30 miliardë lekë, që tregon se bizneset kanë akumuluar likuiditet. Një pjesë e bizneseve e kanë vuajtur situatën, por në përgjithësi situate duket e qëndrueshme. Edhe nëse zhvishet treguesi i kredive me probleme nga masat për ristrukturimin e kredisë, ai mbetet në nivele të qëndrueshme.

Bankat kanë raportuar shtrengim të kreditimit ndaj bizneseve, duke reflektuar tolerancë më të ulët të rrezikut. E kundërta ka qenë për individët, ku kushtet janë lehtësuar. Bankat raportojnë se kërkesa për kredi vijon të mbetet e ulët, si nga bizneset ashtu dhe individët.

Pritjet e Bankës për të ardhmen janë krejtësisht të kushtëzuara me ecurinë e pandemisë. Në skenarin bazë, sipas të cilit situata me pandeminë do të shkojë drejt përmirësimit, presim që aktiviteti ekonomik ti kthehet normave pozitive të rritjes. Banka e Shqipërisë pret që aktiviteti ekonomik të mbështetet nga stimujt monetarë e fiskale, përmirësimi i aktivitetit globale dhe i kërkesës agregate.

Por, pasiguria mbetet e lartë për zhvillmet e ardhshme. Janë tre rreziqe në kahun e poshtëm, të lidhura me ndryshimin e sjelljeve të familjeve, ndryshimet strukturore në ekonominë shqiptare dhe atë të huaj, ndryshim permament në mënyrën se si bizneset operojnë, dhe realizim më të ngadaltë të programit të rindërtimit. Ndërsa në kahun e sipërm, factor i pritshëm pozitiv është vetëm vaksinimi.

Megjithatë ekspertët e Bankës thanë se në 2020-n ecuria ekonomike rezultoi më mirë se parashikimi dhe pozitiv ishte dhe fakti që tregjet financiare mbetën të qëndrueshme dhe likuide dhe kreditimi vijoi të ishte i kënaqshëm, me një rritje prej 7.7% të huasë për biznesn, që ka dhënë ndikim në amortizimin e goditjeve dhe nxitjen e sektorëve që kanë qenë më rezistentë ndaj pandemisë.

E panjohura e madhe është ecuria e pandemisë, që kushtëzon ecurinë e ekonomisë, politikave, por edhe sjelljen e individëve. Supozimet e Bankës bazohen në parashikimin se situata me pandeminë do të vijë drejt përmirësimit në vend dhe botë. Nëse situata nuk do të ketë përmirësim do të detyrohemi të rishikojmë parashikimet tona dhe sjelljen e politikës monetare, thanë ekspertët e bankës.

Nëse situate do zgjatet dhe do kemi masa të tjera shtrënguese, do të detyrohemi të rishikojmë projeksionet, thanë ekspertët e bankës, por për momentin nuk pritet që ekonomia të shënojë një tjetër recesion këtë vit.

Ekspertët e bankës shtuan se renia e inflacionit në janar në 0.4% është tregues i luhatshmërisë së çmimeve të ushqimeve, ndërsa të dhënat tregojnë se inflacioni bazë është në nivele të qëndrueshme./MONITOR

Artikulli i mëparshëmBuxheti humbi 280 milionë euro nga pandemia në 2020-n, përmirësohet dhjetori, por rimbursohet më pak TVSH
Artikulli i radhësFjolla Morina shijon jetën si të mos ishte në kërkim nga policia