Pandemia, thikë me dy presa për biznesin e ilaçeve

0

Pandemia e COVID-19, që vlerësohet se ka prekur një pjesë të konsiderueshme të popullatës, e ka penguar pjesën tjetër, e cila nuk është prekur, të përfitojë nga shërbimet rutinë të shëndetësisë. COVID-19 ka nxitur shitje jo të zakonta për një grup preparatesh dhe medikamentesh, por ka ulur konsumin rutinë, pohojnë operatorët e mëdhenj të tregut farmaceutik, të cilët nuk presin ndryshime të shitjeve këtë vit. Biznesi i medikamenteve është para një perspektive pozitive prej rritjes së shpenzimeve publike ndaj sektorit të shëndetësisë dhe rritjes së konsumit nga popullata. Ja grupi i ilaçeve dhe preparateve që kanë shënuar rritje nga pandemia. Shitjet me pakicë tregojnë rritje me ritme dyshifrore të farmaceutikës në tremujorin e tretë të 2020-s

Blerina Hoxha

Kriza e pandemisë e ka kthyer vëmendjen e së gjithë botës nga shëndeti dhe shërbimet ndaj tij, si kurrë më parë në histori. Politika, shkenca, biznesi dhe qytetarët janë bërë bashkë, duke vënë shëndetin të parin në axhendë, pavarësisht kostove. Edhe kur virusi të jetë zhdukur, vëmendja ndaj shëndetit dhe kapitalit njerëzor do të hyjë në një dimension të ri. Qeveritë, kudo të botë, po kanalizojnë më shumë fonde në sektorin e shëndetësisë dhe, nga ana tjetër, njerëzit po priren të shpenzojnë më shumë për shëndetin.

Emergjenca shëndetësore nga COVID-19, bashkë me një popullsi në plakje dhe rritjen e sëmundshmërisë, po sjell një perspektivë pozitive për farmaceutikën dhe zinxhirët e saj, që nga prodhimi, shitjet dhe inovacioni. Shqipëria po ecën në të njëjtin trend, ndërkohë që importet e produkteve farmaceutike dhe shitjet me pakicë të tyre janë rritur gjatë 11-mujorit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se, në vitin 2020 janë importuar 24 miliardë lekë (gati 200 mln euro) preparate dhe medikamente dhe zunë 4.2% të importeve totale në këtë periudhë. Importet e produkteve farmaceutike shënuan rritje vjetore me 2% në 2020-n, por ekspertët lajmërojnë për rritje të shitjeve në periudhën në vijim.

Indekset e tregtisë me pakicë sinjalizojnë se shitjet e produkteve të farmaceutikës janë përmirësuar dukshëm nga qershori në nëntor, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019 (24% në shtator), kryesisht prej shitjeve shtesë që ka krijuar pandemia. Shitjet kanë qenë të larta në 6-mujorin e dytë 2020, në krahasim me 6-mujorin e parë kur produktet farmaceutike panë shitje të dobëta.

Masat e ashpra të karantinës në pranverë parandaluan avancimin e virozave, teksa kërkesa për shërbime shëndetësore dhe medikamente ra. Pavarësisht se treguesit e importit dhe shitjeve me pakicë janë në rritje, operatorët e mëdhenj të tregut nuk pohuan rritje të aktivitetin në 2020-n. Merita Sheqi, e cila zotëron dhe administron kompaninë “Rejsi Farma”, tha se, përkundër vizionit në dukje se, biznesi i farmaceutikës ka shënuar rritje, shitjet në kompaninë e saj nuk kanë pasur rritje në krahasim me vitin e mëparshëm. Zonja Sheqi pohoi se, nuk pret ndryshime të rezultatit financiar. Ajo tha se pandemia ka përqendruar kërkesën në disa antibiotikë tipikë dhe suplemente, ndërkohë që ka rënie për shumicën e produkteve të tjera.

Por pikat e shitjes me pakicë të medikamenteve pohojnë për një rritje jo të zakontë të shitjeve, sidomos në produktet që përdorin për trajtimin e pandemisë, që përbëjnë një spektër të gjerë vitaminash, suplementesh dhe preparatesh. Farmacistët pohojnë se kërkesa e pandemisë ka siguruar shitje shtesë krahas medikamenteve për trajtimin e sëmundjeve rutinë si kardiovaskularët, diabetikët, azmatikët etj.

Pandemia, rritje e pazakontë e shitjeve të vitaminave, kortizonikëve, antibiotikëve, antikaulgulantëve

Pandemia ka nxitur konsumin e një baze të gjerë produktesh farmaceutike që përfshin grupin e suplementeve, vitaminave, antibiotikëve, kortizonikëve, antikaulgulantëve (hollues të gjakut), antiulcerozët, antiinflamatorët, antidepresantë, antiulcerozë etj., dhe një sërë preparatesh të tjera mjekësore që nevojiten për trajtimin e pandemisë.

Vitaminat

Në pikat e pakicës, më të shiturat këtë vit kanë qenë suplementet dhe vitaminat. Shitjet e tyre ishin me rritje gjatë gjithë vitit, ndryshe nga produktet e tjera. E gjithë popullata, edhe ata që nuk janë infektuar me koronavirus, ka konsumuar vitamina për të krijuar mbrojtje dhe për të rritur imunitetin kundër virusit.

Në grupin e suplementeve, më e shitura ishte vitamina C, vitamina D, zinku dhe një seri kompleksesh me vitamina miks. Konsumi i vitaminave dhe suplementeve ishte shndërruar në një trend vitet e fundit edhe në vendin tonë.

Njerëzit janë bërë më të vëmendshëm ndaj trajtimit shëndetësor dhe po konsumojnë më shumë vitamina. Farmacisti Emil Qirko tha, se pandemia e rriti në mënyrë jo të zakontë shitjen e vitaminave. Ky trend do të vijojë deri sa të gjendet një vaksinë, ose një kurë përgjegjëse për koronavirusin, tha ai.

Kliti Hoti, i cili përfaqëson i kompaninë “Novartis”, tha se Shqipëria ka ende një konsum të ulët për frymë të suplementeve dhe produkteve farmaceutike në tërësi, në raport me rajonin, si një tregues i zhvillimit ekonomik të vendit. Ai tha se ka vend për rritje të mëtejshme, sidomos në drejtim të konsumit të suplementeve.

Kortizonikët

Pas suplementeve, shitje jo të zakontë këtë vit kanë pasur edhe kortizonikët, të cilët janë pjesë e trajtimit bazë të të infektuarve me COVID. Së fundmi, virusi ka përhapje komunitare. Shumë persona po diagnostikohen me radiologji, duke shmangur tamponin, kështu që numri i të prekurve dhe i trajtuar me kortizon është më i lartë se raportimet. Mjeku pneumolog, Luan Dyrmishi, tha se kortizonikët janë pjesë bazë e protokollit të trajtimit tek të sëmurët me simptoma të zhvilluara. Farmacistët pohojnë se gjatë kësaj periudhe ka pasur rritje jo të zakontë të shitjeve të deksametazonit, prednizolonit dhe medrolit.

Antikaulgulantët

Holluesit e gjakut, ose antikaugulantët, janë një tjetër grup produktesh që kanë shënuar rritje jo të zakontë për shkak të pandemisë. Protokollet mjekësore e rekomandojnë konsumin e të prekurve mbi moshat 40 vjeç. Koronavirusi shkakton trashjen e gjakut, duke u bërë shkak edhe për fatalitet në shumë raste. Farmacitë pohojnë se gjatë këtij viti, sidomos pas qershorit, ka një rritje të fortë të holluesve të gjakut të tilla si ksarelto, enoksiparin dhe fraksiparin, aspirinë protekt etj. Në periudha normale, ky grup trajtimi përdoret për moshat e pensionit dhe ato që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare. Përveç shitjeve rutinë, shitjet e holluesve janë nxitur së tepërmi nga pandemia.

Antibiotikët

Një spektër i gjerë antibiotikësh kanë shënuar rritje për shkak të pandemisë. Levofoksacina dhe azitromicina kryesojnë shitjet për shkak se janë të përfshira në protokollet e mjekimit për të gjithë të sëmurët me COVID që kanë shfaqur prekje të mushkërive. Gjithashtu kanë njohur rritje jo të zakontë lloje të tjera të antibiotikëve si levofloksaksin, moksifloksacin, ceftriakson, cefepime, etj.

Antiinflamatorët

Antiinflamatorët, të tillë si paracetamoli, ibubrofeni dhe antipiretikët kanë shënuar rritje të shitjeve këtë vit për shkak të pandemisë. Paracetamoli përdoret gjerësisht edhe te personat me simptoma të lehta për trajtimin e temperaturës dhe lehtësimin e dhimbjeve. Farmacistët pohojnë se shitjet në këto produkte kanë qenë më të larta se në vitet e zakonshme.

Antiulcerozët dhe gastrointestinalet

Antiiulcerozët janë një grup tjetër produktesh farmaceutike që kanë shënuar rritje, si pjesë e trajtimit të disa simptomave që shkakton prekja nga koronavirusi dhe gjithashtu, medikamente që trajtojnë çrregullimet e gastritit dhe aparatit tretës. Mjekët shpjegojnë se një pjesë e madhe e të prekurve me COVID shfaqin simptoma të çrregullimit të aparatit tretës dhe gastritit, ndaj edhe këto medikamente që trajtojnë këto çrregullime, kanë shënuar rritje gjatë periudhës së pandemisë, pohojnë farmacistet.

Antidepresivët

Ndër të tjera, pandemia ka krijuar ankth dhe stres jo të zakontë tek një pjesë e popullatës që nuk është prekur nga virusi, por edhe të prekurit, shumica shfaqin çrregullime të ankthit dhe stresit. Gjatë kësaj kohe, shitjet e medikamenteve që trajtojnë shëndetin mendor janë rritur, të tilla si sedativët dhe qetësuesit kanë shënuar rritje të shitjeve për shkak të pandemisë.

Preparatet

Disa preparate mjekësore, që më parë kishin shitje sporadike, për shkak të specifikës, me pandeminë janë rritur në përdorim. Oksimetri, matësi i oksigjenit në trup, ka njohur shitje jo të zakonta. Me një çmim prej 3 mijë lekësh, oksimetri ka qenë më i shituri i preparateve bashkë me termometrin, pohojnë pikat e shitjes me pakicë të produkteve mjekësore.

Gjithashtu, rritje jo të zakontë të shitjeve kanë shënuar aparatet e oksigjenit dhe pajisjet e oksigjenit. Mijëra të prekur me COVID-19 janë trajtuar në kushte shtëpie me oksigjen, kështu që oksigjeni për qëllime mjekësore ka qenë shumë i shitur bashkë me bombolat, tubat dhe maskat.

Bipapi, një aparat që ndihmon në ventilimin e mushkërive me oksigjen, ka qenë mjaft i shitur gjatë pandemisë. Ky preparat, sipas farmacistëve, është përdorur përveçse në spitale edhe në trajtimin në shtëpi për shumë pacientë.

Burimi: INSTAT

Rriten shitjet e kiteve dhe pajisjeve laboratorike

Shërbimet laboratorike dhe pajisjet e tyre kanë njohur rritje të pazakontë në 2020-n. Pandemia kërkon analiza rutinë, duke përfshirë edhe testet me tampon. Për rrjedhojë, burimet nga tregu kanë pohuar se shitjet e kiteve dhe reagentëve, që përdoren për analizat laboratorike kanë shënuar rritje shumë më të larta në krahasim me mesataren historike.

Pandemia nxit kontrabandën, Favira dhe Remdesiviri, treg paralel

Disa antiviralë si Favira dhe Remdesiviri, që disa shtete i aplikojnë në trajtimin e të sëmurëve me simptoma të rënda të COVID, në Shqipëri tregtohen kontrabandë. Këto medikamente nuk janë certifikuar nga Agjencia Shtetërore e Barnave, por janë efikase në trajtimin e të sëmurëve rëndë në disa raste. Për shkak të popullaritetit që kanë këto medikamente në shtete të tjera, në vendin tonë shpesh aplikohen në mënyrë amatore dhe jo nën mbikëqyrjen e mjekut. Tregtimi jo i ligjshëm i tyre ka sjellë çmime të larta dhe jo reale për përdoruesit.

Firmat presin rritje të shitjeve në fillim të 2021

Të dhënat mbi tregtinë me pakicë tregojnë se sektori i farmaceutikës shitjet më të mëdha i realizon në periudhën e dimrit, sidomos në muajt dhjetor, janar dhe shkurt. Ftohja e motit ndikon në përkeqësimin e barrës së sëmundjeve. Temperaturat e ulëta ulin imunitetin e për rrjedhojë, nxisin përhapjen e virozave, rëndojnë sëmundjet kronike dhe e bëjnë më agresiv koronavirusin. Për këto arsye, Instituti i Shëndetit Publik ka parashikuar një situatë të rënduar gjatë dimrit.

Të dhënat zyrtare të tregtisë me pakicë nga INSTAT që nga viti 2005 tregojnë se shitjet e medikamenteve janë përafërsisht 30% më të larta në periudhën e dimrit, teksa rënia më e madhe shënohet në muajt e verës. Ky cikël lidhet me ndryshimin e motit dhe shtimin e virozave, të cilat nxisin shitjet. Në periudhën e dimrit ndodhin edhe fatalitetet më të larta edhe në vite të zakonshme. Për arsye sezonale, por këtë vit, edhe për shkak të pandemisë, firmat pohojnë se presin më shumë shitje sidomos në dy muajt e parë të vitit 2021.

Të dhënat e INSTAT mbi tregtinë me pakicë tregojnë se, në dekadën e fundit volumi më i madh i shitjeve të produkteve farmaceutike ishte në dimrin 2016-2017, ku vendi u përball me epideminë e gripit sezonal. Gjithashtu, në këtë periudhë, vdekjet ishin më të larta se në tremujorët e tjerë të periudhës 2010-2019. Ndërsa shitjet më të ulëta të produkteve farmaceutike rezultuan në tremujorin e dytë të vitit 2020, ku indeksi shënoi rënien më të madhe të dekadës për shkak të kufizimeve të karantinës në mars-prill-maj 2020. Vizitat rutinë u ndërprenë dhe shërbimet spitalore pësuan rënie në këtë periudhë.

Zhvillimet në tregtinë me pakicë të medikamenteve tregojnë se, këtë vit u rritën pas muajit qershor. Kjo tendencë përkon me përkeqësimin e pandemisë, e cila duket se ka rritur edhe qarkullimin e industrisë së farmaceutikës në këtë periudhë. Megjithatë operatorët e mëdhenj nuk presin të kenë të ardhura nga shitjet këtë vit, për shkak se konsumi është i përqendruar vetëm në disa medikamente dhe preparate.

Burimi: INSTAT

Trendi në rritje, por më 2019 të ardhurat e operatorëve kryesorë me rënie

Të ardhurat e bizneseve të farmaceutikës janë të varura nga konsumi, barra e sëmundjeve, politikat e rimbursimit të medikamenteve dhe nga agresiviteti i virozave të stinës. Importet u rritën me 1.9% më 2019, ndërsa shitjet e 6 operatorëve kryesorë pësuan rënie me -3,1%. Rënien më të madhe të shitjeve me 12% vitin e kaluar, sipas të dhënave nga bilancet, e raportoi kompania vendase e prodhimit të medikamenteve, “Proframa”. “Intermed” raportoi rënie të shitjeve me 8% më 2019, “CFO Pharma” me 5.2%. Rritje raportuan “Rejsi Farma”, me 3.4%, dhe “Delta Pharma”, me 1%.

Rënia e të ardhurave, më shumë se nga konsumi, është nxitur nga furnizimet me çmime të lira të medikamenteve. Në vitin 2019, sasia e produkteve të importuara u rrit me 20%, ndërsa në vlerë, rritja ishte 2%. Importuesit kanë rritur sasinë e importeve, por jo shpenzimet për blerjen e tyre, pasi furnizimet po transferohen gjithnjë e më shumë drejt Turqisë, e cila ofron alternativa me çmime më të lira të antibiotikëve.

Mjekët pohojnë se tregu po vuan pasojat e medikamenteve jocilësore të nxitura nga politikat e rimbursimit. Për rrjedhojë, qytetarët paguajnë më shumë, pasi duke blerë dy-tre herë ilaçet për një kurë, harxhojnë më shumë se më parë. Mjekët dhe farmacistët pohojnë se në listën e barnave të rimbursuara janë përfshirë ato më të lirat, që kanë më pak efekt.

Farmacistët pohojnë gjithashtu se, numri i personave që po bëhen rezistentë ndaj ilaçeve po rritet. Përdorimi i shpeshtë i ilaçeve rrit rezistencën ndaj tyre, për pasojë ky grup gjithnjë e në rritje merr më shumë medikamente. Edhe ushqimet e pakontrolluara, apo jeta sedentare kanë ndikuar në uljen e reagimit të trupit ndaj virozave.

Shpenzimet për shëndetin, në rritje

Gjatë dekadës, shpenzimet e për shëndetin të matuara nga struktura e buxhetit të familjeve tregojnë rritje të peshës së shpenzimeve për shëndetin ndaj totalit të të ardhurave.

Sipas Anketës së Buxhetit të Familjes, të realizuar nga INSTAT, shpenzimet për shëndetin u rritën nga 3.9% e totalit të shpenzimeve të familjes më 2017, në 4.1% të totali më 2018, ndërsa më 2019 kjo peshë shkoi në 4.3% të totalit të shpenzimeve. Gjatë vitit 2019, familjet në qytetin e Gjirokastrës dhe të Durrësit, u përballën me shpenzime më të larta për kujdesin shëndetësor. Ndërsa ky grup shpenzimesh ishte më i ulët për qarqet e Elbasanit, Kukësit, Dibrës dhe Lezhës.

Qytetarët e Gjirokastrës rezultuan me shpenzimet më të larta për shëndetësinë në rang kombëtar. Nga të ardhurat e tyre mujore, ata i çuan 6.1% për shërbime shëndetësore, me një rritje 2.3 pikë përqindje në raport me një vit më parë. Shpenzimet më të larta për shëndetin në Gjirokastër lidhen me faktin se, ka popullsinë më të plakur në raport me qarqet e tjera. Për shkak të emigrimit të lartë në faza të hershme, tani popullsia e Gjirokastrës është më e vjetra ndër 12 qarqet e tjera.

Pas Gjirokastrës, shpenzimet më të larta për shëndetin i kishte Durrësi më 2019. Familjet e Qarkut të Durrësit shpenzuan 5.6% të të ardhurave mujore për shërbimet shëndetësore. Shkak për këtë rritje është bërë tërmeti i 26 nëntorit, i cili përveç dëmeve materiale krijoi edhe dëme shëndetësore në popullatë. Pas Durrësit, shpenzimet më të larta për shëndetin i ka Qarku i Fierit, i cili çon 5.2% të të ardhurave mujore, kjo për shkak të ndotjes që krijon industria. Megjithatë, familjet kanë ulur peshën e shpenzimeve për këto shërbime në raport me një vit më parë, me 0.6 pikë përqindje.

Më tej shpenzimet më të ulëta për shëndetin shihet t’i jenë Qarku i Lezhës, Elbasanit dhe Dibrës dhe Kukësit me përkatësisht 3, 3.1, 3.2 dhe 3.8%. Shpenzimet e ulëta për shëndetin janë karakteristikë e qarqeve me varfëri të madhe. Në anketën e buxhetit të familjeve për vitin 2019, INSTAT vuri në dukje se qarqet e Dibrës, Elbasanit dhe Kukësit janë më të varfrat në vend, pasi kanë edhe të ardhurat më të ulëta për frymë në raport me qarqet e tjera.

Burimi: INSTAT

Barra e sëmundjeve dhe plakja e popullsisë po nxisin konsumin

Kliti Hoti nga kompania “Norvatis” pohon se në dekadën e fundit, tregu po shfaq kërkesë në rritje për medikamentet e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerogjene, të hipertensionit, diabetit dhe sëmundjeve pulmonare. Burimet në QSUT pohojnë se, në krahasim me 2010-n janë trefishuar rastet e reja në pavijonin e kardiokirurgjisë, shpesh në mbi 350 raste në ditë, ndërsa në onkologjik, vitin e kaluar u raportuan mbi 6000 raste të reja të evidentuara me sëmundjet malinje.

Një faktor tjetër themelor që po rrit konsumin e medikamenteve është ndryshimi i strukturës së popullsisë, në favor të moshave të vjetra dhe ndërgjegjësimi për marrje diagnoze në mosha më të reja. Doktor Ajet Braho thotë se jetëgjatësia ka rritur numrin e personave mbi 60 vjeç dhe, nga ana tjetër, ka shtrirë trajtimin në kohë të një personi. Ai thotë se moshat mbi 60 vjeç zakonisht kanë më shumë se një diagnozë dhe përgjithësisht janë të sëmurë kronikë.

Kjo kategori, thotë ai, merr më shumë medikamente. Shqiptarët mbi 60 vjeç janë gati 100 mijë më të shumtë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 19% të totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011. Zgjerimi i tregut farmaceutik evidenton dy faktorë bazë, rritjen e sëmundshmërisë, sidomos për sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerogjene dhe uljen e çmimeve të medikamenteve. Rritja e konsumit të medikamenteve është nxitur nga politikat e qeverisë për uljen e barrës fiskale nëpërmjet heqjes së TVSH-së dhe zgjerimin e listës së barnave me rimbursim./MONITOR

Artikulli i mëparshëmPushime në kohë pandemie, shqiptarët nuk hoqën dorë nga Antalia
Artikulli i radhësGara për ajrin, destinacionet e udhëtimit në vitin pandemik, si u nda tregu