Komisioni Evropian paralajmëroi se gjatë muajt mars do të miratojë propozimin legjislativ për atë që tashmë është emërtuar si “COVID-pasaportë”, e që në BE e quajnë “certifikatë e vaksinimit” kundër koronavirusit.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha se për të filluar zbatimin në praktikë të këtyre vërtetimeve për vaksinim, do të duhen së paku tre muaj.
Ideja është që personat e vaksinuar do të kenë një “certifikatë të vaksinimit” në formën elektronike dhe kjo do t’ua lehtësojë udhëtimet.
BE, deri tash, ka këmbëngulur se fjala është për “certifikata” që do të përdoren vetëm për “çështje shëndetësore”, e jo si “dokumente udhëtimi”.
Megjithatë, Komisioni Evropian tani pranon se qëllimi është të lehtësohet udhëtimi në kohën kur po bëhen përpjekje për rimëkëmbje ekonomike, sidomos në sektorin e udhëtimeve dhe turizmit.
Mamer, i pyetur se a do të jenë këto vërtetime për vaksinim vetëm për përdorime në sistemin shëndetësor apo edhe për udhëtime, tha se ato “në bazë të gjendjes shëndetësore, do të lehtësojnë udhëtimin”.
Komisioni Evropian, megjithatë, nuk ka fuqi të vendosë për këtë çështje, por vetëm të propozojë.
Pastaj, vendet anëtare, së bashku apo secila në mënyrë individuale, mund të vendosin se si t’i përdorin këto vërtetime.
Kjo ishte ndër temat kryesore të samitit të liderëve të BE-së në fund të javës së shkuar, ndërsa tani Komisioni Evropian ka filluar punën për ta nxjerrë propozimin e detajuar.
Kjo ide vazhdon të krijojë ndasi brenda Bashkimit Evropian, për shkak se zbatimi i saj mund të shkaktojë diskriminim, i cili nuk është i lejueshëm sipas ligjeve të BE-së.
Kundërshtuesit e kësaj ideje thonë se mungesa e vaksinave, që u pamundëson të gjithë qytetarëve që duan të vaksinohen, ta bëjnë një gjë të tillë, është një arsye shtesë për të mos nxituar me këtë ide.
Por, në anën tjetër, vendet turistike si Greqia, Spanja, Kroacia dhe Malta duan që sa më parë të lehtësohet udhëtimi, sepse, siç thonë, një sezon sadopak normal turistik është i domosdoshëm për rimëkëmbjen e ekonomive të tyre./REL