Marrëveshja Shqipëri-Turqi / A është futja e gjuhës turke në shkolla gjëja e duhur për tu bërë? Ja çfarë parashikohet

0
Kushi Turku

Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje me Turqinë për bashkëpunim në fushën e arsimit. Marrëveshja e nënshkruar mes ministres së Arsimit Sportit dhe Rinisë Evis Kushi dhe ministrit turk të Arsimit Kombëtar Ziya Selçuk më 6 janar në Ankara në tre gjuhë (shqip, anglisht dhe turqisht) e publikuar tashmë në fletoren zyrtare ka si qëllim rritjen e bashkëpunimit, midis institucioneve përkatëse të të dy palëve, në fushën e arsimit, mbi bazën e barazisë dhe respektit reciprok, në përputhje me legjislacionet kombëtare të palëve dhe legjislacionin ndërkombëtar.

Marrëveshja mbetet në fuqi për një periudhë 5-vjeçare dhe do të zgjatet pas miratimit nga palët, përmes rrugëve diplomatike, për një periudhë 3-vjeçare.

Marrëveshja përcakton në parim se si do të nxitet bashkëpunimi mes dy vendeve në arsim, për shkëmbim eksperiencash, trajnime, kurse e binjakëzime. Po kështu parashikohet dhe nxitja e futjes së gjuhës turke në shkollat shqiptare dhe anasjelltas. Madje parashikohet dhe lëvizja e mësuesve si nga Shqipëria në drejtim të Turqisë dhe anasjelltas.

Fusha e bashkëpunimit
Palët do të promovojnë dhe nxisin bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit dhe botimeve shkencore në fushat e arsimit.
Po kështu do të nxisin shkëmbimin e akademikëve, ekspertëve të arsimit, mësuesve, administratorëve të institucioneve arsimore dhe nxënësve të arsimit të mesëm dhe studentëve të arsimit të lartë.

Marrëveshja do t’i shërbejë shkëmbimit të përvojave në fushën e arsimit të lartë, arsimit të mesëm, arsimit special, arsimit profesional dhe teknik, si dhe trajnimit të mësuesve dhe kualifikimit të mësuesve, organizimin e programeve të trajnimit, duke zbatuar projekte të përbashkëta;

Shkëmbimin e përvojave në fushën e teknologjive të reja të aplikuara në arsim.
Shkëmbimin e përvojave në fushën e zhvillimit të kurrikulës;
Shkëmbimin e programeve të zhvillimit profesional për administratorët, mësuesit dhe personelin në fushën e arsimit;
Kryerjen e hulumtimeve dhe kërkimeve të përbashkëta në fushën e arsimit;
Shkëmbimin e informacionit, në mënyrë reciproke, lidhur me sistemet e matjes dhe vlerësimit të zbatuara në të dy vendet;

Shkëmbimin e përvojave në hartimin dhe përmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në të dy vendet;
Inkurajimin reciprok të pjesëmarrjes së studentëve në konkurset shkencore dhe kulturore të organizuara në të dy vendet;

Promovimin e bashkëpunimit për zhvillimin e programeve të përbashkëta, marrëdhënieve binjakëzuese të shkollave dhe aktiviteteve të studentëve, midis institucioneve përkatëse arsimore të palëve;

Inkurajimin për pjesëmarrje të ndërsjellë në aktivitete, të tilla si: seminare, ekspozita, konferenca dhe studime shkencore etj., në fushën e arsimit.

Mësimdhënia dhe nxënia e gjuhëve zyrtare
Një tjetër pjesë e rëndësishme e marrëveshjes parashikon dhe futjen e gjuhës turke në shkollat shqiptare dhe gjuhës shqipe në shkollat turke. “Palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor”.

Në marrëveshje thuhet se “pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat, për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke”.

Po kështu pala shqiptare do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve turq në seminaret/kurset verore të gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Pala turke do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve shqiptarë në seminaret/kurset verore në gjuhën dhe kulturën turke.

Personeli arsimor
Palët do të lehtësojnë shkëmbimin e mësuesve dhe akademikëve në vendet e njëri-tjetrit për të mësuar gjuhët zyrtare, brenda kuadrit të legjislacioneve të tyre kombëtare, dhe do të informojnë palën pritëse përmes rrugëve diplomatike.

Palët do të lehtësojnë procedurat e dhënies së vizave, lejeve të qëndrimit dhe të punës për mësuesit dhe akademikët e caktuar, si dhe anëtarët e familjeve të tyre brenda objektit të kësaj marrëveshjeje.

Bursat
Palët, çdo vit, do të japin reciprokisht bursa për kurse gjuhe, arsim të lartë dhe kërkime, duke marrë në konsideratë fushat e nevojshme dhe brenda kufijve të mundësive të tyre financiare. Numri i bursave dhe kushteve, lidhur me bursat, do t’i nënshtrohen legjislacionit përkatës të palëve.

Procedurat e aplikimit, përzgjedhjes dhe përcaktimit të kandidatëve për arsim të lartë dhe studiuesve, të cilët janë shtetas të Republikës së Shqipërisë dhe do të bëhen bursistë në Turqi, do të kryhen brenda kuadrit të legjislacionit turk për bursat duke informuar Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet rrugëve diplomatike.

Pala shqiptare do të japë bursa për studentët turq brenda kufijve të mundësive financiare. Procedurat e aplikimit, përzgjedhjes dhe përcaktimit të kandidatëve për arsim të lartë dhe studiuesve të cilët janë shtetas të Republikës së Turqisë dhe do të bëhen bursistë në Shqipëri, do të kryhen brenda kuadrit të legjislacionit shqiptar për bursat duke informuar Ministrinë e Arsimit Kombëtar të Republikës së Turqisë, nëpërmjet rrugëve diplomatike.

Palët, në përputhje me legjislacionet e tyre të brendshme, do të sigurojnë mundësi për studentët që dëshirojnë të studiojnë në vendin e palës tjetër, me shpenzimet e tyre.

Palët do të marrin masat e nevojshme për të lehtësuar zgjidhjen e problemeve të studentëve që studiojnë me të ardhurat e tyre dhe studentëve bursistë, si dhe studiuesve në vendet e tyre. Neni 6 Grupi i Punës i Përbashkët Arsimor

Palët do të krijojnë një Grup Pune të Përbashkët për Arsimin në mënyrë që të lehtësojnë zbatimin, mbikëqyrjen dhe vlerësimin e kësaj marrëveshjeje përmes dërgimit periodik të raporteve drejtuar institucioneve përkatëse.

Grupi i Punës i Përbashkët i Arsimit do të bashkëkryesohet nga ministrat e arsimit të palëve ose zyrtarë të lartë të autorizuar. Përfaqësuesit e institucioneve përkatëse do të takohen një herë në dy vjet ose nëse është e nevojshme, me kërkesë të njërës prej palëve, ose në Turqi ose në Shqipëri.

Nëse palët nuk mund të mblidhen në një takim, do të shkëmbehen dokumente në vend të takimit.

Ekuivalentimi i diplomës
Palët do të shkëmbejnë informacionin dhe dokumentacionin përkatës, lidhur me sistemet e tyre përkatëse të arsimit, nëpërmjet autoriteteve të tyre kompetente për njohjen reciproke dhe ekuivalentimin e vlerësimeve, transkripteve, dëftesave arsimore, tërheqjen e dëftesave, titujve dhe diplomave të lëshuara në arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe arsimin e lartë, si edhe do të bashkëpunojnë në këtë drejtim, kur është e nevojshme.

Institucionet arsimore dhe kulturore
Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, palët, nëpërmjet grupit të punës së nivelit të lartë, do të hartojnë rregullore administrative, përfshirë protokollet e shtetit pritës, me agjencitë, institucionet dhe shoqatat e palës tjetër, përgjegjës për edukimin, kulturën dhe trajnimin. Neni 9 Mbrojtja e të drejtës së autorit dhe të drejtave të pronësisë intelektuale Palët do të mbrojnë të drejtat e tyre të pronësisë intelektuale, të krijuara dhe të përdorura brenda kuadrit të bashkëpunimit të kësaj marrëveshjeje, në përputhje me legjislacionet e tyre kombëtare dhe traktatet ndërkombëtare të cilat ato kanë nënshkruar. Sipas kësaj marrëveshjeje, pronësia intelektuale kuptohet sipas shpjegimit të dhënë në nenin 2, të Konventës për Themelimin e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, në Stokholm, më 14 korrik 1967. 

Artikulli i mëparshëmA merrnin doktorët ryshfete para ’90-ës? Flet mjeku i njohur shqiptar…
Artikulli i radhësTërmeti në Greqi shkund fort studion e lajmeve, spikeri vazhdon punën pa u trembur (VIDEO)